Platforma kriminale e rrënoi ekonominë e Kosovës

/ 10 minuta lexim
Mobi Casa

Njohës të ekonomisë dhe rrethanave politike në vend vlerësojnë se menjëherë pas ardhjes se Hashim Thaçit në postin e kryeministrit, pas zgjedhjeve të 2007-s , menjëherë krijuan dhe dolën me një platformë kriminale, që nga viti 2008, kur u krijuan vrullshëm e furishëm mafio-oligarkët e bizneseve kriminale, të cilët në bashkë-ortakëri me mafiopolitikën e shtrirë e të instaluar në të gjitha pushtetet dhe në të dy nivelet e pushtetit në Kosovë po i sundojnë dhe po kontrollojnë të tri pushtetet në të dyja nivelet e pushteteve.

Analistët ndërkaq pyesin se si u pasuruan vrullshëm mafio-oligarkët e përzgjedhur nga ‘shefi’ i Qeverisë dhe ai i SHIK-ut bashkë me mafio-politikanët e lidhur në krim të organizuar dhe kështu u krijuan edhe familjet e njohura mafioze, e që në realitet këta të fundit janë vetë ata pronarët e mëdhenj – bosët, që vendosin për gjithçka në Kosovë, pra këta janë bosët e shumë bizneseve të dyshimta e të përfolura, por të fuqishme dhe që janë zhvilluar shumë shpejt përmes monopoleve kriminale, përmes privatizimeve tepër të inkriminuara, përmes licencimeve të kundërligjshme, duke përfituar kështu edhe deri në ‘miliarda’ euro për këta 10-11 vjet, natyrisht me mbështetje të pushtetarëve politikë si bashkë-ortakë të tyre dhe me forma të tjera të fshehta në krim të organizuar pa ligj fare. Po ashtu analistët thonë se nëse analizohen të dhënat në Agjencinë për regjistrimin e bizneseve, mund të shihet se kush janë bizneset që u zhvilluan hovshëm nga viti 2008 e deri më sot, si dhe sa ata i rritën pronat dhe bizneset, natyrisht së bashku me politikanët e pushtetarët që nga viti 2008 dhe si nga frika e konfiskimit të gjithë asaj pasurie të paligjshme, në vlera disa miliardëshe, por që ndërkohë i fshehën paratë në parajsa fiskale.

Kështu, sipas analistëve dhe ekspertëve ekonomikë, vërehet shumë qartë se cilat janë bizneset prapa të cilave qëndrojnë politikanët, pra politika e parapolitika kriminale, respektivisht qeveritarët tanë të korruptuar në vend, të këtij 10-vjeçari. Ndaj, sipas analistëve, deri më sot ka mbetur një mister se si arritën këto biznese që lulëzuan për një kohë super të shkurtër, përmes lidhjeve me politikën, parapolitikën dhe nëntokën kriminale, që të futen në çdo fushë të ekonomisë, por duke mos lënë anash as ndikimin e tyre në fushën e mediave, duke kapur të gjitha televizionet dhe shumicën absolute të portaleve që funksionojnë në Kosovë. Së këndejmi, theksojnë analistët, mbetet një mister se përse Prokuroria Speciale po i mbyll sytë para zhvatjes dhe krimit të organizuar, sidomos nga viti 2008 e deri më sot.

Drejtësia jofunksionale favorizon krimin ekonomik

Profesor Muhamet Kelmendi, për gazetën “Kosova Sot”, tha se e tëra kjo ka filluar në kohën e UNMIK-ut, që ka sjellë struktura në krye të shtetit, në gjyqësor dhe në ekzekutiv, persona që kanë qenë në shërbim të regjimeve serbe dhe antishqiptare.”Por edhe me ardhjen e Hashim Thaçit në krye të shtetit, që udhëhiqej nga ai, erdhën po kësi lloj i njerëzve në të gjithë sektorët, si në gjyqësi polici, administratë, nëpër borde e biznese private, duke arritur që t’i kapin të gjithë sektorët me ndikim, që ishin nën dirigjimin dhe ndikimin e z. Hashim Thaçi”, u shpreh ai.”E tëra kjo ka bërë prokuroria mos të jetë funksionale në luftimin e krimit dhe korrupsionit dhe në krijimin e rendit e të sigurisë, duke bërë që policia e shtetit mos të jetë në nivel të duhur, sepse në ballë të policisë ishin emëruar njerëz nga ish-regjimi dhe që ishin të devotshëm ndaj Hashim Thaçit, sikurse edhe me korrupsionin që ekziston nëpër gjykata, ku ka krim dhe korrupsion”, vijoi më tej Kelmendi.”Këta njerëz të Hashim Thaçit e kishin pushtetin në të gjitha poret e jetës, duke bërë që edhe privatizimi të jetë për favore të këtyre firmave, ngase politikanët tanë e kishin një përqindje shumë të madhe dhe kësisoj ata arritën që të pasurohen shumë, andaj sot e kemi klanin ‘Pronto’, klanin si ai i PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe Nismës, por edhe të grupeve të tjera politike dhe që vazhdon deri në ditët e sotme”, vlerësoi ai.

Analisti i ekonomisë, Artan Haziri, për gazetën “Kosova Sot’, tha se prej pavarësisë e këndej filloi një hov i hapjes së bizneseve, sidomos nga pjesëtarët e pushtetit, me emra të personave të tjerë.”Ishin arsyet e shumta, e një ndër to se tani fuqia e pushtetit do të rritet. Kjo u përdor në mënyrën më keqe të mundshme. Mafio-oligarkia e përdori maksimalisht pushtetin. Bizneset këta 10 apo 11 vjet u rritën dhe e keqpërdorën paranë publike maksimalisht. Bizneset që ata i krijuan i fitojnë shumicën e tenderëve nga ministritë dhe puna pastaj kryhet pa kritere”, theksoi ai.”Krijuan monopole dhe e lodhën popullin deri në një masë, ku tani nuk ka fuqi të reagimit. Shikoni protestat në Rumani për korrupsion, me qindra-mijëra protestues. Ku është populli ynë që nuk po reagon për asgjë”, tha Haziri.

Fundamenti

Oportunisti në krye të shtetit Eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, për gazetën “Kosova Sot” tha se që nga paraqitja e parë si drejtor politik i UÇK-së e presidentit aktual Hashim Thaçi e deri më tani, edhe si lider opozitar, po ashtu si kryeministër dhe tani president, ka dhënë shembullin e një oportunisti që oponentët politikë i ka vetëm sa për elektorat, por në praktikë ka treguar që nuk ka vija të kuqe ndaj asnjërës parti apo lideri të caktuar kur është në interes të tij personal.”Profili i presidentit Hashim Thaçi ka dhënë shembullin më të mirë që një politikan që di të notojë në ujërat politike që edhe ardhjen në pushtet në vitin 2007 e ka shfrytëzuar mirë përçarjen e LDK-së dhe ka krijuar raportet me të gjitha bizneset përmes takimeve gjatë fushatës 2007, ku rezultoi edhe si fitues i zgjedhjeve dhe ku u mandatua si kryeministër”, u shpreh ai.”Me ardhjen si kryeministër ai ka krijuar biznese, të cilat e mbajtën në pushtet përmes sponsorimeve të tyre. Mendoj që për oponentët politikë të presidentit aktual profili i presidentit aktual më shumë është fobi për ta, sepse ka krijuar opinionin që lehtë bie në grackën e tij dhe nuk të falë”, ka thënë Kadriaj.”Presidenti aktual aq është oportunist i përkryer që Kosova e pasluftës do të njihet si Kosova e kohës së Hashim Thaçit dhe me gjithë të metat që mund t’i ketë ende është i pazëvendësueshëm si një lojtar politik dhe kjo tregon më së miri që edhe në nivel ndërkombëtar është njeriu më i besueshëm, po ashtu edhe të gjitha lëvizjet në vend që ndodhën me dijen e tij gjithnjë në shërbim të interesave të tij”, shpjegoi ai.

Thaçizmi, instalimi i mafisë

Ndërsa analisti Bislim Aliu thotë për “Kosova Sot” se tashmë po dihet botërisht se menjëherë pas ardhjes së Hashim Thaçit në postin e kryeministrit, pas zgjedhjeve të vitit 2007, u krijua platforma kriminale, që nga viti 2008, duke u krijuar vrullshëm e furishëm mafio-oligarkët, të cilët në bashkë-ortakëri me mafio-politikën e shtrirë në të dyja nivelet e pushtetit në Kosovë, duke i kontrolluar dhe sunduar të tri pushtetet dhe në të dyja nivelet e pushteteve .”Në këtë situatë me të madhe u pasuruan mafiooligarkët e përzgjedhur nga ‘shefi’ i Qeverisë dhe i SHIK-ut, bashkë me mafio-politikanët e lidhur me krim të organizuar dhe kështu u krijuan edhe familjet e njohura mafioze, e që këta të fundit, janë vetë ata pronarët të mëdhenj, bosët, që vendosin për gjithçka në Kosovë, pra bosët e shumë bizneseve të dyshimta e të përfolura dhe të fuqishme, që u zhvilluan shumë shpejt, përmes monopoleve kriminale, përmes privatizimeve tepër të inkriminuara, përmes licencimeve të kundërligjshme, duke përfituar kështu deri në ‘miliarda’ euro për ata 10-11 vjet, natyrisht me mbështetjen e pushtetarëve politikë, si dhe bashkëortakë dhe me forma të tjera të fshehta në krim të organizuar pa kurrfarë ligji”, theksoi Aliu.

Kapot e krimit janë pushtetarët

Ndërsa analisti Dardan Grapci për gazetën “Kosova Sot” thotë se kush janë kapot e të këqijave në Kosovë tashmë ky edhe nuk përbën ndonjë lajm dhe tashmë edhe dihet botërisht se është treshja aktuale e krerëve të shtetit,trinomi ThaçiHaradinaj-Veseli. “Por, e veçanta e këtyre bizneseve që janë të lidhura me kokat e politikës është edhe fakti se ata nga frika e konfiskimit të gjithë asaj pasurie të paligjshme në vlera disa miliardëshe, ndërkohë po i fshehin paratë e tyre të pista që i zhvatën nga populli në parajsat fiskale. Së këndejmi kjo edhe po na tregon qartë se cilat janë bizneset prapa të cilave po qëndrojnë politikanët, pra politika kriminale, respektivisht qeveritarët e korruptuar në këtë 10-vjeçar. Andaj edhe kjo na tregon se si arritën këto biznese që të lulëzojnë për një kohë kaq të shkurtër, përmes lidhjeve me politikën, parapolitikën dhe nëntokën kriminale të futen në çdo fushë të ekonomisë, por duke mos lënë anash as fushën e mediave, duke kapur të gjitha televizionet dhe shumicën e portaleve që funksionojnë në Kosovë”, u shpreh ai. Por, sipas Grapcit, ajo që mbetet një shqetësim është fakti se përse Prokuroria Speciale po i mbyll sytë para zhvatjes dhe krimit të organizuar, sidomos që nga viti 2008 e deri më sot.

Ndërsa analisti tjetër i ekonomisë, Hazbi Kadriu, ekonomist, thotë për “Kosova Sot” se është për keqardhje që në vendin tonë shohim haptazi se shtresa më e pasur në përgjithësi i përket shtresës politike dhe atyre biznesmenëve, të cilët në mënyrë direkte apo edhe indirekte kanë lidhje të ndryshme me pjesën e politikës.”E shohim që disa veç e kanë shfaqur haptazi se i përkasin bizneseve të ndryshme dhe po ashtu janë edhe të kyçur në politikë. Njëra prej arsyeve pa dyshim është edhe mbajtja në nivel e bizneseve dhe pa diskutim që në fushatat zgjedhore të partive tona politike i shohim që shpenzimet janë marramendëse dhe kjo normalisht që edhe dihet se nga kush edhe financohen”, theksoi ai. Sipas tij, një pjesë e bizneseve po shpërblehen me marrje të ndryshme të tenderëve nga ana e Qeverisë e disa të tjerë edhe në forma të tjera të donacioneve e granteve të ndryshme.