Sëmundja e bukur e romanit “Mos e harro Japoninë, Suzanë”

/ 11 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Sherafedin Kadriu – Për befasi, po më bie të shkruaj për vepra që në një mënyrë lidhen me përvojën time jetësore. Nuk po ndjehem keq, por kjo trajtë njoftimi e lexuesit nuk e di nëse mund të shkojë me interpretimin e veprës së caktuar…

Qe kështu më ndodhi edhe me romanin “Mos e harro Japoninë, Suzanë” të shkrimtarit Aziz Mustafa, botuar tri vite më parë ( 2020 ) nga Shtëpia botuese “Armagedoni”.
E di se kanë shkruar për këtë roman, por meqenëse shëmbëllimi fabulës, deri te epilogu më digjte njësoj si mjekun Leonard Malaj, nuk munda të mos i qes dy fjalë.

E di mirë si nis trishtimi e rritet, ashtu siç kallëzohet sëmundja… Gjithçka nxihet. Terr dhe vetëm terr, edhe në mendje, edhe në sy. Bota përmbyset, siç përmbysen shikimet. Ti i sheh fytyrat më të dashura dhe vuan pse nuk do t’i shohësh më. Po, ende je i fortë për të qarë fort.

Edhe ata, të shohin dhe ndjejnë si ti, po detyrohen t’i terin lotët pa dalë nga qepallat. Një përzierje dhembjesh, vullnetesh dhe dëshirash…
E qe, terapitë mjekësore funksionojnë mirë në këtë luftë, tani për tani të pabarabartë.


Dhe, lufta për jetën e shfaqur thekshëm në këtë roman flet me gjuhën e gjendjes për frikën, ankthin, dëshirën, guximin, qëndrimin dhe shikimin e përhumbur para komës…
Prandaj nisemi fabulës së romanit…

Mjekut të QKU-së në Prishtinë, Leonard Malaj, i ngjiret zëri dhe pështyn gjak. Frikësohet medoemos. Dhe ndodh ajo që nuk do të ndodhte. Kanceri në fyt. Me gruan Suzanën, vendosin që operimi të ndodhë në Turqi. Operacioni është i suksesshëm. Doktor leopardi humb zërin. Më mirë pa zë se pa kokë! – thonë vetë laringologët.

Shkrime për revistat shkencore. Me shkrime edhe për komunikim të përditshëm. Me të bijën, Flakën pesëvjeçare, komunikim edhe me vizatime.
Në epilog shfaqja e kancerit në mushkëri, – metastazë …

Rrëfimi romanesk

Në roman dalin të kombinuara format e rrëfimit. Në fillim shfaqet narratori-autor, i cili flet nga përvoja profesionale dhe jetësore medoemos, më pas paraqiten tre rrëfyes që komunikojnë me lexuesin në vetën e parë, me atë formën atraktive të ditarit. Dhe, sërish paraqitet narratori-autor në epilogun e romanit, për ta mbyllur fabulën duke e realizuar artistikisht procesin e rrëfimit romanesk.

Rrëfimi letrar formohet nga fiktivja, sepse monologët dhe dialogët, e gjithsesi edhe ndonjë meditim i rastit që sjell autori, i përkasin perspektivës imagjinare, ndërsa përshkrimi i sëmundjes dhe i gjithë procesi i saj kanë për bazë përvojën personale të autorit.

Personazhi kryesor i romanit, Leonard Malaj, vjen i formuar gjatë rrëfimit. Prologu i nënkuptuar dhe tre ditarët në vazhdim, vetëm sqarojnë karakterin e tij që lexuesi e vëzhgon seriozisht. Ky personazh është konceptuar për të vuajtur, ndërsa autori e ka zgjedhur për shkak të dhembjes që ka për të, a ndoshta edhe për shkak të mëshirës; vetëm ai e di.

Ditari i Leonardos zbulon shumëçka nga jeta dhe karakteri i tij. Është një burrë mendjehapur. I dashur e i dhembshëm. Mjek i zoti. Studiues. I matur. I moralshëm. I qartë shprehimisht. Ka një jetë të bujshme dashurie: krahas studimeve në Tiranë, dashuria me Angjelinën. Vazhdimi i studimeve në Zagreb sjell dashurinë me serben e bukur Lana. Mu kur shteti i tij i ri, ndodhej nën pushtimin klasik të Serbisë! Nuk besoj se mund të bëhet anëtar i kozmopolitëve botërorë. Sepse ai do tokën e tij, këndej e andej kufirit. Dhe, vjen dashuria e përmbushur me Suzanën që nis në kështjellën japoneze Amuzikati dhe përfundon me martesë.

Poli tjetër i dashurisë është pra Suzana. Ajo është një botë perëndimore e zbritur në Ballkan me dashuri. Dashuri, të cilën do t’ia marrë kanceri që ka goditur Leonardin e saj. E zorshme, trishtuese, mosbesuese, dyshuese në të njëjtën kohë, kur merr vesh lajmin e keq.
Fjalia dëshirore: – Zjarri e kalltë! – është e pavend… pse kjo nëmë në këtë rast? Çfarë nëme bëka holandezja! Ndoshta i bëjnë nëmat e tilla në Holandë në raste të ngjashme. Por, shpjegimi i narratorit se ajo “vuante nga një psikozë maniakale, me tendenca piromane”(f. 19), sqaron shpejt mëdyshjen e marrësit të etnikumit të tij.

Kriza e përmendur është vetëm një indice për kureshtje të shtuar që ta njohim edhe më këtë personazh. Dhe, njihemi kur lexojmë ditarin e saj së bashku me Leon. Nuk e di nëse e lexojmë a e përcjellim leximin e Leos.

Autori-narrator nuk e ka vënë vetin në rolin e të gjithëdijshmit, dhe ka bërë mirë se letërsia bashkëkohëse nuk e duron një narrator të tillë, prandaj vetëm jep indice, duke i lënë mundësinë personazhit të shprehet vetë, nëse do ai. E Suzana, si perëndimore që është nuk e ka problem të flasë pa fshehur asgjë nga jeta e saj…

Një vajzë e re që jeton me dy prindërit. Babai piktor me emër, ndërsa nëna mjeke. Babai sillet keq. Ndërmarrja e tij për realizim të aktit seksual, është trishtimi i parë për Suzanën. Ajo tashmë shikonte në tablotë e tij konturat e trupit të saj, ndërsa fytyrat e modeleve lavire.

Dita e zjarrit është e domosdoshme për 17vjeçaren. Gjithçka është flakë. Në flakë janë të gjitha tablotë e ateliesë, sikur edhe Luuku, babai i Suzanës.
Atë ditë, Suzana e kupton të vërtetën, ajo nuk e kishte vrarë babanë e saj, por burrin e nënës. Kishte mbajtur njëzet vjet burg. Nga aty psikoza e piromanisë.
Një personazh tjetër i cili sjell krejt një botë tjetër kulturore, atë evroaziatike, është mjeku Levent Altikanoglu. Bota e tij nuk është botë e prapambetur, përkundrazi ka veprime të prapambetjes si në të gjitha shoqëritë edhe në Evropë, bile edhe tej Atlantikut, por mjekësia e shtetit të tij radhitet ndër më të zhvilluarat e botës. Interesimi për Leonardon është një interesim i dyfishtë, një për pacientin, dy për kolegun.

Mobi Casa

Edhe personazhet tjera të këtij romani, që krahasuar me të përmendurit jetojnë më pak në pak fjali, i njohim mirë sepse autori ka ditur t’i individualizojë për veprimet a mosveprimet, për mendimet dhe vendimet që marrin, për dialogët dhe monologët që zhvillojnë.

Koncepti i rikthimit në kohë, nëpërmjet ditarëve, nuk kthen në kohë vetëm tre narratorët e tyre, por të gjithë personazhet që do t’i takojmë në atë rrugëtim qiellor nga Evropa në Japoni, si dhe periudhën kohore sa zgjat konferenca e otorinolaringologëve.

Qenia njerëzore dhe dhembja kolektive

Ekzistimi i qenies njerëzore është dedikuar për veprime dhe mendime nga më të ndryshmet, të atilla çfarë nuk arrijmë t’i paramendojmë shpeshherë. Në roman shkaku kushtëzon pasojën. E këtillë është strukturuar ngjarja në tërësinë e saj. Dhe, si e këtillë ajo del shumë origjinale, shumë reale, edhe artistike patjetër.

Narratori sjell përvojën e luftës kundër vdekjes. Të dy këto kuptime, ia ngritin fuqinë njëra-tjetrës për aq sa nuk ka një epilog. Atëherë kur lexuesi përballet me epilogun, lindin debatet e lodhshme dhe trishtuese. Jo për vdekjen, po për dhembjen. Për dhembjen para dhe pas vdekjes, se procesi i vdekjes tejkalohet natyrshëm, me një rënie në koma.
Dialektika ndihmon mjaftueshëm për trajtimin teorik të dhembjes, edhe si përmbajtje, edhe si proces. Kështu, dhembja individuale është edhe trupore, edhe shpirtërore, ndërsa dhembja kolektive është vetëm shpirtërore. Dhe, mu kjo dhembje, universalizohet dhe merr frymë njerëzore. Ndoshta, kjo është metafizika individuale e dhembjes kolektive. Dhe s’ka si të jetë ndryshe. Në historinë e kancerit, vdekja individuale është dhembje kolektive.

Por, poetika e romanit merr më shumë nga shprehjet e dashurisë, edhe në çastin e përhumbjes së përhershme:
“Në shënimin e fundit me dorën e tharë, që i dridhej, pak para se të binte në komë, për të mos u zgjuar më, shënoi: Mos e harro Japoninë, Suzanë! Në botën tjetër të pres duke kënduar në majën e një kështjelle.
Dhe mbylli sytë përgjithmonë”.

Merr dhe jep njëkohësisht. Merr nga dashuria dhe i dhuron dhembjes. Duke besuar në përtej jetën. Një çështje e pranuar sidomos nga mjekët specialistë. Po, megjithatë, njerëzit e këtillë, të arrirë profesionalisht e intelektualë gjithsesi, duan t’i lënë diçka më shumë jetës. Aq shpërndahet sa mund të befasohesh. Çfarë ngutie në fund të rrugëtimit!

Në roman ngutja është dhembje. E dhembja është poetika e sëmundjes me një histori të papërfunduar. Tjetër është fati i mjekut Leonard Malaj. As ka pirë një cigare duhan, shumë i matur me ndonjë gotë raki. Si ta interpretoj këtë njoftim mjekësor?

Jo, nuk e di. As nuk më duhet të hulumtoj. Mjaftohem me mendimin se vdekja e Leonard Malajt, nuk mund ta mbysë jetën e të tjerëve, pse kështu pastaj, do të vritej jeta kolektive në dobi të vdekjes individuale. Autori e di këtë ndodhje, se si mjek përballet më shpesh se të tjerët me vdekje individuale, por jetët e fituara janë më të shumta, shumë më të shumta.

Gjuha profesionale në funksion të individualizimit të ngjarjes

Romani është ndërtuar nga një gjuhë letrare identifikuese për shfaqjen intelektuale. Në këtë aspekt romani sjell kuptimin poetik që sugjerohet nga natyrshmëria e proceseve reale, mu pse gjuha e përdorur dhe shprehjet në tërësi janë të fushës profesionale, – të otorinolaringologjisë. Për këtë arsye, pasqyrimi besnik i proceseve të sëmundjes vizatohet me fjalë a filmohet me koncepte.

Le të përcjellim një segment të procesit të operimit që realizon dr. Leonardi dhe të bindemi për gjuhën identifikuese të intelektualit dhe profesionistit patjetër:

  • Pincetën anatomike.
  • Hape këtë aspirator se u mbyll.
  • Ekaterin vetmbajtës… ups, nuk po bën mirë. Ma ndërro të lutem.
  • Irrigim. Vazhdojmë me nr. 8.
  • Edhe njëherë frazën diamant.

Vendi i romanit në letërsinë shqipe

Disa elementë të romanit Mos e harro Japoninë, Suzanë, si kategoria e rrëfimit retrospektiv dhe psikologjizmi i personazheve, janë huazuar me mjeshtri nga realizmi evropian, ndërsa saktësitë e detajeve të situatave dhe proceseve nëpër të cilat kalojnë personazhet duke paraqitur gjendjen aktuale të njeriut të sotëm, romanit ia gëzojnë fytyrën moderne.

E vërteta bashkëkohëse e romanit thekson shpërndarjen e sëmundjeve të rënda në botën tonë, e cila po bën përpjekje maksimale që nëpërmjet dijes t’i mund ato. Dashtë Zoti e munden në realitet!

Krejt në fund, uroj që romani të marrë kuptimin e vlerës duke u bërë kërkesë dhe nevojë e shpirtit njerëzor, sipas idesë së M. Solarit për teorinë ekonomike mbi këmbimin e vlerave, nëse do të inkuadrohej në letërsi (I.Rugova, Strategjia e kuptimit, 1986).
Shumë shkurt për autorin jashtë letërsisë

Mjek specialist, otorinolaringolog, Aziz Mustafa, di të të nderojë me kontroll falas në ordinancën private. (Tre vetë ma thanë). Ky është njeriu mjek!
Shumë më shkurt për historikun letrar të autorit
Tri vepra me poezi. Një me tregime. Dhe romani Mos e harro Japoninë, Suzanë! /rajonipress/