Kamenica hyn në fazën pilote për rritjen e transparencës, Rahimaj nënshkruan Memorandum Bashkëpunimi me AIP
Kamenicë – Komuna e Kamenicës është përfshirë në fazën pilote për standardizimin e publikimit proaktiv të dokumenteve dhe informacioneve publike, pas nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet Komunës së Kamenicës dhe Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP).
Memorandumi është nënshkruar nga kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, dhe Komisionerja e AIP-së, Krenare Sogojeva-Dermaku, ndërsa synon krijimin dhe zbatimin e një modeli të unifikuar për publikimin e dokumenteve dhe informatave me interes për qytetarët.
Kamenica është një nga institucionet partnere të përfshira në këtë fazë pilote, e cila synon të vendosë standarde më të qarta dhe më të qëndrueshme për transparencën institucionale dhe publikimin e informacionit.
Në bazë të memorandumit, Komuna do të punojë në përzgjedhjen e shërbimeve publike që do të përfshihen në proces, zbatimin e udhëzuesit të standardizuar për publikimin proaktiv dhe përcaktimin e zyrtarëve përgjegjës për publikimin dhe përditësimin e informacionit.
Po ashtu, Komuna e Kamenicës do të përgatisë listën e dokumenteve që do të publikohen në mënyrë proaktive dhe do të krijojë procedura të brendshme për rishikimin, verifikimin dhe përditësimin e rregullt të informacionit publik.
Nga ana tjetër, Agjencia për Informim dhe Privatësi do të ofrojë udhëzime të standardizuara, trajnime, asistencë teknike dhe metodologjike, si dhe do të monitorojë zbatimin e obligimeve për publikim proaktiv nga ana e komunës.
Ky bashkëpunim zhvillohet në kuadër të Planit të Veprimit të Partneritetit për Qeverisje të Hapur 2026–2028, konkretisht në kuadër të Zotimit 3, i cili lidhet me standardizimin dhe përmirësimin e publikimit proaktiv të dokumenteve publike dhe monitorimin e platformës së të dhënave të hapura.
Përfshirja e Kamenicës në këtë fazë pilote synon të krijojë një praktikë më të strukturuar të informimit publik, ku qytetarët mund të kenë qasje më të lehtë dhe më të shpejtë në dokumentet dhe informacionet që lidhen me shërbimet dhe veprimtarinë e institucioneve lokale.
Përmes këtij bashkëpunimi synohet forcimi i transparencës dhe llogaridhënies institucionale, përmirësimi i qasjes së qytetarëve në informacione publike dhe krijimi i mekanizmave më të qartë për pjesëmarrjen e tyre në monitorimin e punës së institucioneve publike./rajonipress/

