UBT

Humbësit më të mëdhenj janë shqiptarët në Maqedoni të Veriut

/ 7 minuta lexim
Uji Dea

Nga Behxhet Sh. SHALA- BAJGORA – Kaluan zgjedhjet presidenciale dhe pritet 8 maji: Albin Kurti i futi hundët në Shqipëri dhe pësoi debakël. Në Luginë të Preshevës e formoi skuadrën e llaskucëve dhe rrogëtarëve të udhëhequr nga Shaip Kamberi në Luginë dhe Ardita Sinani me Ragmi Mustafin në Prishtinë, e para këshilltare e Albinit kurse Ragmiu si këshilltar i Besnik Rrencit. Në Mal të Zi nuk dhezi kombinimi me Dritan Abazoviqin, antishqiptarin dhe proserbin e thekur që, sipas udhëzimeve të Amfilohije Radoviqit e dobësoi substancën malaziase dhe e riktheu ndikimin rus dhe serb. Albini qartazi ka një padurim ndaj atyre që me luftë dhe sakrificë e bënë Kosovën shtet, kështu si është, në radhë të parë ndaj Hashim Thaçit, jo se nuk është pajtuar me te politikisht, por se kishte mungesë të protagonizmit historik.

Kishte deficit të theksuar historik krahasuar me Thaçin. Të njëjtin mosdurim e ka edhe ndaj Ali Ahmetit i cili, gjithashtu u bë, falë të gjitha luftërave çlirimtare pjesë e përjetshme e Panteonit të shqiptarisë ku renditen të gjithë ata që kontribuuan, deri duke flijuar jetën e tyre, heronjtë dhe martirët e Kombit. Shqipëria mbaroi paq me Albinin duke e lënë pa asnjë ndikim politik atje. Në Luginë e riktheu ndikimin përmes shkarkimit të Shqiprim Arifit dhe rikthimit të gogolit Mustafa. Aspak nuk e njoh Shqipërim Arifin përveç se ka përdorur cilësime të rënda për Albinin në vazhdimësi dhe se ka qenë i bojkotuar nga Albini dhe Besnik Rrenci që kanë favorizuar politikisht dhe materialisht krahun e rrogëtarëve në me krye Shaip Kamberi. Ndoshta Shqipërim Arifi e ka merituar të shkarkohet por më habit fakti se si në vend të tij, si organ i dhunshëm deri në zgjedhje u emërua, pa zgjedhje, Ragmi Mustafa. Realisht, Albini, bashkë me Besnikun dhe “Çetën e Rrogëtarëve” përçau, deri në urrejtje shqiptarët e Luginës.

Më herët Albini bëri luftë të hapur kundër Ali Ahmetit duke përdorur një hermafrodit politik dhe kombëtar, me dy shtetësi dhe dy identitete kombëtare, Blerim Rekën në garë për president të Maqedonisë. Blerim Reka mori vota aq sa nuk i mjaftuan as për këshilltar lokal në Lagjen Shute Orizare që shërbyen si trapolinë për një karrierë politike në Amerikë, si konsull i Kosovës, me një pagë të lartë duke tredhur miza tërë kohën, punë që me të njëjtin përkushtim dhe sukses e bënë Gani Jakupi në Barcelonë, i tredhur nga çdo përgjegjësi.

Eksperimentin in vitro e vazhdoi me Zijadin Selën deri në kohën kur e kuptoi se Albini po e përdorë si armë qitëse për ta vrarë politikisht Ali Ahmetin. Sela iku dhe në vend të tij erdhi Bekim Koqja nga Alfabeti i Manastirit që, sikur Arbërie Nagavci nuk i dinte as sa shkronja i ka alfabeti i gjuhës shqipe por se përfituan shumë, analfabetja jofunksionale u bë ministre e arsimit në Kosovë kurse “vetevendosësi” Qokja u bë këshilltar politik i Albin Kurtit pikërisht për Maqedoninë.

Në ndërkohë, të ikurit dhe të përjashtuarit nga BDI-ja e formuan mendermethënë “Grupin e Zjarrit” për t’i vënë flakë Ali Ahmetit dhe shqiptarëve në Maqedoni të Veriut. Izeti, Bilalli, Afrimi dhe kanakari i VMRO-së, Arben Travari, bashkë me LV formuan “grupin opozitar s’VLEN”, si rrogëtarë të VMRO-së, për ta rrëzuar Ali Ahmetin dhe për ta luftuar UÇK-në, në emër dhe për llogari të komitave maqedonas. Albini ishte në tubimin promovues në Tetovë, deri në kohën kur “atentatorët” e RTK-së organizuan atentat kundër tij. Falë zotit shpëtoi dhe pa asnjë pasojë u kthye në Prishtinë përmes autostradës që e ndërtoi Hashim Thaçi.

Po të njëjtin grup të pordhagjinjve të “Grupit të Zharrit” e priti në Prishtinë në ditën kur varrosej viktima e dhunës në familje. Albini nuk shkoi në Gjermani pasi shteti gjerman nuk garantonte siguri që aspak nuk ishte e vërtetë. Në tubimin zgjedhor në diasporë Albini e dërgoi një ministre të qeverisë Kurti e cila për sa kohë të zgjasë njerëzimi do të mbahet mend për shkak të një fjalimi të jashtëzakonshëm elektoral që përbëhet vetëm nga katër fjalë: “keni përshëndetje nga Kurti ..”. Çfarë thellësie, elokuence dhe porosie elektorale, thjesht, e paimagjinueshme dhe e papërsëritshme. Antologjike për kah injoranca, poshtëruese për kah nënshtrimi!

Fundamenti

Nuk fituan as Osmani e as Travari por komitat dhe cubat maqedonas: Kandidatja e VMRO-së fitoi thuaja 40 për qind të votave, Pendarovski i Zaevit diku 20 për qind, Bujar Osmani te 15 përqindëshi kurse Arben Travari te 10 përqindëshi. Në balotazh shkojnë VMRO dhe LSDM kurse BDI dhe pordhagjinjt e “Grupit të Zjarrit” e vazhdojnë luftën vëllavrasëse politike me armatim përçarës të Albin Kurtit. Ka qenë e qartë se shqiptarët nuk kanë gjasa në gara presidenciale por, si një trup i bashkuar, me një listë të përbashkët do të fitonin nja 30 deputetë. Në rrethana të përçarjes nga dronët kamikazë të Albin Kurtit në Maqedoni të Veriut roli i shqiptarëve do të margjinalizohet duke e humbur peshën politike.

BDI-ja mund të fitojë 13 – 15 deputetë, kamikazët e Albinit 7 – 9 deputetë duke u bërë bashkë me VMRO-në. Është pritje reale që Travari të bëhet pjesë e qeverisë së ardhshme të Maqedonisë, jo si fuqi politike por si substancë nënshtruese dhe pa përmbajtje kombëtare që aq shumë po pëlqehet nga VMRO-ja e cila nuk e ka as dyshimin më të vogël të përcaktimit midis Ali Ahmetit dhe Arben Travarit. Travari e ka pikërisht këtë qëllim që përmes komitave të VMRO-së dhe llaskucëve të Albin Kurtit ta zhveshë shqiptarin e Maqedonisë nga çdo vlerë kombëtare duke e shndërruar në një forcë të papërfillshme politike.

Përpjekja e Travarit, Albin Kurtit dhe komitave të VMRO-së është përpjekje për rishkrim të historisë së këtij shteti duke e përjashtuar dhe dënuar rolin dhe kontributin e Ushtrisë Kombëtare Shqiptare për të cilën nuk e kanë dhënë as kontributin më të vogël pordhagjinjtë e “Grupit të Zjarrit” e lëre më Albin Kurti. Kështu, me këtë skenar, Serbia dhe Rusia po rikthehen në Maqedoni të Veriut sikur që po rritet ndikim politik dhe shkombëtarizues i Erdoganit përmes birit të tij politik, Bilall Kasamit.

Interesant, edhe biri biologjik i Erdoganit e ka emrin Bilall. Albin Kurti është KM i Kosovës ku punët janë llugë në të gjitha segmentet prandaj nuk ka pasur nevojë t’i fusë hundët në problemet e të tjerëve. Albini as nuk ka pasur nevojë e as që ka nevojë të bëjë dallime midis shqiptarëve duke përkrahur haptas disa dhe duke sulmuar haptas të tjerët. Albini duhet të heq dorë nga ndjenja e Madhështisë së Personalitetit, e të bërit Baba i Shqiptarëve duke e rishkruar historinë e shqiptarëve përmes fredivlbelericave, Gjykatës Speciale Raciste, Rrogëtarëve të Luginës apo Llaskucëve të tij në Maqedoni të Veriut.

Historia e re e shqiptarëve është e shkruar me shumë mund, vuajtje, djersë dhe gjak. E kanë shkruar Heronjtë e Kombit dhe Martirët e Kombit të udhëhequr nga Bacë Adem Demaçi dhe Adem Jashari. Albini duhet ta lexojë me kujdes këtë histori duke mësuar nga ajo. Nuk ka tjetër mundësi apo tjetër rrugë!