UBT

T`i kujtojmë atdhetarët tanë: Kadri Zeka luftoi për liri dhe bashkim kombëtar

/ 17 minuta lexim
Uji Dea

Nga Sabile Keçmezi – Basha – (1953- e vranë më 17 janar 1982). Në kohën kur në botë po ndodhnin ndryshime të mëdha, dhe Stalini me gjithë diktaturën e tij iku nga kjo botë, më 25 prill 1953, në fshatin Poliçkë- Malësia e Dardanës (Kamenicë) lindi Kadri Zeka, nga babai Pajazit-Zita dhe nëna Hana Zeka e lindur Berisha, i cili në të ardhmen për UDB-en jugosllave do të paraqiste problem permanent deri në momentin që ta likuidonin. Ata u gabuan se me likuidimin e tij dhe të dy atdhetarëve të tjerë: Jusuf e Bardhosh Gërvalla do të shuhej edhe lëvizja për çlirimin e Kosovës. Vërtet ata- udbashët tre i likuiduan, por në tokën e Kosovës linden e u shtuan nga tre, në treqind, nga treqind në tre mijë e tredhjet mijë atdhetar për tu ngritur një ditë një Kosovë e tërë dhe për tu bë digë në mbrojtjen e vendit nga hordhitë barbare okupuese.

Kadri Zeka lindi në një familje bujare me tradita të lashta patriotike. Andaj edhe pritej se edhe Kadriu do ta vazhdoi rrugën e të parëve. Kadri Zeka ishte një figurë e shquar e lëvizjes ilegale

shqiptare që tërë jetën e vet e shkriu në të mirë të kombit të vet. Tërë jetën, u angazhua për lirin e trojeve shqiptare të cilat pa dashjen e tyre kishin mbetur të copëtuara në tri republika jugosllave dhe të okupuara nga Serbia e ish- Jugosllavia. Prandaj, lufta dhe rezistenca e pandërprerë e tij ishin fati i tij jetësor. Çka është e vërteta, Kadriu jetoi shkurt, por në këtë segment jete jetoi bujshëm dhe punoi shumë për çlirimin e Kosovës.

Heroi kombëtar Kadri Zeka, qysh si fëmijë dallohej për zgjuarsi dhe çiltërsi që e bënin të dallueshëm nga të tjerët. Ishte i përkëdheluri i familjes. Në moshën shtatë vjeçare, e regjistrojnë në klasë të parë në shkollën e fshatit Poliçkë, dhe katër vite të tjera i mbaroi në fshatin Desivojcë. Por, për hir të kushteve më të mira për jetë, më 1968, familja shpërngulet dhe vendoset në Gjilan. Fillimisht Kadriu u regjistrua në Gjimnazin e Kamenicës “9 Maji”. Aty përfundon dy vite të gjimnazit dhe dy vite të tjera i përfundon në gjimnazin “Zenel Hajdini” në Gjilan. (Në gjimnazin e Kamenicës, Kadriu ishte në një klasë dhe paralele me autoren e shkrimit). Sa ishte në Kamenicë, tek nxënësit dhe tek profesorët kishte lënë mbresa të mëdha. Ishte i sjellshëm, i urtë, dhe mbi të gjitha dallohej në mësime. Ishte kureshtar të dinte çdo gjë. Profesorët i “bombardonte” me pyetje të ndryshme, andaj ata edhe “përtonin” të vinin në klasë ngase hezitonin të jepnin përgjigje që ishin të rrezikshme për kohën. Qysh atëherë, Kadriu lexonte literaturë të ndaluar. Bile na sillte edhe neve shokëve të klasës. Me mburrje fliste për Sylë Zarbicën, Muharrem Fejzën e trima të tjerë të kësaj ane. Në semestrin e dytë kaloi në gjimnazin e Gjilanit, ku edhe atje ishte dallua në mësime si dhe në aktivitetet të ndryshme të shkollës. Më 1972 përfundon gjimnazin dhe po të njëjtin vit regjistrohet në Fakultetin Juridik, Dega e Gazetarisë në Prishtinë. Edhe fakultetin e përfundon me sukses por edhe me të madhe merrej me veprimtari ilegale.

Sa ishte në Gjilan njihej me shumë nxënës përparimtar të cilët vinin nga familje patriotike, dhe sikurse ai ishin të pakënaqur me pushtetin dhe kërkonin rrugë për të dal nga okupimi. Që në gjimnaz u njoftua dhe krijoi miqësi me Hydajet Hysenin, ndërsa Nuhi Berishën e kishte djalë daje dhe me të mbante lidhje të vazhdueshme.

Kadri Zeka nuk ishte njeri që i takonte vetëm një vendi apo një krahine, ai iu takonte të gjithëve dhe shoqërohej me të gjithë njerëzit e mirë të këtij nën qielli. Në studime e zgjeroi rrethin e miqve dhe më 1973, Kadri Zeka u bë pjesë e pandashme e organizatës ilegale atdhetare “Grupit Revolucionar të Kosovës”. E cila ishte vazhdimësi e grupeve të mëhershme ilegale patriotike në Kosovë që u formua në vitin 1972. Në aktgjykimet e anëtarëve të grupit nuk thuhet se me cilën datë është formuar organizata. Por, dihet me saktësi se organizata u formua nga patriotë të njohur në jetën ilegale, siç ishin: Kadri Osmani, Binak Ulaj, Xhafer Shatri, Jashar Alijaj, Metë Shatri e më vonë iu bashkuan edhe atdhetar të tjerë siç ishin Mehmet Hajrizi, Kadri Zeka, Hydajet Hyseni, Jakup Krasniqi, Gani Sylaj, Basri Musmurati e shumë të tjerë. Në fillim veprimtaria e këtij grupi ishte e përqendruar në njohjen me të rinjtë, por edhe me të tjerët, që e kuptonin faktin se kjo pjesë e atdheut ishte nën okupim e që ishin të gatshëm të bënin sadopak diçka në të mirë të çështjes kombëtare, në ngritjen e vetëdijes kombëtare, veçanërisht të nxënësve dhe të të rinjve, në shpërndarjen e literaturës ilegale, në shtruarjen dhe arsyetimin e kërkesës publike për përdorimin e

lirë të simboleve kombëtare, sidomos të Flamurit Kombëtar”. Kadri Zeka, fillimisht ishte në një celulë me Rexhep Malën, Hilmi Ramadanin dhe Hydajet Hysenin, që ishte shoku i tij i pandashëm. Në fakt, ky katërsh kishte funksionuar, po ashtu fshehtë, si një bërthamë gjysmë e organizuar, edhe gjatë viteve të mëparshme (1971/1972).

Fillimisht Kadriu ka qenë anëtar i celulës, kurse pas arrestimeve të vitit 1974 dhe 1975 të anëtarëve të Grupit Revolucionar, Kadriu kalon në Komitetin Drejtues (që ishte organi më i lartë i Organizatës), në këtë cilësi ka qenë deri në fund të jetës së tij. Sa ishte në ilegale ai pati shumë pseudonime si: “Korabi”, “Jetoni”, “Iliri”, “Zefi” dhe pseudonimi më i pëlqyer dhe më i njohuri ishte “Zeqa” dhe me këtë emër njihej tek emigrantët. Ndërkohë punon si gazetar në radio Prishtinë, në emisionin që u kushtohej bashkatdhetarëve tanë në mërgim. Kadri Zeka ka qenë shumë i zellshëm në zgjerimin e radhëve dhe për këtë qëllim ka shkuar të punojë e të jetojë një kohë në malësi të Gollakut, mësues në Gmicë të Kamenicës. Ka mbajtur lidhje të rregullta me Rexhep Malën e shokë të tjerë, edhe gjatë qëndrimit të tyre në burg.

Edhe më tej Kadri Zeka vazhdoi të jetë vetvetja, ishte i thjeshtë, i qetë kur duhej të ishte i tillë, vetëtimë kur duhej të shkrepte. Ishte një penë e mirë, por mbi të gjitha ishte shqiptarë dhe atdhetar i madh, lirisht mund të themi se ai ishte i pazëvendësueshmi i kohës. Ishte shkrimtar, publicistë, politikan, diplomat e çka jo tjetër, pra ishte poliedriku i kohës.

Ndërkohë, punon si gazetar në radio Prishtinë dhe “mbulon” punëtorët e “përkohshëm” në mërgim. Ai veç që ishte veprimtar i madh, merrte pjesë edhe në shumë aksione të organizuara dhe të cilat i bënte vet kur i vinte përdorësh. Shumë herë kishte thyer fotografin e Titos, kishte grisur flamujt jugosllav dhe pllakata të ndryshme që i venin pushtetarët. Ai shkruante parulla e trakte të ndryshme kundër sistemit e pushtetit të cilat i shpërndante në qytet e sidomos tek konviktet e studentëve dhe në lagjet e ndryshme ku jetonin pushtetarët. Kadriu s bashku me shok kishte sigurua një shaptilografi në Prishtinë. Më 1974, kishte sjellë nga Zvicra (ku kishte shkuar me pasaportë të falsifikuar) edhe një shaptilograf tjetër më praktik, me të cilin janë shumëzuar traktet e shpërndara në Konviktet e UP-së dhe ato në Preshevë si dhe teknikë tjetër të nevojshme për punë ilegale. Ka marrë pjesë në përpilimin, përgatitjen teknike dhe shpërndarjen e tyre.

Pas gjurmimeve sistematike të UDB-së, aty kah marsi i vitit 1978 zbulohet veprimtaria e tij dhe e Hydajet Hysenit. Fillimisht Kadriu shkon për disa javë në Turqi, por kthehet prapë në Kosovë. Më 15 prill 1978 kidnapohet Hydajet Hyseni në mes të tregut të Prishtinës dhe dërgohet në Lipovicë (Blinajë), në shtëpinë e gjuetarëve dhe merret në pyetje nga funksionarët më të lartë të UDB-së të Kosovës. Të nesërmen e lirojnë gjoja për të reflektuar, por në fakt ata donin që të zbulonin anëtarët e tjerë të organizatës. Të vetëdijshëm se UDB-eja iu kishte rënë në gjurmë, ata marrin një vendim, Kadriu duhet të arratiset dhe të kalon në Zvicër, meqë ai kishte pasaportë, dhe pasi kalon në këtë shtet, ai vendoset në qytetin e Sent Gallen, ku ndihmohet nga anëtarët e Organizatës (Hasan Mala, Kadri Abdullahu etj.), ndërsa Hydajeti kalon në ilegalitet të thellë dhe vazhdon të veprojë fshehtas në Kosovë.

Në Zvicër, Kadriu tregohet shumë aktiv: vë kontakt me organizatat shqiptare në mërgim, krijon lidhje me simpatizantë të çështjes shqiptare në Zvicër e Gjermani dhe mban lidhje të rregullta me përfaqësitë e ambasadave shqiptare që ishin në perëndim. Kadri Zeka në vitin 1980 së bashku me Hydajet Hysenin (këtë vit kishte dalë jashtë për disa muaj) përgatisin artikujt e tyre dhe të shokëve dhe redaktojnë numrat 1 dhe 2 të gazetës “Liria”. Po ashtu përgatit botimin e përmbledhjes me poezi “Këngët e lirisë”, e cila bëri jehonë të madhe si tek bashkatdhetarët në mërgim ashtu dhe në Kosovë, ku leximi i tyre, ani pse dorë pas dore, në prag të demonstratave të vitit 1981 kishte zgjuar entuziazëm të madh në mesin e rinisë studentore. Pastaj përgatiti dhe botoi përmbledhjen me artikuj të shtypit të huaj “Rreth ngjarjeve në Kosovë” si dhe studimin e njohur të Vasa Çubriloviqit “Shpërngulja e shqiptarëve”. Kontribuoi në hartimin dhe shpërndarjen e “Tezave rreth Frontit Popullor për Republikën e Kosovës”. Me përkujdesjen e drejtpërdrejtë të tij, mijëra ekzemplarë të këtyre publikimeve u futën dhe u shpërndanë në Kosovë. Kadri Zeka, edhe pse shumë i ri, ishte një burrë i pjekur që iu imponua mërgatës shqiptare me thjeshtësinë dhe seriozitetin e tij, me kompetencën dhe me vendosmërinë për çdo flijim e sakrificë, vetëm e vetëm për ta zgjidhur njëherë e mirë çështjen shqiptare.

Në fjalimet e tij para mërgimtarëve, Kadri Zeka ishte konkret dhe detyrues. Kështu, vetëm pak ditë pas 1 e 2 prillit të përgjakshëm në Kosovë, në mbështetje të demonstratave të vëllezërve në Kosovë dhe kërkesave të shtruara në to, u organizuan demonstrata gjithandej në qytetet e shteteve perëndimore. Sidomos në demonstratat që ndodhën në Bernë të Zvicrës, Kadriu kishte dhënë një kontribut të madh si në përgatitjen e parullave në gjuhën shqipe dhe atë gjermane, ashtu edhe nëpërmjet fjalimeve që mbante para demonstruesve. Kadri Zeka, në nr. 3 të gazetës “Liria” raportonte se “Më 11 prill u grumbulluan mbi 400 kosovarë në Bernë të Zvicrës dhe me flamuj e parulla të shkruara demonstronin rrugëve të qytetit, duke shprehur solidaritetin e tyre me luftën e vëllezërve dhe të motrave të Kosovës si dhe urrejtjen për gjakpirësit titistë. Më pas, punëtorët u drejtuan në përfaqësi diplomatike në Bernë, ku organizuan një miting protestues në të cilin ngritën zërin e protestës për terrorin e masakrat që po bëjnë ushtria e policia fashiste në Kosovë”.

Pas sulmeve të egra në kullën e Nebih e Tahir Mehës më 13 maj 1981, Kadriu shkruan se “Këto ditë në Prekaz u ringjall Ahmet Delia dhe u tregoi udbashëve se kur t’ia rrethosh shqiptarit shtëpinë, ai e ka zakon të të pres me grykën e pushkës”. Ose, për të dëshmuar për disfatën e tyre që po i priste pushtetarët jugosllav para forcës së popullit liridashës, Kadriu shkruante shpesh në gazetën “LIRIA”, se lufta e popullit tonë është e drejtë dhe do të triumfojë, duke vazhduar se shumë armiq janë munduar ta robërojnë dhe ta zhdukin popullin tonë, por, të gjithë janë mbuluar vetëm me turp, kurse populli ynë ka mbetur gjithnjë i lavdishëm e heroik në luftën e tij për liri…”

Ndoshta, duhet thënë se ekziston mundësia që Kadri Zeka me vëllezërit Gërvalla njiheshin më herët, por e sigurt është se demonstrate e 11 prillit 1981, që mbahen në Bern të Zvicrës janë të parat ku Kadri Zeka dhe vëllezërit Gërvalla paraqiten publikisht s bashku për çështjen e Kosovës.

Mobi Casa

Kadri Zeka, Jusuf e Bardhosh Gërvalla- sipas të dhënave që na i ofron Lulzim Hetemi, thuhej se ishin organizatorët kryesorë të 8 demonstratave të më pastajme dhe të dhjetëra tubimeve me punëtorët gjatë vitit 1981, të cilat tundën sheshet e Evropës. Bazuar në informatën e hartuar nga Kadri Zeka për gazetën “Liria”, Nr.3, 1981, demonstratën e Bernës e pason ajo e Cyrihut të Zvicrës, që u zhvillua më 18 prill, e në të cilën morën pjesë mbi 700 punëtorë kosovarë, ndërkaq që më vonë demonstrata të tilla organizohen edhe në Shtutgart (më 25 prill 1981) e Dyseldorf të Gjermanisë Perëndimore, më 9 maj. Gjithnjë sipas kësaj informate, në të parën ishin të pranishëm mbi 500 manifestues, ndërsa në të dytën mbi 800 veta.

Kadri Zeka kishte edhe një dhunti natyrore, të cilën e bënte të pakrahasueshëm me të tjerët. Ai kishte dell për oratori dhe mbante fjalime të flakta para bashkëkombëseve të vet. Gjatë fjalimeve ishte optimist dhe masës i epte zemër për të vazhduar pa u trembur në qëllimet e tija. Fjalimet e tij ishin të përshkuara me një entuziazëm e frymëzim të veçantë, fjalët e tij kishin në brendinë e tyre dashuri për popullin dhe atdheun e robëruar, dhe po ashtu nga sytë e tij delte urrejtja dhe këmbëngulësia për ta luftuar armikun. Shpesh iu drejtohej atyre me këto fjalë: Prandaj sot, për çdo shqiptar patriot, vihet si detyrë e parë që të ngulitet fortë në vendin e vet, pavarësisht nga sakrificat e vuajtjet, të luftoi për liri dhe bashkim kombëtar

Masa e elektrizuar e hetonte urrejtjen ndaj armikut dhe dashurin për Kosovën, në zërin e tij, andaj tubimet ku merrte pjesë ai përcilleshin me vëmendje, duartrokitje e brohoritje të fuqishme duke thirrur “Kosova Republikë”, “Kosova Republikë”.

Në “Letrën e hapur” drejtuar bashkatdhetarëve, ai shkruante që të përkrahet nga ana e tyre më fuqishëm dhe të ndihmohej realizimi i kërkesave të drejta të popullit tonë- për liri dhe Republikë- të shtruara në demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, të cilat ishin: – Mos lejoni që të humbni gjuhën, kulturën e traditat tona të mira,

-Të luftoni pareshtur e me të gjitha forcat derisa të realizohen të gjitha të drejtat e popullit tonë;

-Të zbuloni dhe të demaskoni pamëshirë ata elementë të shitur që bëjnë punën e armikut, që mbjellin panik e konfuzion në radhët tuaja;

-Të sabotoni ato të ashtuquajtura “klube jugosllave të punëtorëve”, që janë shndërruar në çerdhe të rrezikshme antishqiptare, e në vend të tyre të formoni klube e shoqëri tuajat, të pavarura kulturore, artistike e sportive;

Në Zvicër, Kadriu tregohet shumë aktiv: vë kontakt me organizatat shqiptare në mërgim, krijon lidhje me simpatizantë dhe veprimtar të çështjes shqiptare në Zvicër, Gjermani e gjetiu dhe mban lidhje të rregullta me përfaqësitë e Ambasadave të Shqipërisë jashtë shtetit.

Fillimisht në Zvicër dhe në Evropën Perëndimore, Kadriu e gjen mërgatën të shkapërderdhur në grupe të ndryshme që vepronin për çështjen e lirisë së Kosovës dhe pjesëve tjera që ishin okupuar nga Jugosllavia titiste.

Njohja dhe bashkëpunimi i Kadriut me vëllezërit Gërvalla, ai gjen shokët e idealit, të luftës e të përpjekjeve. Ata rreth një viti do të veprojnë bashkë. Përkundër intrigave të UDB-së, ata nuk do të përçahen, por do të punojnë për fuqizimin e Lëvizjes për Pavarësi dhe për krijimin, përmes veprimeve të përditshme, të një organizate të

vetme në shkallë kombëtare; të strukturuar dhe të përgatitur për t’u përballë me kërkesat dhe sfidat e kohës.

Por, duhet mos harruar se te kjo mërgatë Kadriu gjen edhe shume të tjerë që kishin mentalitetin e “Kunta Kintës” (mentalitetin e robit) dhe bashkëpunonin me spiunët jugosllav e që në realitet nuk ishin të paktë.

Kadriu me shokë morën me përkushtim të madh punën e bashkimit të grupeve që edhe ia arritën që ti bëjnë shqiptarët të flasin nga një qendër. Duke njohur aktivitetin e tij politik dhe sidomos atdhetar të tij dhe të tjerëve, ata ishin një brez si dhe ata paraardhësit e tyre që nuk punonin për të hyrë në histori, por për të ndryshuar historinë, respektivisht për të bërë historinë e re. Në të vërtetë kështu edhe ndodhi, ata e bënë historinë jo duke u ngritur mbi te, por duke hyrë brenda saj, si bartës moral dhe historik të saj.

Më 2 janari 1982, Kadriu martohet me shoqen e idealit, Saime Isufin, po ashtu nga Gjilani. Edhe Saimja ishte veprimtare e dalluar e çështjes kombëtare shqiptare dhe në ilegale njihej me pseudonimin “Bula”. Vetëm 15 ditë zgjati muaji i mjaltit i bashkëshortëve Zeka- Isufi, vetëm 15 ditë zgjati martesa e tyre e lumtur ngase udbashët kriminel i ndërprenë jetën me rafalë tinëzare në natën e zezë fut në fshatin Untergrupenbah afër Shtutgartit të Gjermanisë, s bashku me vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvallës.

Andaj, duhet shtuar se në këtë aspekt mund të formulohet vazhdimësia e konceptit të brezit të “nacionalizmes” që e bënte Lëvizja atdhetare e dalë nga Lufta e Dytë Botërore dhe konceptit të brezit të “nacionalizmës” ilegale të organizuar në grupet ilegale duke u nisur nga të gjitha organizatat që u formuan dhe vepruan që nga viti 1945 e duke ardhur deri tek lufta e vitit 1999, që filluan djemtë e vashat më të mirë të kombit. Pikërisht, ky organizim dhe kjo luftë e guximshme e tmerroi dhe e pengonte Jugosllavinë dhe UDB-ën jugosllave në qëllimet e errëta të tyre, andaj edhe morën për obligim “patriotik jugosllav” me i likuiduar Kadriun, Jusufin e Bardhoshin. Për likuidimin e tyre u bë, u zhvillua dhe u konstruktua një rrjet i gjerë agjentësh jugosllav të cilët i përcillnin, i përgjonin dhe i përcillnin informacionet tek UDB-eja jugosllave. Qëllimi u arrit pikërisht më 17 janar 1982, ku vriten në afërsi të Shtutgartit në Gjermani Kadri Zeka, Jusuf e Bardhosh Gërvallën./rajonipress/