Kamenica intensifikon inspektimet: në fokus ndërtimet pa leje dhe mbrojtja e mjedisit
Kamenicë – Komuna e Kamenicës ka paralajmëruar intensifikim të inspektimeve në terren, me fokus të veçantë në identifikimin dhe trajtimin e ndërtimeve pa leje, si dhe në parandalimin e ndotjes së mjedisit nga bizneset dhe personat fizikë.
Për këtë çështje, kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, ka zhvilluar takim me drejtorin e Shërbimeve Publike, Zotrim Kastrati, shefin e Inspektoratit, Liridon Beqiraj, si dhe inspektorët Ibrahim Kastrati, Enver Ismajli dhe Besim Morina.
Gjatë takimit është diskutuar zbatimi i Planit Operativ për Inspektime, i cili parasheh kontrolle më të shtuara në terren në dy fusha kryesore: ndërtimet pa leje, veçanërisht objektet dhe shtëpizat malore, si dhe respektimin e standardeve për mbrojtjen e mjedisit.
Kryetari Rahimaj ka kërkuar që plani të zbatohet në mënyrë të plotë dhe me përpikëri, duke theksuar nevojën për identifikimin e rasteve të ndërtimeve pa leje dhe ndërmarrjen e veprimeve në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Ndërtuesve do t’u kërkohet që të ndërmarrin hapat e nevojshëm për pajisjen me lejet përkatëse. Në rast të mosrespektimit të kërkesave ligjore, Komuna paralajmëron ndërmarrjen e masave përkatëse, përfshirë edhe gjobitjen, në pajtim me dispozitat ligjore.
Një vëmendje e veçantë gjatë inspektimeve do t’i kushtohet edhe mbrojtjes së mjedisit. Inspektorët do të monitorojnë aktivitetet e bizneseve dhe personave fizikë që mund të shkaktojnë ndotje, ndërsa fillimisht do të informohen dhe paralajmërohen për respektimin e rregullave dhe standardeve mjedisore.
Në rastet kur nuk respektohen kërkesat ligjore, Komuna ka paralajmëruar se do të ndërmerren masat ndëshkuese të përcaktuara me ligj.
Në kuadër të kontrolleve do të monitorohen edhe furnitorët e jashtëm që furnizojnë bizneset në territorin e Komunës së Kamenicës. Ky monitorim synon respektimin e rregulloreve komunale, përfshirë detyrimet dhe taksat përkatëse.
Drejtori i Shërbimeve Publike, Zotrim Kastrati, së bashku me shefin e Inspektoratit, Liridon Beqiraj, dhe inspektorët kanë shprehur gatishmërinë për të shtuar angazhimin në terren dhe për të zbatuar me përpikëri Planin Operativ të Inspektimeve.
Komuna e Kamenicës u ka bërë thirrje qytetarëve dhe bizneseve që të tregojnë përgjegjësi më të madhe ndaj mjedisit, hapësirave publike dhe rregullave të ndërtimit.
Sipas komunës, bashkëpunimi dhe vetëdijesimi i qytetarëve janë të rëndësishëm për krijimin e një mjedisi më të pastër, më të sigurt dhe më të rregullt për të gjithë./rajonipress/


