RCCOLA

Thaçi pa premtime për të varfrit

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Familjet me asistencë sociale, që në Kosovë janë me mijëra sosh, nuk gëzojnë përkrahje të mjaftueshme institucionale. Derisa standardi jetësor çdo ditë e më shumë po rritet, e po ashtu po rriten dhe pagat për sektorin publik, kjo kategori ka mbetur jashtë premtimeve edhe të kryeministrit Thaçi.

Përveç asistencës sociale që marrin dhe një pjesë të pagesës për energji elektrike, ata nuk gëzojnë as dhe një benificion tjetër. Familjet me asistencë sociale vazhdojnë të marrin ndihmë nga 40 deri në 80 euro, por nuk janë liruar nga pagesa e ujit, ashtu siç është bërë me rrymën.

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) thotë se Ligji për Skemën e Asistencës Sociale nuk parasheh heqjen e këtyre shërbimeve për shfrytëzuesit e ndihmave sociale, përveç pagesës prej 400KW/h të energjisë elektrike.

Me gjithë kërkesën, që kësaj kategorie t’i paguhet të paktën edhe uji, një gjë e tillë tash e sa vite nuk ka ndodhur.

Zyrtarë të Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, thonë se borxhi i familjeve me asistencë sociale, është mjaft i lartë dhe se për kaq vite, nuk është paguar as dhe një cent nga familjet.

Drejtori i Financave në Ujësjellësin “Prishtina”, Selatin Retkoceri, thotë për KosovaPress se borxhi total që familjet me asistencë sociale, i kanë ujësjellësit “Prishtina”, arrin shumën mbi 10 milionë euro, e që së bashku me borxhin e familjeve të invalidëve të luftës, sillet nga 12 deri në 15 milionë euro, që i bie të jetë 25 apo 30 për qind të borxhit total që konsumatorët i kanë Ujësjellësit “Prishtina”.

“Rastet sociale nuk paguajnë. Për fat keq në numrin e përgjithshëm të gjithë konsumatorëve që i ka kompania jonë, diku rreth 15 për qind janë raste sociale, që asnjëherë nuk kanë paguar për kompaninë, apo borxhin e tyre që e kanë ndaj ujësjellësit. Borxhi total i atyre rasteve është 10 milionë e 452 mijë euro i rasteve sociale të cilët janë në evidencën e MPMS-së, apo gëzojnë ndonjë të drejtë në marrjen e ndonjë kompensimi nga MMPS. Si dhe është lista e invalidëve të luftës që është diku 4 mijë persona, apo familjar të cilët nuk paguajnë. Do me thanë 14 mijë konsumatorë i kemi në liste, i mbajmë në listë, i ngarkojmë me shpenzim të ujit dhe nuk kanë paguar dhe nuk mund të paguajnë asnjëherë për ujësjellësin. Problemi i madh qëndron që këto familje përveç që nuk paguajnë, janë shpenzues bukur të mëdhenj”, thotë Retkoceri.

Ndërsa, me gjithë kërkesën e Ujësjellësit “Prishtina” që i ka bërë ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Ministrisë së Financave për arritjen e një marrëveshje për pagesë për këto raste, ende s’ka asnjë përgjigje.

Uji Dea

Retkoceri thotë se këto dy institucione asnjëherë nuk i janë përgjigjur kërkesave të tyre dhe se ata nuk kanë hasur në mirëkuptim nga ana e institucioneve në fjalë.

“Për fat të keq nuk ka paguar apo nuk na është përgjigjur në kërkesat tona të vazhdueshme që kemi pasur me shkrim dhe biseda gojore që të bëjë diçka Ministria së paku të paguaj një pjesë. Nuk kemi kërkuar ne të paguajë tërë sasinë e borxhit të krijuar, por të caktohet një përqindje apo një vlerë e caktuar, 10 euro për kokë të familjes të paguhet në muaj por nuk kemi gjetur mirëkuptim dhe MPMS dhe MF nuk ka ndarë as buxhet fare për këtë çështje. Mendoj se kishte me qenë mirë apo me e rëndësishme është pagesa e ujit se sa ajo e rrymës në këto momente. Do të kërkojmë në vazhdimësi. Asnjëherë nuk kanë munguar kërkesat tona për të paguar ministria. Por nuk kemi gjetur mirëkuptim. Dhe si duket edhe ky vit, viti 2014 do të shkojë në formën e njëjtë si kanë kaluar vitet tjera, pa na u përgjigjur pozitivisht”, thotë ai.

Por zyrtarë të ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale pohojnë se Ligji për Skemën e Asistencës Sociale nuk parasheh heqjen e këtyre shërbimeve për shfrytëzuesit e ndihmave sociale.

Behgjet Gaxhiqi, zëdhënës i MPMS ka pohuar se ata bëjnë pagesë për rrymën për të gjitha ato familje me asistencë sociale deri në 400 KË/h, por se ligji nuk parasheh heqjen e shpenzimeve tjera siç është uji.

“Ligji për Skemën e Asistencës Sociale nuk parasheh heqjen e këtyre shërbimeve për shfrytëzuesit e ndihmave sociale. Sa i përket pagesës së 400KË/h të energjisë elektrike, kjo kryhet konform marrëveshjeve-memorandumeve të mirëkuptimit të përvitshme të arritura në mes MPMS, MF dhe KEK-ut për shfrytëzuesit e ndihmave sociale dhe për të gjitha kategoritë e dala nga lufta”, tha ai.

Ndërsa, Muharrem Uka, i cili tash e sa vite jeton me asistencë sociale së bashku me pesë anëtarët e familjes së tij, thotë se jeta për të është tejet e vështirë. Ai thotë se i ka shumë borxh ujësjellësit, pasi që nuk arrin ta paguajë këtë borxh, si pasojë e kushteve të rënda ekonomike në të cilat jeton ai dhe familja e tij.

“Ishte dashur me na i pagu, por s’na paguajnë…Nuk na paguajnë ujin, ishte dashur me na pagu, por se paguajnë. Është shumë e vështirë, tepër e vështirë…”, thotë ai.

Ndryshe, në Kosovë janë rreth 31 mijë familje me 148 mijë anëtarë që marrin ndihmë sociale prej 40 deri në 80 euro në muaj.