UBT

Komuna e Gjilanit kërkon bashkimin e lëndëve gjyqësore, Gjykata e refuzon

/ 4 minuta lexim

Gjilan – Përmes zyrës së avokatit Komuna e Gjilanit ka kërkuar nga Gjykata Themelore që për shkak të ekonomizimit të shpenzimeve procedurale dhe efikasitetit në punë të lejoj bashkimin e lëndëve gjyqësore te një gjyqtarë, por kjo kërkesë e Komunës është refuzuar nga Ramiz Azizi me arsyetimin se tashmë lëndët janë sistemuar nëpër gjyqtarë të Gjykatës Themelore.

Janë mbi 1036 lëndë ose paditës që kërkojnë paga jubilare dhe ushqim dhe të gjitha këto lëndë duhet të kalojnë dhe procedohen nëpër dyert e Gjykatës Themelore të Gjilanit.

Duke e parë këtë numër kaq të madh të lëndëve dhe duke u munduar që të ruhet buxheti i taksapaguesve të shtetit, zyra e avokatit të Komunës së Gjilanit i ka kërkuar zyrtarisht Ramiz Azizit si kryetar i Gjykatës që të bëjë bashkimin e lëndëve. “Meqenëse Komuna e Gjilanit është duke u ballafaquar me një numër të madh të padive në procedurë kontestimore lidhur me pagesën e pagave jubilare, shujtës dhe shpenzimeve të udhëtimit të personelit arsimor, kërkojmë nga ju që me qëllim të ekonomizimit të shpenzimeve procedurale dhe efikasitetit në punë si tek ne po ashtu edhe tek ju, të lejoni bashkimin e lëndëve gjyqësore te një gjyqtarë për lëndët të përfaqësuar nga i njëjti avokat ashtu që procedimi dhe zgjidhja e tyre të jetë sa më e shpejt. Shpresojmë që do ta shqyrtoni seriozisht kërkesën tonë, në kohë sa më të shpejtë që është e mundur për arsye se për çdo ditë është i caktuar një numër i madh i lëndëve të kësaj natareje” thuhet në kërkesën zyrtare të Komunës.

Uji Dea

Por përgjigja e Ramiz Azizit është shumë e “ftohtë” dhe shumë e prerë. “Kryetari i Gjykatës pas vlerësimit dhe analizimit të kërkesës suaj vendosi që një kërkesë të tillë të refuzohet si e pabazuar, me arsyetimin se lëndët e paditësve të cekur në listën tuaj veç se janë sistemuar nëpër gjyqtarë të Gjykatës Themelore. Ky sistem nuk lejon që një numër kaq të madh të lëndëve të kësaj natyre të ndahet vetëm te një gjyqtarë të përfaqësuar nga i njëjti avokat, ngase është e pamundur për shkak të volumit të madh të lëndëve dhe këto lëndë veçse kanë marrë numrin unik, andaj këto lëndë janë ndarë në bazë të Rregullores, ku neni 12 i kësaj rregulloreje përcakton mënyrat e krijimit të lëndës dhe caktimin e numrit unik. Numri i lëndës është unik për të gjitha lëmitë dhe të gjitha instancat gjyqësore”.

Tutje Ramiz Azizi ka thënë se përmbajtja e numrit unik të lëndës, viti i pranimit të lëndës, viti kur është pranuar lënda, numri rendor i lëndës, numri gjashtëshifror, numri serik, për çdo fillim viti rifillon nga zero. Numri unik jepet njëherë nga sistemi dhe nuk ndryshohet gjatë tërë jetëgjatësisë së lëndës në sistemin gjyqësor, pavarësisht lëvizjes së lëndës nga një gjykatë në tjetrën. Për çdo lëndë të krijuar në sistem, SMIL krijon numrin unik, për çdo parashtresë e cila krijon rast në Gjykatën Themelore, sistemi krijon lëndën-rastin ka shkruar në përgjigjen e tij Ramiz Azizi./rajonipress/