Rrëfime nga dhimbja, si u morën dhe u vranë në heshtje gjatë luftës Asllan Thaçi dhe Ramadan Kastrati
Kamenicë – Në kujtesën e familjarëve, lufta nuk ka përfunduar kurrë. Ajo jeton në rrëfime të ndërprera nga lotët, në kujtime që rikthehen si plagë të hapura dhe në pyetje që ende presin drejtësi. Ngjarjet tragjike të pranverës së vitit 1999 në Kamenicë, ku civilë u morën me forcë dhe u ekzekutuan, mbeten ndër dëshmitë më të rënda të dhunës së organizuar.
Rrëfimet e familjarëve zbulojnë një realitet të errët, ku njerëzit rrëmbeheshin para syve të më të dashurve të tyre dhe zhdukeshin pa gjurmë, për t’u gjetur më vonë si viktima të një makinerie represive. Në këto histori, dhimbja nuk është vetëm personale, ajo është kolektive, një kujtesë e gjallë e një kohe kur jeta e njeriut varej nga një vendim arbitrar dhe kur drejtësia mbeti në heshtje.
Një rrëfim thellësisht prekës lidhet me vrasjen e organizuar nga policia serbe të Asllan Hazir Thaçit më 11 maj 1999. Babai i tij, Hazir Thaçi, edhe pas shumë vitesh, rikthen në kujtesë momentet më të rënda të jetës së tij, duke dëshmuar për dhunën dhe ankthin që përjetoi familja.
Sipas tij, më 11 maj 1999, policia serbe kishte hyrë në shtëpinë e tyre në Kamenicë dhe kishte kërkuar Asllanin. “E rrahën në praninë time. Kur reagova, më goditën edhe mua me pushkë. Më pas e morën dhe e dërguan në drejtim të panjohur. E kërkova ditë e net të tëra, por pa asnjë rezultat”, kujton ai.
Haziri rrëfen se kishte kërkuar informacion edhe nga zyrtarë të kohës, por përgjigjet ishin të paqarta dhe kontradiktore. “Më thoshin se ishte vrarë nga ushtria. Më vonë mora vesh se ndodhej i vrarë pranë ‘Urës së Mramorit’, afër Liqenit të Badovcit”, shton ai.
Pas përfundimit të luftës, ai kishte angazhuar edhe zhytës për kërkime në liqen. “Në hyrje të liqenit pashë këpucën e djalit tim. Më pas kuptova se forcat ndërkombëtare e kishin nxjerrë trupin dhe e kishin varrosur në Prishtinë. Pas identifikimit, eshtrat e tij i solla në shtëpi, pas një periudhe të gjatë ankthi”, rrëfen ai, duke shtuar se beteja për drejtësi ende vazhdon.
Ngjarje po aq e rëndë është edhe vrasja e Ramadan Shaban Kastratit, i lindur më 18 prill 1958. Sipas familjarëve, ai është vrarë më 18 prill 1999, në dalje të Kamenicës, tek rruga e Strezovcit.
Bashkëshortja e tij, Fatmire Kastrati, tregon se Ramadani ishte ndaluar nga policia serbe në fshatin Rahovicë dhe më pas ishte vrarë në Kamenicë. Sipas dëshmive, ai ishte marrë peng dhe ekzekutuar, ndërsa kufoma e tij është gjetur më 27 shtator 1999, pranë stacionit të autobusëve në Kamenicë.
Familjarët theksojnë se për këto raste ekzistojnë dëshmi dhe dëshmitarë, por drejtësia ende nuk ka vepruar. Hazir Thaçi shprehet se, ndonëse ka arritur të gjejë trupin e djalit të tij, kjo për të është vetëm “beteja e parë”. Ai kërkon që përgjegjësit të dalin para drejtësisë.
“Kanë kaluar shumë vite, por nuk e harroj momentin kur ma morën djalin para syve. Pres që drejtësia të veprojë dhe institucionet të merren me këto raste”, thotë ai, duke shtuar se mekanizmat ndërkombëtarë duhet të angazhohen më shumë në zbardhjen e krimeve të luftës.
Ky rrëfim mbetet një dëshmi e dhimbshme e ngjarjeve tragjike të vitit 1999 dhe një thirrje e vazhdueshme për drejtësi./rajonipress/


