Dardanapress organizon debat për parandalimin e dhunës dhe dukurive negative në shkolla
Kamenicë – Organizata Joqeveritare Dardanapress ka organizuar debatin me temën “Parandalimi i dukurive negative në shkolla”, në kuadër të projektit “Ta ndalojmë dhunën dhe dukuritë negative – Fuqizimi i rinisë për një mjedis të sigurt”.
Qëllimi i debatit ishte krijimi i një hapësire të përbashkët diskutimi ndërmjet drejtuesve të institucioneve arsimore dhe aktorëve të tjerë relevantë, me fokus në identifikimin e shkaqeve të dhunës dhe dukurive negative tek të rinjtë, si dhe në diskutimin e masave parandaluese për krijimin e një mjedisi të sigurt, gjithëpërfshirës dhe mbështetës në shkolla.
Gjatë debatit u trajtuan një sërë çështjesh që lidhen me sigurinë dhe mirëqenien e nxënësve. Ndër temat e diskutuara ishin identifikimi i dukurive negative dhe faktorëve që ndikojnë në shfaqjen e tyre, dhuna fizike dhe psikologjike ndërmjet nxënësve, si dhe mënyrat për parandalimin e saj.
Vëmendje iu kushtua edhe bullizmit dhe ngacmimit në shkolla, përdorimit të substancave narkotike, alkoolit dhe duhanit, si dhe masave që mund të ndërmerren për parandalimin e këtyre dukurive.
Në debat u diskutua gjithashtu për ndikimin e rrjeteve sociale dhe internetit në sjelljen dhe zhvillimin e të rinjve, fuqizimin e nxënësve për të reaguar ndaj dhunës dhe dukurive negative, si dhe nevojën për rritjen e bashkëpunimit ndërmjet shkollave, institucioneve lokale dhe komunitetit.
Drejtori i Arsimit, Selami Klaiqi, theksoi rëndësinë e parandalimit të dukurive negative dhe krijimit të një mjedisi të sigurt për të gjithë nxënësit.
Ai vlerësoi se parandalimi i dhunës dhe dukurive të tjera negative kërkon bashkëpunim të vazhdueshëm ndërmjet shkollave, prindërve, nxënësve dhe institucioneve.
“Dua të falënderoj OJQ Dardanapress për organizimin e këtij debati dhe për angazhimin në adresimin e çështjeve që lidhen me sigurinë dhe mirëqenien e të rinjve”, u shpreh Klaiqi.
“Vetëm përmes bashkëpunimit dhe komunikimit të vazhdueshëm mund të krijojmë shkolla më të sigurta dhe një mjedis ku çdo nxënës ndihet i respektuar dhe i mbështetur”, shtoi ai.
Në debat morën pjesë Drejtori i Arsimit, Selami Klaiqi, drejtorët e shkollave dhe përfaqësues të Drejtorisë së Arsimit.
Projekti “Ta ndalojmë dhunën dhe dukuritë negative – Fuqizimi i rinisë për një mjedis të sigurt” është financuar nga Komuna e Kamenicës, përkatësisht nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport./rajonipress/


