Eko Higjiena

Kripë në plagë

/ 4 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Albin Kurti – Nga lufta e fundit në Kosovë, Mitrovica e pësoi më së shumti. Ajo mbeti e ndarë në dysh me urën mbi Ibër si simbol që dallimin gjeografik e bën politik. Por, jo vetëm kaq. Mitrovica është qyteti i cili e pësoi më së shumti edhe pas luftës.

Dëbimi masiv i shqiptarëve ndodhi plot tetë muaj pas përfundimit të luftës, duke i shndërruar kështu shqiptarët e veriut në pakicë. Ashtu qysh shqiptarët u bënë dhunshëm pakicë, njësoj serbët u bënë përmes dhunës shumicë. Pastrimi etnik i shqiptarëve u shoqërua me sjelljen e serbëve në atë pjesë, si nga viset e tjera të Kosovës po ashtu edhe nga Serbia.

Akti i shpërnguljes së përnjëhershme dhe të zhrmshme të shqiptarëve u zëvendësua me procesin e gjatë dhe të heshtur të pastrimit të tyre etnik. Zëvendësimi i popullsisë ishte përgjithësisht brutal. Blihej shtëpia e shqiptarit e cila më pas rrënohej për t’u ndërtuar aty një ndërtesë shumëkatëshe që mbushet me popullsi serbe.

Kësisoj, mbarimi i luftës në Kosovë ishte i kufizuar në territor: veriu i Kosovës mbeti në një gjendje lufte pa luftime. Qeveritë e pasluftës shpallën moratorium atje duke e konsideruar nën zë që gjendja e tillë është çmimi i fitores, thua se Kosova nuk kishte paguar mjaft kosto nga një shekull okupim. Kishte edhe të atillë që për të arsyetuar rehatinë e tyre të pasluftës në pushtet e interpretonin në mënyrë konspirative lumin Ibër si kufi ndërmjet ShBA-ve dhe Rusisë.

Ndarja politike në Mitrovicë u përcoll me vdekje klinike në ekonomi. Mitrovica është qyteti më i varfër dhe me papunësinë më të lartë në Kosovë, i vetmi qytet të cilit i është zvogëluar popullsia krahasuar me tri dekada më parë.

Gjiganti ekonomik ‘Trepça’ nga një shans për të ardhmen e Kosovës u shndërrua në gërmadhë të ndryshkur që tash duan ta likuidojnë për t’i paguar borxhlinjtë nga koha e Serbisë së Milosheviqit. Eksploatimi kolonial i dikurshëm nga Serbia që sublimohej me parullën e mirënjohur ‘Trepça punon, Beogradi ndërton!’ u zëvendësua me eksploatimin jo më pak kolonial të xeheve të papërpunuara nga ‘Trepça’ e pasluftës.

Uji Dea

‘Trepça’ sot trajtohet si një lopë që milet pa i dhënë ushqim. Qyteti kryesor industrial i Kosovës është bërë vend i mjerimit social. Sikur të mos mjaftonte kjo, në Mitrovicë lulëzojnë kontrabanda dhe ShIK-u. Qyteti i Mitrovicës është i ndarë për qytetarët dhe shtetin e Kosovës por jo edhe për krimin e organizuar në të dy anët e Ibrit që bashkëpunon lëmueshëm.

Në anën tjetër, nuk ka vend tjetër në Kosovë si Mitrovica ku qytetarët pëshpëritin duke qenë të vrojtuar pothuajse në secilin lokal nga agjentët e ShIK-ut. Pretendimet se ShIK-u është shuar në qershor të vitit 2008 thua se tregojnë saktësisht të kundërtën: pikërisht viti 2008 shënon ngritjen më të madhe të ShIK-ut. Pasi që e sollën PDK-në në pushtet, agjentët e ShIK-ut u instaluan nëpër pushtetin e institucioneve qendrore e lokale, nëpër ndërmarrjet publike dhe agjencitë shtetërore.

Në muajt e fundit, dialogu politik ndërmjet Thaçit e Daçiqit bëhej për aq shumë çështje të brendshme të Kosovës mirëpo s’ka dyshim që Mitrovica ishte çështja thelbësore. Komunës veriore të Mitrovicës sipas Ahtisaarit po ia shtojnë edhe asociacionin e komunave me shumicë serbe edhe fondin zhvillimor për veriun.

Ai asociacion a bashkësi komunash paraqet mënyrën qysh komunat si Graçanica e Parteshi do t’i bashkohen veriut të Kosovës, ndërkaq fondi zhvillimor për veriun është mënyra se si veriu veçohet e ndahet fuqishëm nga jugu.

Mitrovica e përgjysmuar politikisht dhe e dërrmuar ekonomikisht kishte nevojë për drejtësi e barazi, për bashkim e zhvillim si askush tjetër. Mirëpo, pikërisht Mitrovica po e paguan çmimin më të lartë të dialogut që ka të bëjë më së shumti me të. Mitrovica është plagë e hapur e Kosovës së cilës dialogu Thaçi-Daçiq po i hedh kripë.