RCCOLA

Kuvendarët e Gjilanit miratojnë vendimin për faljen e tatimit në pronë për vitin 2023 deri në vlerën 100 euro

/ 4 minuta lexim
Eco Higjiena

Gjilan – Kuvendi ka miratuar edhe strategjinë komunale për komunikim publik 2023-2027, e cila ka për qëllim të avancojë praktikat dhe kapacitetet komunikuese, llogaridhënien dhe transparencën kundrejt qytetarëve, për të inkurajuar përfshirjen e tyre sa më aktive në proceset vendimmarrëse.

Kuvendi i Komunës së Gjilanit, në mbledhjen e sotme, nën kryesimin e Kushtrim Kadriut, ka miratuar propozim-vendimin për faljen e tatimit në pronë për vitin 2023 për të gjithë tatimpaguesit, deri në lartësinë e faturës, por jo më shumë se njëqind (100) euro, të cilin e paraqiti Krenare Latifi Kqiku (LVV) dhe u përkrah nga të gjithë vendimmarrësit e pranishëm.

Në rast se tatimpaguesi e ka paguar faturën për vitin 2023, shuma e falur i llogaritet si paradhënie për vitin pasues.

Kuvendi ka miratuar edhe strategjinë komunale për komunikim publik 2023-2027, e cila ka për qëllim të avancojë praktikat dhe kapacitetet komunikuese, llogaridhënien dhe transparencën kundrejt qytetarëve, për të inkurajuar përfshirjen e tyre sa më aktive në proceset vendimmarrëse.

Avdyl Aliu (LDK) tha se strategjia është hartuar në bashkëpunim me programin e USAID-it – Kontrata Sociale dhe i ftoi këshilltarët që ta miratojnë atë.

Kuvendarët u njoftuan nga drejtori Bajram Isufi edhe për ndarjen e subvencioneve në bujqësi, për korrje-shirjet si dhe për mbjelljet vjeshtore.

Kuvendi miratoi gjithashtu vendimin për caktimin e normave tatimore për vitin 2024, të cilin e prezantoi Ilmi Limoni nga Drejtoria për Buxhet.

Kuvendi themeloi edhe grupin punues për hartimin e planit vjetor të punës së për vitin 2024, në përbërje prej 9 anëtarësh.

Eco Higjiena

Gjithashtu, Kuvendi formoi një komision, i cili do të kërkojë llogari për shfrytëzimin e mjeteve financiare nga të gjitha organizatat që kanë përfituar subvencione në kulturë, rini e sport për vitet 2022/23/24, që ishte kërkesë e përfaqësuesit të AAK-së, Nazim Gagica.

Ndërkaq propozimi për lirimin e të gjitha bizneseve nga taksa komunale për vitin 2023, me arsyetim se mungon një raport i detajuar, sikurse edhe raporti i Komisionit për dezinsektim dhe ai i komisionit për shqyrtimin e ankesave dhe kërkesave në procesin e emërtimit, me arsyetim se nuk janë të nënshkruara nga anëtarët, janë shtyrë për seancën e radhës.

Po ashtu për shkak të nevojës për sqarime shtesë, për seancën e radhës u shty edhe propozimi për përcaktimin e vlerës së qirasë dhe vlerës në bonuset e banimit në dy programe.

Jashtë rendit të punës, Bujar Nevzati, në emër të grupit të këshilltarëve të PDK-së, ka kërkuar nga Kryetari i Komunës që t`i sistemojë në vendet e tyre punës 19 zyrtarë komunalë, të cilët dolën të pafajshëm në një proces gjyqësor ndaj grupit prej 39 personave, që zgjati 7 vjet.

Ai tha se Drejtoria për Buxhet duhet ti kryej të gjitha obligimet ndaj tyre, sipas ligjit. Zyrtarëve të suspenduar duhet tu kompensohen të gjitha shpenzimet që kanë qenë të detyruar ti bëjnë përgjatë këtij procesi, ku ata ishin akuzuar padrejtësisht, ndërsa familjeve të zyrtarëve të vdekur duhet tu kompensohen pagat dhe t`u mbulohen shpenzimet.

Ndërkaq, një grup i nxënësve, të cilët kanë mbetur pa u regjistruar në shkollën e mesme të Mjekësisë, kërkuan zgjidhje për problemin e tyre, që të mos e humbin vitin, duke nënvizuar se mes tyre ka nxënës të shkëlqyeshëm dhe që kanë pasur pikë të mjaftueshme për pranim.

Kushtrim Kadriu, kryesues i Kuvendit, ka thënë se ne mund të bëjmë vetëm një rekomandim në lidhje me këtë problem, ndërsa është obligim i Drejtorisë së Arsimit që të gjejë një zgjidhje për këtë grup të nxënësve.

Përndryshe, sa i përket ndarjes së bursave, Gentrit Murseli tha se i kanë evidentuar 30 gabime teknike te poentimi dhe këto vërejtje të grupit të këshilltarëve të LDK-së do t`i dërgojnë te komisioni i ankesave./rajonipress/