Eko Higjiena

Ndahet nga jeta Sabit Zymberi, veteran i madh i arsimit dhe themelues i Radio Gjilanit

/ 6 minuta lexim
Eco Higjiena

Gjilan – Sabit Zymberi, na mungon, por vepra e tij do të jetë e pavdekshme. Ai la vepra për të mos e harruar nga shumë gjenerata të hershme dhe të tashme. I pati hije qëndrimi dhe puna ku punoi. Ishte njeri zë urtak, i këndshme për biseda e rrëfime të tjera, të cilat pa hezitim i tregonte me shumë argumente e fakte të asaj kohe.

Jeta e njeriut është një fluskë sapuni, ka shtuar, S. Spasse. Sa jeton, punon, jep fryte dhe, kur i gëzohesh pak asaj jete, ajo përnjëherë të merr dhe të humb pa gjurmë. Kjo jetë është ajo jeta “tjetër”, vdekja, e cila njerëzit po i merr pa i pyetur në kohën e lodhshme. Nuk ka më e ftofshme se vdekja! Ajo është fundi i jetës së njeriut. Vjen pa adresë dhe pa e pyetur fare… Pa adresë erdhi dhe e mori edhe Sabit Zymberin, një intelektual, veteran i arsimit dhe një themelues i Radio Gjilanit. Jo vetëm kaq.

Sabit Zymberi (1940), ishte qytetar i njohur në Gjilan e më gjerë. Ai pati një moshë mjaft të shtyrë jete. Pati 78 vjet moshë. Edhe këto janë vite të përvuajtura dhe, nganjëherë të këndelljes së një jete të tij. Pse jo? Ai ishte mendjehollë, punëtor i vyer dhe shok e mik i denjë i shokëve dhe familjes. Ishte figurë e njohur në Gjilan. Ai shquhej për fushën e teknikës. Ishte njohës i madh i teknikës. I shkonin shumë sende për dore, të cilat, për te e për të tjerë, ishin inovacione të reja në jetë.

Sabit Zymberi ka qenë punëtor i njohur i arsimit shqip. Ai ka filluar të punojë Gjimnazin e Gjilanit në vitin 1946. Ishte nxënës i klasës së parë. Si sot, kur kemi zhvilluar në bisedë rasti në shtëpinë e tij, që gjendet afër Sahat Kullës së tanishme, ai mi dha këto shënime për gjimnazi e Gjilanit: “Po, shtoi Sabiti, – ky objekt (gjimnazi) ka qenë shkollë administrative, më vonë “kaloi” në shkollë fillore. Ndërtesa e Gjimnazit është djegur dy herë (1976). Kjo ndërtesë ka qenë dy katshe. Më vonë është ngritur edhe kati i tretë. Punët e ndërtimit të katit të tretë i ka udhëhequr Isa Gashi, një arkitekt i përkryer.
Ishte kjo kohë e vitit 1946. Në këtë kohë ka pasur paralele serbe, por nuk kanë qenë të përziera. Mësuesi im i parë im ka qenë Mulla Faiku, hoxhë. Këta i ka sjell Ministria e Arsimit të Shqipërisë në vitin 1941 në Kosovë. Këto kuadro i kanë sjellë për t’i aftësuar qytetarët (hoxhollarët), të cilët kanë qenë të përgatitur për mësim. Këta kanë qenë: Mulla Faiku, Mulla Feridi dhe Mulla Tefiku. Këta te tre më kanë dhënë mësim. Atë kohë ka pasur shumë nxënës. Ka pasur nxënës të moshës 6 gjer në 12-vjeçar në klasën e parë. Bile një Mehmet Zuzaku i ka pasur 10 vjet apo 12 vjet. Në 1946 nuk ka qenë kriter mosha, por secili që ka dashur të vijojë shkollën, është bërë nxënës”, ka shtuar Zymberi, ish nxënës i Gjimnazit.

Sipas Sabit Zymberit, në vitin 1946 ka funksionuar vetëm një paralele me nxënës. Kjo paralele ka pasur përafërsisht 40 apo më tepër nxënës. Shkollën e kanë vijuar pak vajza, si janë: Xhemile Mustafa, Nermine Behxheti e disa të tjera. Në të njëjtën shkollë ka punuar shkolla fillore dhe gjimnazi. Atëkohë, shkolla fillore ka qenë katër vjeçare dhe është quajtur “Bogdani”, ma vonë Gjimnazi i ultë. Nga klasa e parë gjer në pestë ka qenë Gjimnazi i lartë. Vllada Cvetanoviqi ka ardhur vonë drejtor në gjimnaz. Para kësaj kohe, në krye të Gjimnazit ka qenë Llaza Stefanoviqi. Ky ka qenë një çetnik i madh i asaj kohe. Ai ka qenë drejtor i përgjithshëm i Gjimnazit. Sekretar ishte Spira Stoshiq, një figurë jo e mirë për shqiptarët.

Uji Dea

Sabit Zymberi, tash në mungesë, na ka rrëfyer edhe këtë “ngjarje” sa ishte gjallë: “Në gjimnazin e Gjilanit kam punuar dy vjet të plota. Këtu e kam ligjëruar lëndën e Kibernetikës. Një profesor shqiptar i kishte thënë Vlladës, qysh po e pranoni një armik të popullit për t’na edukuar brezin e ri? Ky shqiptar akoma jeton në Gjilan. Vllada i drejtohet këtij shqiptari se, mua më intereson kualiteti i punës, e asgjë tjetër. Unë tha Vllada e njoh më mirë Sabitin se sa ti. Mua po më intereson të jetë i mirë për nxënësit që t’mos mbesin pa mësim.

Pas dy muajve, që dhashë mësim, rreth meje ziheshin keq dhe, shokët e mi, Hysen Latifi me Selman Vokshin profesorë, më morën në ish-Normalen e Gjilanit. U detyrova patjetër ta lëshoj arsimin. Shokët deshën të bëjnë një rezistencë që më përjashtuan nga procesi mësimor. Ika nga Gjimnazi e dola në shkollën Normale, ku punova gjer në vitin 1973”, pati shtuar Sabit Zymberi, një intelektual i merituar jo vetëm i fushës së arsimit, por i jetës së përditshme.

Sabit Zymberi, na mungon, por vepra e tij do të jetë e pavdekshme. Ai la vepra për të mos e harruar nga shumë gjenerata të hershme dhe të tashme. I pati hije qëndrimi dhe puna ku punoi. Ishte njeri zë urtak, i këndshme për biseda e rrëfime të tjera, të cilat pa hezitim i tregonte me shumë argumente e fakte të asaj kohe.

Autori i këtyre radhëve e vizitoi në kohën kur qe i sëmurë në shtrat, më 2 dhjetor të viti 2014. Edhe pse qe i sëmurë, Sabiti dhe motra e tij na pritën në mënyrën më të mirë të mundshme. Kurrë s’do ta harrojmë pritjen e tij. Edhe në ato momente të rënda, ai nuk e ndali bisedën për shkollën dhe punën e tij si teknik. Puna e tij është për çdo lavdëratë. I ka shërbyer shkollës shqipe dhe vendit. Por, edhe pas kësaj, vdekje pa adresë, ai do të kujtohet si shok, mik e veprimtar i madh i asaj kohe. E vdekja, mori atë në moshën 78-vjeçare.

Ishte një figurë e shquar e arsimit dhe themelues i Radio-Gjilanit. Emri i tij nuk do të harrohet, por do të përkujtohet e nderohet./tefik selimi/rajonipress/