ARKATANA

Kallëzim penal ndaj ministres Nagavci dhe 10 zyrtarëve të MASHT-it

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Një kallëzim penal është ngritur ndaj ministres së Ministrisë së Arsimit, Arbërie Nagavci, katër zyrtarëve tjerë në këtë ministri, dy mësimdhenësve të lëndës së matematikës dhe Anëtarëve të Komisionit të Ankesave të nëpunësve publikë dhe ankesave tjera në këtë ministri. Sipas kallëzimit penal ata dyshohen se kanë keqpërdorur pozitën apo autoritetin zyrtar.

Kallëzimi penal është ngritur nga Shtëpia Botuese “Luarasi”, duke pretenduar se të akuzuarit kanë tejkaluar kompetencat e tyre duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me qëlim të përfitimit të dobisë pasurore tjetrit dhe duke i shkaktuar dëm Shtëpisë Botuese në fjalë.

Fillimisht Shtëpia Botuese “Luarasi” kishte ngritur kallëzim penal ndaj Fatos Osmanit, këshilltar politik në Kabinetin e Ministres Arbërie Nagavci dhe ndaj Feime Llapashticës, udhëheqëse për planprograme në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHT).

Me plotësimin e kallëzimit penal që është bërë sot, akuzohet edhe Arbërie Nagavci, ministre e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Fadile Dyla, Sekretare e Përgjithshme në MASHT, Valdrin Dervishaj, këshilltar i ministres Nagavci, Habibe Buzuku, kryetare e Këshillit të Ekspertëve për Plan-programe dhe Tekste Shkollore në MASH-t, Fatmir Elezi, nëpunës MASHT dhe Qëndrim Gashi e Shqipe Dobra, që të dy mësimdhënës se matematikes. Gashi si mësimdhënës në Universitetin e Prishtinës, dhe Dobra si mësimdhënëse e lëndës së matematikës.

Që të shtatë të akuzuarit dyshohen se në bashkëpunim dhe ndaras veç e veç kanë vepruar në mënyrë të kundërligjshme duke e dëmtuar Shtëpinë Botuese “Luarasi”.

ARKATANA

“Ministrja e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Tekonlogjisë dhe Inovacionit Arbërie Nagavci, (tutje në tekst MASHTI), sekretarja e përgjithshme e MASHTI-t Fadile Dyla, këshilltari i ministres Valdrin Dervishaj, kryetarja e Këshillit të Ekspertëve për Plan-programe dhe Tekste Shkollore (tutje në tekst KEPTSh) në MASHT, kryesuesi i komisionit “ad-hoc” Fatmir Elezi, anëtari i komisionit “ad-hoc” i cilësuar edhe si ekspert Qëndrim Gashi, anëtarja e komisionit “ad-hoc” Shqipe Dobra dhe anëtarët e Komisionit të Ankesave të nëpunësve publikë dhe ankesave tjera në MASHTI (tutje në tekst KA) – në bashkëpunim dhe ndaras veç e veç, duke vepruar në mënyrë të kundërligjshme dhe konspirative ndaj kallëzuesit – të dëmtuarës Shtëpia Botuese Luarasi (tutje në tekst SHB Luarasi – duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalojnë kompetencat e tyre me qëllim që t’i shkaktojnë dëm SHB Luarasit si dhe duke ia shkelur të drejtat e saj me qëllim të dëmtimit moral dhe material të dëmtuarës SHB Luarasi”, thuhet në kallëzimin penal.

Sipas kallëzimit penal, të dyshuarit, nën udhëheqjen e ministres Nagavci kanë “falsifikuar dokumente zyrtare kanë dizajnuar dokumente, kanë ndërtuar komisione, kanë marrë vendime të kundërligjshme deri në arritjen e qëllimit përfundimtar – “largimit nga përdorimi” i tekstit shkollor Matematika 3, të Shtëpisë Botuese “Luarasi”.

Me këto veprime, palës së dëmtuar i është shkaktuar dëmi në vlerë prej 300 mijë eurove në vit.

“Me veprimet e tyre, të gjithë të pandehurit, nën udhëheqjen e ministres dhe kabinetit të saj, duke keqpërdorur detyrën zyrtare dhe duke falsifikuar dokumente zyrtare kanë dizajnuar dokumente, kanë ndërtuar komisione, kanë marrë vendime të kundërligjshme deri në arritjen e qëllimit përfundimtar – “largimit nga përdorimi” i tekstit shkollor Matematika 3, me çka kallëzuesit i kanë shkaktuar dëm të madh moral dhe dëmin material prej rreth treqind mijë euro (300000 €) në vit. Me këto veprime, Arbërie Nagavci, Fadile Dyla, Valdrin Dervishaj, Habibe Buzuku, Fatmir Elezi, Qëndrim Gashi, Shqipe Dobra dhe anëtarët e KA-së kanë kryer veprën penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, nga neni 414 par. 2 lidhur me par. 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në kallëzimin penal të “Luarasit”.

Ushtruesi i Kallëzimit penal, i ka propozuar Prokurorisë Themelore në Prishtinë që të marrë Aktvendim për fillimin e hetimeve dhe te fillojnë sa me parë hetimet kundër të dyshuarve, të ngritët aktakuza dhe shpallën fajtorë për veprën penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, nga neni 414 par. 2 lidhur me par. 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe Falsifikimi i dokumentit zyrtar, nga neni 427, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.