UBT

A mund të zhvillohemi në nivel Evropian e përtej!

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Arben Kurteshi – Të përqendrohemi në krijimin e mjedisit të favorshëm për investitorët, me barriera të ulëta ligjore, siguri ligjore e sociale duke krijuar infrastrukturë moderne, po ashtu cilësi në arsim.

Nëse krijojmë këto kushte, të favorshme për investitorët me potencial besoj thellë se investimet do të rrjedhim drejt vendit tonë dhe do të kthehen në zhvillim të hovshëm e të vrullshëm ekonomik.
Gjendja momentale ekonomike në vend është një pasqyrë që reflekton punën dhe angazhimin tonë në dy dekadat e fundit.

Vetë historia jonë është një testament i fuqishëm për arritjen e lirisë, është një udhërrëfyes që na tregon rrugën se si lidhet ideali i zemrës dhe vizioni i mendjes me synimin, dhe se si gjithçka mund të përdoret si shteg drejt arritjes.

Pikërisht këtu ku ne e kemi potencialin shumë të madh kemi edhe ngecje, sepse në periudhën kohore të pas luftës e deri sot, ideal e vizion është arritja e pushtetit, dhe kur arritja e pushtetit është primare me apo pa dashje gjithçka tjetër mbetet sekondare, dhe pikërisht me hov dhe me vrull sekondar është zhvilluar vendi, ku të ardhurat nuk i mbulojnë nevojat qytetare!

Ne e dimë më së miri si arrihen projekte madhështore e kemi dëshmuar me arritjen të pakrahasueshme dhe historike të lirisë në kushte dhe rrethana të pamundura!

Vërtet historia jonë është testament i fuqishëm, si e arritëm gati të pamundurën lirinë, dhe pse tash nuk po mund ta arrimë të mundurën zhvillim e vendit.

Ne jemi ndër popujt më të rrallë në botë që kemi dëshmuar se gati gjithçka është e arritshme, kur ideali dhe vizioni lidhet drejtpërdrejt me cakun!

Mendjendriturit tanë na mësuan se si ti shkulnim pengesat e lirisë, si ti ndryshonim kushtet dhe rrethanat e asaj kohe, dhe si ta pikturonim lirinë në kokat tona si një synim të qartë. Ata na inkurajuan të ndërmarrim udhën drejt arritjes. Arritja e madhe, liria, u realizua sepse ideali i zemrave dhe vizioni i mendjeve i shpërbleu përpjekjet tona për liri.

Çdo gabim, përvojë, dhe sukses e përdorëm si shteg drejt arritjes.
Vetë ne popolli i Republikës jemi krijuesit dhe autorët e këtij kapitulli të përfunduar.
Shqetësimi ynë aktual është, pse nuk po mund të arrijmë zhvillimin ekonomik të vendit tonë me të njëjtin frymëzim dhe vendosmëri? Potenciali ynë është shumë i madh, por pothuajse e njëjta aftësi që na çoi drejt lirisë na ka munguar deri sot për të arritur zhvillimin ekonomik.

Defekti ynë kryesor i pas luftës është ideali dhe vizioni që ka synim dhe qëllim primar pushtetin!
Kjo ka penguar përqendrimin tonë mbi zhvillimin ekonomik.

Shembujt e vendeve tjera si Gjermania e cila ishte shumë e shkatërruar e bërë rrafsh me tokë pas luftës së dytë botërore arriti të zhvillohet dhe të bëhet lokomotivë ekonomike e evropës. Gjermanisë, vetëm dy dekada pas luftës nuk i mjaftoj fuqia e vetë punëtore dhe kërkoi punëtorë jashtë shtetit , sikur që kërkuan edhe në Kosovë në vitin 1965; pra vetëm dy dekada pas përfundimit të luftës së dytë botërore.

Mobi Casa

Para fillimit të mrekullisë ekonomike Irlandës i ikën gjysma e popullsisë gjithsej katër milion në Amerikë!

Irlanda, që brenda një gjenerate prej shtetit më të varfër në Evropën perëndimore arriti të bëhet gati shteti më i pasur në Evropë duke e rritur cilësinë në arsim.

Japonia dhe Korea e Jugut poashtu janë zhvilluar edhe më shpejt se dy dekada; gjithashtu shteti afrikan Botswana, ka BPV më të lart se vendi ynë!

Shteti juridikisht i panjohur nga UE dhe SHBA-ja, që nuk ka ulëse në OKB, pra pothuaj se juridikisht shtet “joekzistent“ dhe prap një ndër shtetet më të zhvilluara në botë, që e njohën deri sot vetëm 17 shtete nga afër 200 është Tajvani që ka një Bruto Produk Vendor për kokë banori 30‘000$!

Ato shtete kanë përqendruar përpjekjet e tyre në krijimin e kushteve të nevojshme ligjore dhe infrastrukturore për investime. Në vendin tonë, shumë herë barrierat ligjore, trazirat, mosbesimi në institucione, korrupsioni, mungesa e sigurisë sociale e shëndetësore, po ashtu dhe mungesa vizionare janë bërë pengesë për investitorët potencial.

Zhvillimi ekonomik është një përbërës i rëndësishëm për të krijuar prosperitet dhe të ofrojmë vendet e punës që rinia jonë ka nevojë.

Kapitali investues është si uji – rrjedh atje ku ka më pak pengesa. Prandaj, ne duhet të përqendrohemi në krijimin e një mjedisi të favorshëm për investitorët, duke ulur barrierat ligjore dhe duke krijuar siguri juridike. Nëse ne krijojmë këto kushte, investimi do të vijë dhe do të kthehet në zhvillim ekonomik.

Diaspora jonë dërgon miliarda dollarë në vendin tonë, por ky kapital nuk është përdorur me efikasitet për të ndihmuar zhvillimin ekonomik. Derisa diaspora kthehen në vendet e tyre të jetesës, shumica e remitencave nuk mbeten në vendin tonë, por kalojnë kufirin dhe shpenzohen jashtë tij. Kjo është një pasuri e humbur.

Për të rritur prodhimin vendas dhe të ulur deficitin tregtar, ne duhet të fokusohemi proaktiv në kontaktin e kompanive me potencial dhe së bashku të përpilohen dhe në krijimin e kushteve ligjore (në përputhshmëri me ligjet ndërkombëtare) dhe infrastrukturore për tërheqjen e investimeve. Nuk duhet të gjejmë arsyet për mos zhvillim, por duhet të punojmë me vendosmëri dhe vullnet për të ndryshuar situatën. Duhet të përdorim vizionin dhe idealin që na dha liria për të ndërtuar një të ardhme më të ndritshme për vendin tonë.

Zhvillimi ekonomik është proces i vështirë dhe kërkon angazhim të përhershëm. Duam të kemi një vizion të qartë dhe një ideal të lartë që të kthejmë mendjet tona drejt zhvillimit ekonomik në nivel evropian e përtej, sepse vetëm atëherë mund të ndërtojmë një vend më të fuqishëm dhe më të pasur për të gjithë qytetarët tanë.