Fundamenti

Jeta

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Poezi nga Anton Marku

Vjenë, 8 dhjetor 2023
JETA

Ajo është ëndërr të cilën e prekim dhomave pa mure
shtrat ku bëjnë gjumin mëkatarë dhe shenjtorë
karrige ku pushon shpirti

Rrugë me shumë emra
dritare e hapur nëpër të cilën hyjnë e dalin çastet
libër të cilit titulli i vihet në kopertinën e pasme

Lum ata
që mbi vijat e saj ecin
me syrin e një të eturi.

SHTIZË

Atdheu im ka nevojë për historira
që të mund të mbijetojë

Nuk është me rëndësi
nëse janë të trilluara apo jo

Kryesorja
të ketë diçka për të rrëfyer
po e pyeti njeri
se kur ka shkelur për herë të parë
në këtë tokë
të spërkatur me legjenda
para se të nisë
numërimi i shekujve.

PËRLOTSHËM

Diçka i tha
se nga ky udhëtim
nuk do të kthehej më

Rrugëve u ra trup
në çdo udhëkryq
hijen e vet e mati me pëllëmbë

Pikave të shiut u ngjit
deri në renë e parë

Aty pa
bijtë e Adamit
që përzunë engjëjt
nga librat e shenjtë

Eco Higjiena

Para syve i doli një tym i bardhë
që nuk e dinte
se në cilin zjarr u dogj

Më asgjë nuk kishte rëndësi
as jeta
as vdekja
as ai.

EXIT

Dola nga vetvetja
dhe pashë
sa pak i ngjante jetës
e deridjeshmja ime

Nisa të dyshoj
nëse në mua ka mbetur ende
edhe pak nga unë

Kur pështymën e hedh
më larg se fjalën
e kohën
e marr nëpër këmbë

E ndjej
sa ngushtë më bien
orët që më kanë mbetur

Mos paftë më ditë
ajo natë.

THIRRJE

Qiell, mos ma zgjat dorën
se ende nuk jam gati për ty

Kur buzët të marrin ngjyrën e kumbullës
do të vij vetë
ngarkuar me asgjënë time

Cullak
ashtu siç më mbolle

Kacavjerrë në ajrin
mes teje e meje.