RCCOLA

Koha e drejtësisë kosovare e më gjerë, para lufte, identifikohet me emrin e Hasan Hotit

/ 6 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Libri më i ri nga Hasan Hotit i titulluar “Gjyqtar dhe avokat në kohë të vështira”, është më shumë se enciklopedi që përfshinë periudhën dhe periudhat e rënda, të vështira, sfiduese dhe më të lavdishmet për shqiptarët, jo vetëm të Kosovës. Është një libër që rrëfen e zbërthen zanafilla, presione, politika të ndryshme, dhunë, luftë psikologjike,raste të shumta të shkeljeve të drejtave të njeriut, prezantime profesionale të dhunës, gjenocidit, e segregacionit që Serbia ka ushtruar në vazhdimësi ndaj intelektualëve, profesorëve, gjykatësve e prokurorëve shqiptar. Libri flet për mbijetesën e guximshme të atyre që kishin guxim e kurajo, të rreshtoheshin përballë një lufte titanike që populli i Kosovës e zhvilloi në raport me një shtet kriminal siç është Serbia. Me të drejtë avokati Shemsedin Pira e ka quajtur Hasan Hotin si njeriun që drejtësia kosovare identifikohet me emrin e tij.

“Mbrojtja e njerëzve të pafajshëm është detyrë e shenjtë dhe me shumë përgjegjësi, por unë kisha fakte dhe dëshmi, dhe mbi bazën e fakteve dhe dëshmive, unë për të mbrojturit e mi të pafajshëm kërkoja: liri, dinjitet, barazi dhe pafajësi. Për fatin e mirë të të njëjtëve, në shumicën e rasteve të gjitha këto kërkesa universale – njerëzore, i kam arritur në vazhdimësi”, kështu ka shkruar në hyrje të librit tek pjesa e falënderimeve avokati i njohur Hasan Hoti, në librin e tij :”Gjyqtar dhe avokat të kohë të vështira”.

Libri i ka hiq më pak se 617 faqe dhe brenda tij ndodhen raste të shumta që i ka përjetuar vet Hasan Hoti, duke filluar nga puna e tij profesionale, në prokurori e gjykatë dhe më pas edhe si avokat.

Libri dëshmon ngjarje, ndodhi, katrahura nga më të ndryshmet dhe përjetime fizike, emocionale dhe pjesë të shumta të proceseve gjyqësore, aktgjykime, presione politike, kërcënime e dhunë kolektive mbi avokatët kosovar gjatë viteve 1989 – 1999.

Avokati Hoti me shumë pedanteri dhe kujtesë e mbamendje profesionale u sjell botës shkencore shqiptare materiale e dëshmi rrëqethëse mbi atë që është përjetuar dhunshëm nga Serbia.

Hoti me shumë krenari ka folur edhe për pjesën sfiduese që Kosova ka arritur të mbijetojë falë solidaritet intelektual dhe guximit e vetëmohimit të pashoq, të një kombi të pathyeshëm që mbijetoi përballë një makinerie vrastare siç ishte Serbia.

E tërë puna e avokatit Hasan Hoti është përcjellur me dëshmi, argumente të shumta që i referohet periudhave të kohës së okupimit, kohës së luftës dhe të pas luftës.

Janë recensentët dhe figura të tjera të rëndësishme që i kanë dhënë fuqi dhe zemër librit të Hasan Hotit.

Në recensionin tij avokati dr. Shesmedin Pira ka thënë fjalët më të mira të mundshme për autorin e librit dhe vet përmbajtjen e tij.

Fundamenti

“Koha e drejtësisë kosovare e më gjerë, para lufte, identifikohet me emrin e autorit të librit mr. Hasan Hoti sepse në kohërat e trazuara 1985/1999 e posaçërisht në vitet 1989/1999, kur pushteti okupues serb kishte lëshuar rrënjë në çdo pore të jetës në Kosovë, me vendosmëri, me pasion dhe me guxim profesional mbrojti klientët e tij para gjykatave të atëhershme në Kosovë dhe jashtë saj” ka shkruar Pira.

Pira ka thënë se me tërë integritetin intelektual, moral, e profesional avokat Hasan Hoti ka luftuar që të drejtën ta vënë në binar të drejtësisë.

“Libri gjyqtar dhe avokat në kohë të vështira” është një libër i rëndësisë së veçantë, i vetëm i këtij lloji për kohën me të rëndë në Kosovë nën okupimin serb. Si njohës i shkëlqyer i të drejtës dhe procedurës penale, falë ndershmërisë dhe guximit profesional të jashtëzakonshëm që kishte, avokat Hasan Hoti ia doli që suksesshëm, si askush tjetër në atë kohë, të mbroj klientët e tij. Në atë kohë krahasuar me kolegët e tjerë gjyqtarë, ndryshim radikal bënte gjyqtari Hasan Hoti me aktgjykimet e tij të shumta liruese ndaj bashkëkombësve të tij shqiptarë, politikisht të akuzuar, e më vonë edhe në cilësi e mbrojtësit të të akuzuarve politikë shqiptarë. Siç del edhe nga ky libër, aktgjykimet e Hasan Hotit, si gjyqtar dhe mbrojtjet e tij si avokat i pavarur, janë brilante, profesionalisht korrekte, mirë të arsyetuara, tërheqëse dhe të kuptueshme për palët” ka shkruar Pira.

Pira gjithashtu ka thënë se ky libër mund t`iu shërbejë gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve dhe të gjithë atyre të cilët në çfarëdo mënyre do të jenë pjesë e sistemit të drejtësisë.

Edhe avokat, Hazër Susuri ka thënë se libri është i karakterit të rëndësisë së posaçme, i vetëm në literaturën penalo – juridike që ka të bëjë me periudhën më të vështirë të punës së avokatëve të pavarur shqiptarë të Kosovës 1989/1999, që trajton autori i mirënjohur kosovar Hasan Hoti, i cili hynë në listën e avokatëve më të mirë në Kosovë dhe më gjerë.

“Libri i Hasan Hotit në të ardhmen do t`ju shërbejë si udhërrëfyes i gjeneratave të ardhshme profesionale se si duhet të veprojë kuadri ynë i gjyqësorit dhe avokat të pavarur” ka shkruar Susuri.

Kurse profesor Fejzullah Hasani ka shkruar se libri:“Avokat dhe gjyqtar në kohë të vështira”, e paraqet përkushtimin e tij për të ushtruar profesionin e avokatit me profesionalizëm dhe etikë profesionale, rreziqet e natyrave të ndryshme duke përfshirë edhe rrezikun e jetës së avokatëve, kur mbronin çështje me natyrë politike, ndërsa të pandehurit ishin shqiptarë.

Kurse vet autori i librit Hasan Hoti ka thënë se gjatë tërë luftës sonë të përbashkët qëllimi i vetëm i imi ishte realizimi i pafajësisë së të mbrojturve të mi, pavarësisht sfidave dhe rrethanave të vështira me të cilat në vazhdimësi ballafaqohesha./rajonipress/