Konfirmohet aktakuza ndaj Agron Mustafës, ngarkohet se i shkaktoi dëm afër 7 milionë euro Telekomit

/ 6 minuta lexim
Fundamenti

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka konfirmuar aktakuzën ndaj ish-kryeshefit të Telekomit, Agron Mustafa për rastin “PAYKOS”, e që dëmi i pretenduar ndaj Telekomit pretendohet të jetë afër 7 milionë euro.

Mustafa ngarkohet se ka kryer veprën penale “Lidhja e kontratës së dëmshme”.Në vendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, i cili rezulton të jetë marrë më 5 mars 2024, thuhet Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesën për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave të paraqitur nga mbrojtësi i Mustafës, avokati Driton Muharremi.

Avokati Muharremi kishte kërkuar që aktakuza të hudhet me pretendimin se nuk e plotëson as standardin minimal të dyshimit të bazuar se i pandehurit Mustafa ka kryer veprën penale që i vihet në barrë, si dhe provat që gjenden në shkresat e lëndës nuk provojnë që i njëjti ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

Pretendim tjetër i mbrojtjes është edhe aktvendimi për pezullimin hetimeve, që sipas mbrojtjes është marrë në mënyrë të kundërligjshme për shkak që lëndën Prokuroria e dërguar në Shqipëri me qëllim që ta ndalojë parashkrimin absolut dhe arsyet për të cilat janë pezulluar hetimet nuk kanë të bëjnë me rastet të cilat e lejojnë pezullimin sipas KPPRK-së.

Mbrojtja po ashtu ka kundërshtuar edhe super-ekspertizën, me pretendimin se Prokurori i Shtetit në lidhje me angazhimin e ekspertëve jashtë vendit, ka vepruar në kundërshtim me nenin 9 dhe 10 të Ligjit për Ekspertë Gjyqësor.

Kërkesën për kundërshtim të provave dhe hudhje të aktakuzës, kjo gjykatë e ka refuzuar si të pabazuar, me arsyetimin se aktakuza si e tillë është përpiluar në pajtim me nenin 235, paragrafi 1 të KPPRK-së si dhe e njëjta nuk përmban të meta të atilla që pamundësojnë vazhdimin e procedurës penale dhe se përmban të gjitha elementet e nevojshme që të mund të procedohet tutje.“…njëherit mbështetet në prova thelbësisht të mbështetshme dhe të marra konform dispozitave ligjore dhe se nuk ka vend për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave ashtu siç pretendohet nga mbrojtësi i të pandehurit se provat që gjenden në shkresat e lëndës nuk provojnë që i njëjti ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet dhe janë në kundërshtim me rregullat e kapitullit XVII të KPPRK-së”, thuhet tutje në vendimin e gjykatës.

Në lidhje me pretendimin që super-ekspertiza e dërguar në Shqipëri ka pasur për qëllim që ta ndalojë parashkrimin absolut, gjykata ka gjetur se pezullimi i tillë është bërë konfrom nenit 155 të KPPRK-së dhe nuk lëshohet në qëllimet e hetuesisë.Ndërkaq, sa i përket pretendimit se Prokurori i Shtetit në lidhje me angazhimin e ekspertëve jashtë vendit ka vepruar kundërligjshëm, sipas kësaj gjykate në kohën kur Prokuroria ka bërë angazhimin e ekspertëve jashtë vendit gjegjësisht të Shqipërisë, ligji i sipërpërmendur (Ligji për Ekspertë Gjyqësor) nuk ka qenë në fuqi, ashtu që deri në muajin gusht të vitit 2023 në fuqi ka qenë rregullorja për Procedurën e Certifikimit, Emërimit, Kushtet, Të Drejtat, Detyrimet dhe Shpërblimin e Ekspertëve Gjyqësor e miratuar nga KGJK, ku e njëjta nuk ka rregulluar çështjen sipas pretendimeve të mbrojtjes.

UBT

Sipas këtij vendimi, gjykata ka konstatuar se për t’u vërtetuar fajësia apo pafajësia e të pandehurit Mustafa, duhet të shkohet në shqyrtim gjyqësor, andaj edhe vlerëson se në këtë fazë të procedurës të gjitha këto pretendime të mbrojtjes janë të pabazuara.

Ndryshe, për këtë çështje penale kjo gjykatë më 9 janar 2024 ka mbajtur seancën fillestare në të cilën i pandehuri Mustafa ishte deklaruar i pafajshëm për veprën penale për të cilën akuzohet.“Betimi për Drejtësi” ka siguruar edhe aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, e cila rezulton të jetë përpiluar më 3 maj 2023.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Mustafa në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të Telekomit të Kosovës SH.A në Prishtinë, më 16 mars 2015 e në vazhdimësi me dije ka vepruar në dëm të PTK-së, ashtu që fillimisht ka lidhur kontratë – marrëveshje me Paykos L.L.C ku operatori ekonomik luan rolin e ndërmjetësuesit/distributorit të shitjes tek pala e tretë për shitjen e produkteve kryesisht mbushje elektronike dhe kode të gjeneruara elektronike për kartela gërvishtëse, çmimet e produkteve dhe shërbimeve kanë përfshirë edhe TVSH-në, ku provizioni total i shitjes ishte 9.7% të transaksionit.

Tutje, akti akuzues thotë se i akuzuari Mustafa me dashje dhe me qëllim që t’i shkaktojë dëm material Ndërmarrjes Publike “Telekomi i Kosovës”, ka nënshkruar vazhdimisht ankese shtesë ku secili lloj i provizionit që do të paguhet ndaj operatorit ekonomik i është shtuar përqindja në TVSH, duke e favorizuar kështu Paykosin në njërën anë e në anën tjetër e ka dëmtuar Telekomin e Kosovës.

Sipas akuzës, të dëmshme janë vlersuar Aneksi II, III, V dhe VI, Memorandumi i vitit 2016 dhe Marrëveshja komerciale-bashkëpunimi-ofrimin e shërbimeve për lojë shpërblyese.

Me lidhjen e këtyre ankeseve-marrëveshjeve, akuza thotë se i akuzuari Mustafa me dije ka vepruar në dëm të ndërmarrjes që vazhdimisht i ka ndryshuar kushtet e kontratës në disfavor të ndërmarrjes që ka përfaqësuar, në vend që t’i mbrojë interesat e saj, ashtu që i njëjti me dashje i ka shkaktuar dëm në shkallë të madhe Telekomit të Kosovës, dhe atë në vlerë prej 6 milionë e 796 mijë e 732 euro.Me këto veprime, Mustafa akuzohet se ka kryer veprën penale “Lidhja e kontratës së dëmshme”, nga neni 291, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1, dhe lidhur me nenin 81, paragrafi 1, nënparagrafi 1.2 dhe 1.5 të KPRK-së.

Ndryshe, Mustafa ngarkohej edhe në një rast tjetër, për të cilin në dhjetor të vitit 2022, Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë, e cila më 21 shtator 2021, kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj tij dhe dy ish-drejtuesve tjerë të Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK), Ejup Qerimi dhe Rexhë Gjonbalaj, të akuzuar për korrupsion. /BetimipërDrejtësi