RCCOLA

Fitore tani quhet rikthimi në pikën në zero

/ 3 minuta lexim
Hidromorava

Nga Mero Baze – Gjatë komunizmit në Shqipëri tregohej një anekdotë për një kryefamiljar, i cili kërkonte vazhdimisht një shtëpi më të madhe për familjen e zgjeruar të tij.

Kryetari i Komitetit e thirri dhe i tha se kërkesa juaj do të plotësohet në të ardhmen, por deri atëherë sa të normalizohet situata, do të mbash brenda në shtëpi dhe një familje tjetër në nevojë. Kështu që në vend të zgjerohej familja u ngushtua.

Pastaj vite me radhë kryefamiljari trokiste në dyert e Komitetit t’ia nxirrnin atë familjen tjetër që ja futën përkohësisht brenda në shtëpi.Dikur më në fund ja nxorën dhe ai u lehtësua.

“Nuk dua më shtëpi”, tha. “Tani jam mirë”.Pak a shumë kjo po ndodh me qasjen e Albin Kurtit ndaj dialogut me Serbinë dhe normalizimit të situatës në Veri.Pa ndonjë arsye të madhe ai tensionoi situatën me targat pastaj me zgjedhjet dhe ndërhyrjen e policisë dhe në vend ta avanconte axhendën e Kosovës në perëndim, u kthye në një vend problematik me SHBA dhe Bashkimin Evropian.Për këtë arsye u fut nën sanksione.

Sot Kosova është i vetmi vend në territorin evropian nën sanksione, nëse Rusinë nuk e llogarisim Evropë. Bashke me të është akoma më shumë turp.

Tani gjithë vajtje ardhjet e Albin Kurti në Bruksel, përpjekjet për të reflektuar, dhe për tu dukur si viktimë, nuk janë më në shërbim të dialogut dhe normalizimit të situatës në Veri, por normalizimit të situatës së Kosovës me Perëndimin.

UBT

Ajo që po kërkon tani Albin Kurti, është që Perëndimi ti heq sanksionet që i ka vendosur për shkak të futjes së Kosovës në një kurs antiperëndimor.

Natyrisht sanksionet do të zgjasin, derisa Perëndimi të bindet që Kosova është partner i saj. Dhe kjo tanimë është proces, nuk është më vendim i një dite.

Por le të shpresojmë se një ditë do të ndodh.

Pra një ditë Perëndimi do t’ia heq sanksionet Kosovës, dhe atëherë Albin Kurti do të thërras fitore.Ajo ditë na rikthen tek gjendja para sanksioneve, të cilat mund të mos vendoseshin kurrë nëse nuk do ishte Albin Kurti.

Është si ai kryefamiljari që kërkonte zgjerim, por u ngushtua më tepër dhe u gëzua kur ja hoqën komshiun që i futën brenda shtëpisë.Siç do të gëzohet Kurti kur t’i heqin sanksionet dhe ta rikthejnë aty ku e nisi. Në pikën Zero.