Mobi Casa

Atdhetari, Hysen Tërpeza, në luftë për liri deri në çlirimin e atdheut

/ 5 minuta lexim

Nga Sami Arifi – Hysen Tërpeza u lind në fshatin Tërpezë të komunës së Vitisë në vitin 1910, ai në kohën e Luftës së Dytë Botërore (LDB) ishte kryetar i komunës në Pozheran. Atdhetari Hysen Tërpeza doli në male, me pushkë në dorë, duke organizuar luftëtarë dhe patriotë për rezistencë të armatosur kundër armiqve.

Hysen Tërpeza (1910-2002)

Atdheu kërkonte patriotët, me dije dhe pushkë në dorë, në luftë kundër okupataorit që shqiptarët të jenë tok së bashku për çlirimin e tokave stërgjyshore. Ramadan Agushi dhe Destan Budrika kishin shkuar në odën e Hysen Tërpezës më 10 shtator të vitit 1943, në odë përveç bashkëfshatarëve të Tërpezës ishin: Mulla Xhemë Sllatina-kryetar i Komunës së Sllatinës, Zeqir Agë Sllatina, Hamdi Kurteshi, Musli Pira dhe Bejtë Alidema nga Pozherani, Ramiz dhe Murtez Begunca, Rexhep e Mustafë Kabashi, Hasan Remniku, Hajriz Kajolli, Zenel Lipovica e Ukë Dobërjanca nga Sllakovci… Në një mënyrë festonin fitoret dhe bëheshin përgatitjet për çlirimin e territoreve shqiptare që gjendeshin ende nën pushtimin bullgar.

Ramadani i përcjelli, në këtë tubim, përshëndetjet dhe porositë e Ramiz Cernicës me pak fjalë:
Një luftë kundër armikut përfundoi me fitore, ne presim edhe shumë fitore tjera, të cilat duhet t’i fitojmë e të kryejmë amanetin e të parëve tanë. Ta çlirojmë atdheun, e ta krijojmë Shqipërinë shtet të të gjithë shqiptarëve. (Marrë nga libri i autorit Adem Murati, Ramadan Agushi-Veprimtar…,fq,86, 158. Po aty).

Të nesërmen Hysen Tërpeza kishte mbajtur një takim në Pozheran me pjesëmarrës të Komunës së Pozheranit dhe të Komunës së Sllatinës me kryetarin Mulla Xhemë Arifi (Sllatina).

Uji Dea

Përgatitjet bëheshin, si të veprohet, sepse në Shqipëri ishin krijuar vështirësi dhe pothuajse kishte ardhur deri te lufta qytetare në mes forcave majtiste dhe djathtiste që krijonin rrethana humbëse për popullin shqiptar… Hysen Tërpeza dhe Mulla Xhmë Sllatina, dy kryetarët, njeri i komunës së Pozheranit, tjetri i komunës së Sllatinës, ftuan një takim me të gjithë kryetarët e komunave, dhe krerët e tyre, takimi u caktua të mbahet në Komunën e Sllatinës.

Në këtë takimi ishte i zëshëm Hysen Tërpeza ku në mes tjerash thoshte: ”Ne kemi vendosur t’i dalim zot këtij populli, e këtij vendi, kthim mbrapa nuk ka, lirinë nuk na e falë askush, por duhet ta fitojmë vetë, kush dëshiron të vij me neve le të vij. Neve nuk na intereson kush çka është, partizan apo komunist, ballist apo demokrat, ai që lufton për çlirimin e Shqipërisë, ne me te jemi, atë e kemi shok, mik e vëlla. Ata që na pengojnë në këtë drejtim, ata i kemi armiq dhe do t’ua kthejmë pushkën. Të mos ftofemi se nëse jemi tok në një front, s’ka forcë që na pengon për ta fituar lirinë e Shqipërisë”. (Muhamet Pirraku, Adem Guta…Prishtinë,2008. Fq,188).

Hysen Tërpeza, në fshatin e lindjes së tij, me 01 dhjetor të vitit 1944 në Tërpezë u formua Shtabi Suprem i Ushtrisë Shqiptare (SHSUSH) për çlirimin e Kosovës, komandant i këtij Shtabi u zgjodh Adem Gllavica, ndërsa zëvendëskomandant Qazim Llugaxhia, kurse anëtar u zgjodh edhe Hysen Tërpeza. Sulmi për çlirimin e Ferizajt ishte aksioni i par që mori SHSUSH më 02 dhjetor të vitit 1944. Roli udhëheqës i atdhetarit Hysen Tërpeza ishte i madh. Në malet e Zhegovcit më 15 gusht të vitit 1945 bëhet riorganizimi i Shtabit, ku, në këtë riorganizim atdhetari Hysen Tërpeza zgjedhet komandant i Shtabit Suprem, ndërsa anëtarë u zgjodhën Adem Gllavica, Qazim Llugaxhia, prof. Ibrahim Kelmendi, Luan Gashi e të tjerë. Në Këtë Shtab u formuan pesë batalione me Komandantë: Hasan Kabashin nga Vitia, kapiten Bajrush Xhakli nga Kishnapola, Rexhep Okllapi nga Okllapi i Lypjanit, Shaban Haliti nga fshati Dramjak i Ferizajt dhe Din Hoxha nga Kaçaniku i Vjetër.

Hysen Tërpeza me aksionet e tij për çështjen e atdheut ishte i pandalshëm, ai ishte pjesëmarrës edhe në Kongresin e Kopilaçës, i cili u mbajt më 15-të dhe 16-të gusht të vitit 1945. Fuqitë e Mëdha tashmë kishin caktuar zonat e interesit të tyre, Shqipëria kishte mbetur në zonën me sistemin e bllokut rus, po ashtu trojet e pushtuara shqiptare ishin mbetur nën robërinë jugosllave në sistemin e bllokut rus, ishin vështirësuar kushtet për të qëndruar në male, prandaj Hysen Tërpeza së bashku me udhëheqjen politike dhe ushtarake në muajin nëntor të vitit 1945 kalojnë në Greqi.

Atdhetari Hysen Tërpeza së bashku me Ibrahim Kelmendin, Hasan Kabashin dhe me qindra luftëtar ia kishin mësyer Greqisë dhe prej andej të vendosen për në vende tjera. Hyseni nga Greqia u bartë në Amerikë, ku nga aty e vazhdoi aktivitetin patriokik. Atdhetarët tanë në SHBA riformojnë Lidhjen e Dytë të Prizrenit me në krye Xhafer Devën dhe me Hysen Tërpezën nënkryetar. Atdhetari Hysen Tërpeza pas çlirimit të atdheut të tij kthehet në Kosovë, ai ndërrojë jetë më 23 qershor 2002 dhe u varros në vendlindjen e tij, në fshatin Tërpezë, me nderime të mëdha. Lavdi jetës dhe veprës së atdhetarit të madh Hysen Tërpezës!/rajonipress/