UBT

T`i kujtojmë atdhetarët tanë :Esat Ymer Berisha – luftëtari i shquar për Shqipërinë etnike (1913 – u likuidua më 1944)

/ 7 minuta lexim
Uji Dea

Nga Sabile Keçmezi-Basha – Atdhetari i shquar i Gjilanit Esat Berisha u lind më 14 prill, 1913, në qytetin e Gjilanit. Ishte djali i Ymer Berishës dhe nënës Refiqe. Familja Berisha nga Gjilani, qysh nga moti njihej si familje atdhetare dhe dashamir të mëdhenj të arsimit. Babai i Esatit ishte hoxhë dhe njeri shumë i respektuar në qarqet atdhetare, ndërsa nëna e tij merrej me edukimin e fëmijëve dhe ishte një amvise shembullore.

Esati kishte edhe 4 vëllezër dhe një motër, që të gjithë ishin të edukuar me taban kombëtar. Ishte krejt e natyrshme që Esati-fëmijë të vazhdoi shkollimin. Atë e dërguan në shkollën fillore më 1922, të cilën e përfundon më 1926 në qytetin e Gjilanit. Shkollimin e kreu në një shkollë që ishte në gjuhën serbe. Më 1927 regjistrohet në Medresenë e Madhe “Kral Aleksandri” në Shkupit. Më 1935, e përfundon me sukses të shkëlqyeshëm. Dihej se medreseja ishte qerthe e patriotizmit dhe e atdhedashurisë të nxënësve shqiptar. Andaj, aty djaloshi nga Gjilani, Esat Berisha, ishte shumë entuziast dhe sidomos kur dinte se edhe shokët e tij interesoheshin për fatin e Shqipërisë.

Aty shoqërohej me një djalëri që kishin ëndrra të bukura për atdheun e tyre. Më 1935, posa përfundon medresenë, regjistrohet në Fakultetin Juridik, në Universitetin e Beogradit. Kundërshtoi publikisht planin e pushtetit jugosllav për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi. Më 1937, ishte njëri ndër shumë studentë të Kosovës që nënshkroi Proklamatën kundër shpërnguljes së shqiptarëve me dhunë për në Turqi në bazë të marrëveshjes që Jugosllavia e kishte nënshkruar me Turqinë.

Me fillimin e Luftës së Dytë Botërore, përkohësisht Esati i ndërprenë studimet, për ti vazhduar më 1942, duke u regjistruar në Universitetin e Zagrebit. Të cilat edhe

i përfundon një vit më vonë, duke marr diplomën e Fakultetit Juridik, më 1943. Duhet thënë se Esat Berisha ishte avokati i parë në Anamoravë.

E dimë se ai vinte nga një familje atdhetare andaj jo rastësisht, Esati edhe sa ishte në Beograd kishte fillua aktivitetin politik në Lëvizjen e Rinisë Përparimtare të Kosovës, e cila zhvillonte aktivitetin e saj nëpërmes Organizatës “Kosmeti”. Ai nuk qëndroi duarkryq dhe më tërë forcën intelektuale e fizike u angazhua për konsolidimin e shtetit shqiptar dhe për një Shqipëri që përfshinte të gjitha trojet shqiptare.

Esat Berisha së bashku me Mehmet Devajën ishte delegat i Gjilanit në Kuvendin Themelues të Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Në këtë Kuvend u zgjodh edhe anëtar i Komitetit Qendror të Organizatës së Lidhjes së Dytë të Prizrenit, e cila ishte formua me 16-19 shtator 1943, në Prizren. Organizata kishte organin e saj “Lidhja e Prizrenit”, të cilin e botonte Komiteti i Intelektualëve Shqiptarë, i përbërë nga Kudret Kokoshi, Selman Riza, Ibrahim Fehmiu, Durmish Celina etj. Në shkrimet e gazetës u sulmuan: komunistët shqiptarë që u cilësuan si agjentë të Serbisë e të Rusisë; Lëvizja Nacionalçlirimtare në Jugosllavi, sepse luftonte për ruajtjen e kufijve të atij shteti, të caktuara me dhunë e pa marrë parasysh të drejtat e ligjshme të popullit shqiptar; u propagandua Shqipëria etnike dhe domosdoshmëria e luftës për mbrojtjen e saj; u dënua dhuna sistematike e ushtruar në të kaluarën nga pushtuesit serbë e malazez.

Mobi Casa

Po në këtë kohë Esat Berishën e gjejmë edhe si artikull shkrues në gazetat e kohës që dilnin në gjuhën shqipe. Andaj nuk munguan shkrimet e tija as në organin e Lidhjes. Në këtë gazet, Esati, u paraqit me disa shkrime që trajtonte tema të ndryshme si nga jeta kulturore-arsimore gjithashtu edhe nga jeta politike. Thuhej se Esat Berisha ishte sportist i lindur, andaj nuk ishte çudi për qytetaret e Gjilanit, kur në fushën e futbollit e shihnin edhe gjykatësin, e më vonë edhe avokatin Esat Berisha me shokë. Ishte shok e mik me patriot të tjerë të Anamoravës si me Avdullah Preshevën, Xheladin Kurbaliun etj.

Mbështetur në frymën politike të shkrimeve autentike të pjesëmarrësve në Kuvendin themelues, Kuvendi fillimisht kishte zgjedhë kryesin prej 7 vetave, por me miratimin e Statutit ishin caktuar 14 veta. Duhet përmendur që në Kuvend me propozimin e Tahir Zajmit, Kuvendi Themelues kishte proklamua Bashkimin e Kosovës, Dibrës, Tetovës, Strugës, Ulqinit dhe Tuzit me Shqipërinë, si pjesë integrale të saja dhe, kishte kërkua bashkimin edhe të Qarkut të Mitrovicës që i takonte Zonës gjermane të pushtimit.

Ndërsa delegati nga Gjilani Avokati Esat Berisha kishte kërkua nga Kuvendi që të ndërhynte për rishikimin e vijës së demarkacionit me Bullgarin, gjë që nënkuptonte përfshirjen brenda kufijve të Shqipërisë të trevave shqiptare që ndodheshin nën pushtimin bullgar. Sipas shkrimit që e jep gazeta “KOSOVA”, Tetuer 1943, Vitit i III, Nr. 51, 52, 53; Organ i Komitetit Kosovar, thuhej se “Folësi vazhdon tue qamë hallin e Shqiptarëve të mbetur jashtë vijave të tashme të kufijve tue thanë se atyne nuk u njifet, në mos tjetër, as e drejta ma fillestare: ajo e kombësisë shqiptare dhe se, si të tillë, janë bamë objekt marrjeje nëpër kambë. Kërkon, prandaj, ndërhymje energjike për t’i dhanun fund, nji herë e mirë, këtyne mundimeve të vëllazënvet t’onë përtej kufinit. Z. Berisha përfundon tue thanë: “Detyrat që na presin për realizimin evullnetit të të gjithë Shqiptarëve: krijimin e Shqipnisë Ethnike, janë të shumta dhe tepër të rënda. Për të dalë në krye të kësaj pune, ka vetëm nji udhë: të ndjekim porosinë që na ka lanë Bilbili i gjuhës Shqipe, Naim Frashëri: “Punë, punë, natë e ditë, që të shohim pakë dritë!”.

Pas shkarkimit të atdhetarit Bedri Pejanit nga posti i kryetarit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, dhe emërimit të Xhafer Devës, për kryetar të saj, në korrik të vitit 1944, menjëherë fillojnë riorganizimin e Komitetit Qendror të Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Esat Berisha caktohet përgjegjës për dikasterin e transportit.

Pas 17 nëntorit 1944, kur shumica e anëtarëve të Komitetit Qendror të lidhjes së Dytë të Prizrenit vendosën të lëshonin vendin, Esat Berisha iu bashkëngjit grupit të cilët ishin kundër largimit nga Kosova. Duhet theksuar se gati të gjithë ata që ngelën në Kosovë ose ikën për Shqipëri u dënuan me vite marramendëse burgu, por shumica u dënuan me vdekje-pushkatim ose u likuiduan kudo që u ndodhën.

Me zhvillimin e situatës politike në Anamoravë, në dëm të shqiptarëve, popullata për çdo ditë e më tepër ishte e pakënaqur, sidomos kjo manifestohej tek intelektualet e pakët të asaj kohe.

Tek ata, partizanët e Titos e shihnin rrezikun, andaj me 17 dhjetor 1944, ushtaret serbë e arrestojnë Esatin. Më 18 dhjetor 1944 pa kurrfarë procedure gjyqësore e ekzekutojnë, duke i nxjerr nga kraharori organet e brendshme. Kjo torturë fizike, tregojnë të afërmit kishte zgjatur më se tri orë të plota, ata këndonin duke e prerë me thika dhe kënaqeshin, duke e parë se si ai po vuante. Pas kësaj ia vrasin edhe babanë – Ymerin, pa kurrfarë gjyqi, ndërsa vëllain Hamdiun, e dënojnë me burg, fillimisht me pushkatim, pastaj e ndërrojnë vendimin dhe e dënojnë me burg të përjetshëm./rajonipress/