Fundamenti

Shemsije – Fikrije Fetah Ahmeti, dy motra binjake, dy mësuese, dy veterane të arsimit!

/ 7 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Një(1) Maji i vitit 1953 ishte ditë e premte, kur u lindën dy motrat binjake në Përlepnicë, Shemsija dhe Fikrija pas dy djemve Ilmiut dhe Shabanit nga Nëna Kadenxhike Canaj dhe Babai Fetah Ahmeti! I përkisnim një familje mesatarisht të pasur dhe me ide përparimtare dhe patriotike. Deri në moshën nëntë (9) vjeçare u rritëm me dy prindër, ishim në shënjestër si dy binjake krejtësisht të njëjta me veshje dhe me pamje, shumë vështirë në mes nesh të vërehej dallimi.

Në vitin 1960/1961, regjistrohemi në klasën e parë të shkollës fillore “SKËNDERBEU” në Përlepnicë, mësuesi i parë i ynë ishte mësuesi Reshat Shaqiri, në klasë ishin tre palë bineq!

Kushte të vështira kishte në objektin shkollor, mungesë lokali, mungesë kuadri, mësuesi Reshat Shaqiri punonte me dy ndërrime, derisa erdhi mësuesi Sherif Rrustemi.

Është si e veçantë se edhe pse ishim tre palë binek, shkollimin e filluam ndaras në klasë të ndryshme. Për ne kjo zgjati deri vitin e tretë, kur në familjen tonë ndryshuan rrethanat pas burgosjes të babit tonë Fetah Ahmetit.

Me 20 tetor të vitit 1962 pa asnjë paralajmërim sistemi i atëhershëm Jugosllav, Rankoviçian në qendër të qytetit në Gjilan e burgosin babain tonë Fetah Ahmetin dhe pas pesë ditëve të torturave ç`njerëzore, morëm lajmin e kobshëm dhe shumë të dhimbshëm se kinse ka bërë vetëvrasje, por në të vërtetë, duke mos iu përballuar torturave të bishave barbare çetnike Rankoviçiane, vdes në qelit e burgut të Gjilanit.

Si edhe shumë atdhetarë të tjerë kishin përjetuar këtë fat të zi dhe të kobshëm nga xhelatët e sigurimit serb. Për ne ishte lajm i trisht, jo veçse për familjen tonë, por edhe për të gjithë bashkëqytetarët përlepnicas dhe mbarë gjilanasit që e njihnin si njeri human e kombëtar.

Pas kësaj tragjedie në klasën e katërt na bashkuan, që sa më lehtë ta përballojmë këtë dhimbje. Edhe pse ne dyja ishim akoma fëmijë, gjërat i perceptonim ndryshe dhe kjo ndikoi shumë negativisht për ne. Falë nënës Kadenxhike, e cila ishte besimtare dhe përparimtare, na inspironte për mësim e shkollim, ne mbaruam klasën e tetë të shkollës fillore në vitin 1967/1968 në Përlepnicë.

Pas mbarimit të shkollës fillore u regjistruam në Shkollën Normale “SKËNDERBEU” në Gjilan në vitin 1968/69 dhe mbaruam vitin e pestë në vitin shkollor 1972/1973, mbrojtëm temën e diplomës dhe morëm titullin “MËSUESE PËR MËSIM KLASOR”. Pas diplomimit në vitin 1973 menjëherë u punësuam në shkollën fillore “Boro e Ramizi”në Radivojcë, aty punuam 4 vite, deri vitin 1976/1977. Në vitin 1978/1979 motra Shemsije ka punuar në shkollën fillore të Dobërqanit në mësim lëndor. Ndërsa, Fikrija ka punuar në vitin 1980/1981 në Shkollën Fillore “16 Nëntori” në Kamenicë.

Deri këto dy motrat kanë pas një jetë e përbashkët! Më pas fillon jeta ndaras, pasi që të dyja martohen dhe krijojmë familje.

Shemsija në vitin 1979, është fejuar dhe martuar me Asllan Ajvazin, nga Kopërnica me 8 korrik 1979. Në shtator të këtij viti Shemsija u punësua në shkollën fillore “16 Nëntori” në Dardanë -ish Kamenicë.

Nga viti 1980 deri 1990 ka punuar me mësim lëndor. Botërisht dihet se viti 1990, ishte vit makabër i helmimeve ku kjo ndodhi edhe në Dardanë-ish Kamnicë.

Në mars të vitit 1990, Shemsija ka kaluar të punojë me kontratë të përhershme me mësim klasor, për 10 vite kem punuar pa pagë mujore.

Këto kohëra ishin shumë të vështira për arsimin dhe jetën në Kosovë! Por, neve na mbante shpresa dhe vullneti për punë e shtet, procesin edukativo arsimor e mbanim si duhet.

Uji Dea

Mësuesen Shemsije më 7 shtator 1997, e godet edhe një rast shumë i rënd ku bashkëshorti Asllani, humbi jetën tragjikisht në një aksident komunikacioni.

Jeta u vështirësua mësueses edhe më, ku mbet me dy djem!.
Fidani me bashkëshorten Drita, fëmijët Elona, Ela, Erdi! Djali dytë Artani, me bashkëshorten Buqe, fëmijët Dendina, Dijari, Ajani!

Prej viti 2000 filluam pak të ringjallemi, por brengosja ime ishte se nuk kisha mundësi për t`i shkolluar fëmijët.

Isha e angazhuar maksimalisht në përgatitje dhe trajnime të shumta, të gjitha i kam mbaruar me përkushtim e me sukses, kjo zgjati deri në moshën 59 vjeçare ku edhe kemi certifikata të profileve të ndryshme. Gjithashtu, jam angazhuar me nxënësit në aktivitete të ndryshme për festa dhe data të rëndësishme bashkë me nxënësit që ishin shumë aktiv çdo herë. Sot falë Zotit kam një jetë të lumtur. Dy djemtë janë të martuar dhe kanë krijuar familje dhe janë mbajtës i familjeve të tyre, janë pavarësuar për jetë. Kam tri mbesa dhe tre nipa të mrekullueshëm, të cilët më japin gjallëri, inspirim çdo ditë për jetën time. Nga viti 2018, jam pensionuar dhe kaloj një jetë të qetë, të lumtur me familjen time me rrethin tim familjarë të ngushtë dhe të zgjeruar, si dhe me shoqërinë me ish koleget e mia që organizohemi për vikende, shëtitje një ditore apo edhe më gjatë që vërtetë ndihemi shumë të relaksuara.

Ky ishte rrëfimi i një jete me peripeci të njërës motër binjake, Shemsije Ahmeti Ajvazi !

Motra tjetër binjake FIKRIJE AHMETI KRYEZIU rrëfen:

Mësuesja Fikrija në vitin 1983, jam martuar me Gani Kryeziu nga fshati Rogaçicë, Dardanë -ish Kamenica, prof i lëndës së kimisë. Në vitin 1984/1985, kam punuar në Shkollën Fillore “Një Maji” në Roganë, tani “Metush Krasniqi”.

Në vitin 1988/1989 në Shkollën e Mesme QAMO ”9MAJI” Dardanë – ish Kamenicë në lëndën e Edukatë muzikore tani “ ISMAIL QEMALI”. Nga viti 1991, jam pranuar me kontratë të përhershme me mësim klasor në Shkollën Fillore “METUSH KRASNIQI” në Roganë. Kam punuar deri në vitin 1996 dhe për shkaqe politike, pasi bashkëshorti i im dy herë u burgos, u detyrua të merr rrugën e mërgimit, në vitit 1994 dhe u strehua në Gjermani ku edhe unë dy vite më vonë me 1996, me dy fëmijët Fisnikun dhe Besnikun u bashkuam.

Pas migrimit dhe sistemimit Ministria e Arsimit më lëshoi vendimin që të punojë në shkollën shqipe në qytetin e Heilbronnit qytet ku u vranë vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka. Kam punuar para lufte, për shkaqe të vështira mësimi u ndërpre. Tani jetoj me familjen time me bashkëshortin, të dy në pension, ku kohën e kalojmë më tepër në vendlindje. Ndërsa, dy djemtë Fisiniku me bashkëshorten Fatimen me vajzën Eljesën 8 vjeçare dhe djalin Eljonin 4 vjeçar dhe djali tjetër Besniku me bashkëshorten Xhemilen jetojnë në Heilbronn të Gjermanisë. Kalojmë një jetë mesatare të lumtur. Jetën të lumtur, na bëjnë mbesa Eljesa dhe nipi Eljoni që shumë i duam. Kjo është në pika të shkurta jeta e jonë si binake që kemi kaluar deri këtu. E për të dhënë kontributin në arsim e jetë, si testament për atdhedashuri që na e lan trashëgim prindërit tanë babai Fatahu e nëna Kadenxhike.

Kështu ishte jeta e dy motrave binjake Ahmeti, jetë me sfida, por, mësueset i qëndruan fortunave të jetës!

Motra shembull, për të cilat ne përlepnicasit krenohemi me punën dhe angazhimin e tyre në procesin edukativo-arsimor !

Ju lumtë, mësuese veterane shumë të cilat janë shumë respektuara!/nuhi nuhiu/rajonipress/