Vitia shënon Ditën e Falënderimeve Amerikane së bashku me ushtarët e KFOR-it, Haliti shpreh mirënjohje për SHBA-në
Viti – Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, së bashku me pjesëtarët e KFOR-it amerikan, ka shënuar Ditën e Falënderimeve Amerikane (Thanksgiving), një festë që simbolizon mirënjohjen, solidaritetin dhe vlerat e miqësisë. Me këtë rast, Haliti ka shprehur falënderimin për kontributin e vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën, si dhe për angazhimin e ushtarëve amerikanë në ruajtjen e paqes dhe sigurisë.
Gjatë shënimit të kësaj dite, kryetari Haliti ka vlerësuar marrëdhëniet e veçanta të miqësisë dhe partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes amerikane në rrugëtimin e shtetndërtimit të Kosovës.
Ai ka shprehur mirënjohje të veçantë për popullin dhe shtetin amerikan për ndihmën dhe përkrahjen e dhënë ndër vite, si dhe për kontributin që vazhdojnë të japin në mbështetje të qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës.
Një falënderim i veçantë u është dedikuar edhe ushtarëve amerikanë të KFOR-it, për bashkëpunimin e vazhdueshëm me Komunën e Vitisë, përkushtimin dhe angazhimin e tyre në shërbim të paqes dhe sigurisë.
Sipas kryetarit Haliti, ky bashkëpunim ka rëndësi të veçantë për qytetarët e Vitisë, ndërsa miqësia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbetet një nga vlerat më të çmuara.
Shënimi i Ditës së Falënderimeve Amerikane në Viti është shoqëruar me mesazhe mirënjohjeje dhe respekti për partneritetin ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, si dhe për kontributin e ushtarëve amerikanë në vend.
“Faleminderit Amerikë!” është mesazhi me të cilin Komuna e Vitisë ka shprehur mirënjohjen për popullin amerikan dhe ushtarët e tij./rajonipress/

