Fundamenti

Politikanët, nga barkzbrazur në milionerë

/ 8 minuta lexim
Eco Higjiena

Ditë më parë ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruari O’Connell, ka thënë se Kosova duhet të ndërmarrë reforma të thella për të krijuar një sistem të drejtësisë kredibil dhe me figura të pastra dhe se ai si shërbyes civil duhet të kalojë vetting-un në shërbimin e tij çdo 5 vjet.

“Sistemi i drejtësisë në Kosovë nuk do të shkapet pa rënë paraprakisht nga pushteti kjo kastë e mafiozëve dhe oligarkëve politikë dhe madje kjo kastë nuk do të bjerë nga pushteti fare pa shkuar në burg disa prej tyre, andaj deri atëherë sigurisht se në Kosovë nuk do të ketë shtet ligjor. Drejtësia në Kosovë është segmenti më i kapur nga politika dhe për këto shton se ka dëshmi sa të duash kur familjarët e udhëheqësve të shtetit rrahin e bëjnë çfarë të duan e drejtësia nuk reagon”, thotë për gazetën “Kosova Sot” eksperti i fushës së Integrimeve evropiane, Jeton Kelmendi

Ditë më parë ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruari O’Connell, ka thënë se Kosova duhet të ndërmarrë reforma të thella për të krijuar një sistem të drejtësisë kredibil dhe me figura të pastra dhe se ai si shërbyes civil duhet të kalojë vetting-un në shërbimin e tij çdo 5 vjet.

“Ne dhe Kosova kemi interesin e përbashkët që këtu të ketë një sistem të drejtësisë efikas dhe të pastër. Kosova të jetë partner i plotë yni në luftimin e krimit të organizuar. Pas përfundimit të misionit të EULEX-it, Kosova e ka një rast të mirë që të dëshmojë se është e gatshme të marrë përgjegjësi në luftimin e krimeve të rënda dhe korrupsionit”, ka thënë ambasadori britanik.

Ai ka theksuar se është evidente që Kosova ka nevojë për pastrim të sistemit të drejtësisë. Ka marrë shembull pozitën e tij si ambasador i Britanisë së Madhe, për të cilën zhvillohet procedura verifikimi. Unë si shërbyes civil duhet të kaloj vetting në shërbimin tim çdo 5 vjet. Nëse flasim për Kosovë do të ishte shumë e rëndësishme që të krijohet një sistem që vazhdimisht siguron integritetin e sistemit. Tek ne përveç zyrtarëve kontrollohen edhe familjarët e tyre. Kam dëgjuar sa herë në Kosovë që politikanët nuk janë të pasur, por vëllezërit e tyre kanë pasuri. Për mua për shembull kontrollohen edhe çikat e dajës”, ka thënë O’Connell. Njohësit e kësaj fushe thonë se në Kosovë nuk kontrollohet pasuria e politikanëve si në Britani e gjetiu. Ata thonë se përveç zyrtarëve, edhe familjarët e tyre janë bërë të pasur dhe shtrojnë pyetjen se si përfunduan vëllezërit apo fëmijët e shefave të politikës së këtyre 20 viteve të fundit në Kosovë, nga të papunët dhe me bark të zbrazur janë bërë milionerë dhe miliarderë. Ata thonë se në Kosovë shtresa më e pasur janë politikanët dhe familjarët e tyre, kurse drejtësia nuk bën asgjë të hetojë se si është fituar pasuria pa djersë, gjoja vetëm me paga.

Mafio-oligarkët e shkatërruan shtetin

Eksperti i fushës së Integrimeve Evropiane, Jeton Kelmendi, për gazetën “Kosova Sot” thotë se drejtësia në Kosovë është njëra nga segmentet më të gjunjëzuara të shtetit dhe krahas politikës është njëra nga shtresat më të pasura të të gjitha kategorive të qytetarëve të vendit.”Mendoj se politika i ka sjellë të gjitha të këqijat këtij vendi gjatë këtyre viteve të fundit dhe e them me përgjegjësi të plotë se e ashtuquajtura kastë e komandantëve apo i ashtuquajturi krahu i luftës e kanë keqpërdorur Kosovën deri në atë masë saqë e ka degraduar jo vetëm sistemin e drejtësisë, ekonomisë, arsimit e shëndetësisë, por të gjitha segmentet e jetës i ka degraduar në atë masë të madhe saqë e ka bërë jetën e qytetarit në Kosovë të pajetueshme”, është shprehur ai.

Kelmendi thekson se drejtësia në Kosovë është segmenti më i kapur nga politika dhe për këto shton se ka dëshmi sa të duash kur familjarët e udhëheqësve të shtetit rrahin e bëjnë çfarë të duan e drejtësia nuk reagon. “Kësisoj, sistemi i drejtësisë në Kosovë nuk do të shkapet pa rënë paraprakisht nga pushteti kjo kastë e mafiozëve dhe oligarkëve politikë dhe madje kjo kastë nuk do të bjerë nga pushteti fare pa shkuar në burg disa prej tyre, andaj edhe deri atëherë sigurisht se në Kosovë nuk do të ketë shtet ligjor”, është shprehur ai.

Tutje shton:”Në këtë drejtim unë nuk jam optimist se kush do ta bëjë këtë dhe se në këtë drejtim do të mundet që të ndodhë një gjë e tillë të paktën jo edhe 10 -20 vitet e ardhshme, sepse për fat tonin të keq komandantët tanë janë të rinj në moshë dhe kam frikën se nuk do të mund t’i lëvizë dikush nga pushteti, sepse tashmë ata janë bërë milionerë dhe të njëjtët e blejnë edhe lirinë. Jam pak optimist se Kosova së shpejti do të mundet që të çlirohet nga kjo kastë e mafio-oligarkëve që e kanë gjunjëzuar jo vetëm drejtësinë së Kosovë, por edhe çdo segment tjetër të jetës”, është shprehur ai.

Eco Higjiena

Hertica: Po shkojmë prapa në rrugën e demokracisë

Analisti politik Ali Hertica për gazetën “Kosova Sot” thotë se elita e korruptuar politike, nën flamurin e çngjyrosur të bipartitizmit, spërkatur, po vazhdon me një ritëm të shfrenuar garën e mashtrimeve, manipulimeve, baltosjeve, ndërkohë që shqiptarët po ecin dy hapa para e tre hapa prapa në rrugën e një demokracie transitive.

Ai thotë se sipas parashikimeve ligjore barra e provës më tej i përket gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët do të dalin në seancë dëgjimore në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.”Kosova duhet të ketë një sistem të drejtësisë efikas dhe të pastër pa qenë i dirigjuar nga politika dhe politikanët. Me “gërshërët e ligjit” në dorë, me shpata e heshta të mprehura dhe me duar të pastra pas mbulimit e fshehjes së pisllëkut të tyre do të shfaqen fshatrave e qyteteve kudo ata që ia kanë ndier lezetin pushtetit, për gjoja luftën me “tolerancë zero”. Kosova duhet të jetë partner i plotë në luftimin e krimit të organizuar nga koka e pushtetit e deri tek pushteti lokal. Pas përfundimit të misionit të EULEX-it, Kosova e ka mundësi të mirë që të dëshmojë se është e gatshme të marrë përgjegjësi në luftimin e krimeve të rënda dhe korrupsionit, e jo të japë kohë që të rritet ky produkt i krimit dhe korrupsionit nga qeveritarët dhe politika pa u kontrolluar fare nga askush”, është shprehur ai.

Qytetarët, të zhgënjyer me tërë lidershipin kosovar të pasluftës

Qytetarët e anketuar nga “Kosova Sot” thonë se janë tejet të zhgënjyer me tërë lidershipin kosovar të pasluftës. Ata thonë se vëllezërit apo fëmijët e shefave të politikës së këtyre 20 viteve të fundit në Kosovë, nga të papunët e me bark të zbrazur, sa qelë e mbyll sytë përfunduan në milionerë e miliarderë.

Kësisoj, qytetari nga Prishtina, Izet Ismajli, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se arsyeja se përse kjo po ndodh është shumë e lehtë dhe po dihet qartë, sepse tërë këtë pasuri pushtetarët tanë të pasluftës e bënë vetëm duke vjedhur dhe duke zhvatur djersën dhe taksat e qytetarëve tanë. “Logjikisht shtrohet pyetja se nga i morën ato para tjetërkund përveç hajnisë dhe zhvatjes së qytetarëve tanë tash e 20 vjet. Pra, duhet thënë troç se pushtetarët tanë të pasluftës me radhë këta po abuzojnë me popullin. Dhe për pasojë e kemi situatën kur të njëjtit edhe janë mbi ligjin dhe nuk japin llogari”.

Ai shton se duhet që të vetëdijesohet populli dhe t’i heqë nga pushteti këta pushtetarë të deritashëm.”Duhet edhe që të forcohet sundimi i ligjit dhe në pushtet të vijë një klasë e re politike, e cila nuk është e mësuar që të vjedhë, por që do të punojë në radhë të parë për qytetarët dhe shtetin e jo vetëm për vete, sikurse që vepruan pushtetarët tanë të deritashëm të pasluftës”, është shprehur qytetari Izet Ismajli për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)