Dardanapress organizon punëtori në Kamenicë, në fokus funksionalizimi i Qendrës për Përkrahjen e Bizneseve
Kamenicë – Organizata Joqeveritare Dardanapress ka organizuar një punëtori me temën “Funksionalizimi i Qendrës për Përkrahjen e Bizneseve”, në kuadër të projektit “Promovimi i politikave të zhvillimit socio-ekonomik në Komunën e Kamenicës”.
Qëllimi i kësaj punëtorie ishte identifikimi i mundësive dhe diskutimi i hapave konkretë për funksionalizimin e Qendrës për Përkrahjen e Bizneseve, e cila synon të shërbejë si mekanizëm mbështetës për bizneset lokale përmes këshillave, informacioneve dhe shërbimeve të nevojshme për zhvillimin e tyre.
Gjatë punëtorisë u diskutuan sfidat dhe nevojat me të cilat përballen bizneset në Komunën e Kamenicës, rëndësia e mbështetjes institucionale për sektorin privat, si dhe mundësitë për krijimin e një bashkëpunimi më të qëndrueshëm ndërmjet institucioneve komunale dhe komunitetit të biznesit.
Në mesin e rekomandimeve të dala nga kjo punëtori u theksua nevoja për funksionalizimin e Qendrës si pikë e drejtpërdrejtë e shërbimeve për bizneset, informimin e ndërmarrësve për grantet, subvencionet dhe mundësitë e financimit nga institucionet vendore, si dhe krijimin e mekanizmave të bashkëpunimit ndërmjet Komunës, bizneseve lokale dhe institucioneve të tjera relevante.
Po ashtu, u rekomandua promovimi i mundësive për investime dhe mbështetja e ndërmarrësve të rinj në zhvillimin e ideve të tyre të biznesit, me qëllim të nxitjes së iniciativave të reja ekonomike dhe krijimit të vendeve të punës.
Në përfundim të punëtorisë u vlerësua se funksionalizimi i Qendrës për Përkrahjen e Bizneseve do të përbënte një hap të rëndësishëm drejt fuqizimit të sektorit privat, përmirësimit të klimës së biznesit dhe zhvillimit socio-ekonomik të Komunës së Kamenicës.
Projekti “Promovimi i politikave të zhvillimit socio-ekonomik në Komunën e Kamenicës” financohet nga Ministria e Zhvillimit Rajonal./rajonipress/

