Mobi Casa

PISA, goditje për arsimin në Kosovë, Bajrami shpalos planin për 2017-ën

/ 12 minuta lexim
Eco Higjiena

Pos çështjeve politike, ekonomike e sociale, që janë konsideruar si problematike në vend, Kosovës i është shtuar edhe një brengë tjetër. Arsimi në fillim të dhjetorit mori një “goditje” nga rezultatet e testit ndërkombëtar “PISA”.

Testi që për fokus kishte shkencën, leximin, matematikën dhe zgjidhjen bashkëpunuese të problemeve si fusha minore të vlerësimit, e kishte renditur Kosovën në nivelet më të ulëta të mundshme.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, në një intervistë për “Indeksonline”, ka dhënë sqarime për aprovimin e Planit Strategjik për Zhvillimin e Arsimit në Kosovë në vitet 2017-2021, i cili është hartuar dhe aprovuar në Qeveri.

Bajrami ka vlerësuar se ky Plan parasheh masa konkrete për përmirësimin e shërbimeve arsimore dhe rezultateve të arsimit.

Sipas Bajramit, që nga ardhja e tij në krye të Ministrisë së Arsimit, janë ndjerë ndryshimet dhe përmirësimet e cilësisë në arsim.

Më poshtë ju sjellim intervistën e plotë.

Zotëri Bajrami, sipas juve çka e karakterizoi arsimin në Kosovë gjatë vitit 2016?

Viti 2016, është karakterizuar me një dinamik të lartë në qasjen njëkohësisht në disa segmente. Vetëm këtë vit, në zbatim të Kurrikulës së re, kemi rishikuar dhe botuar Kornizën e Kurrikulës së Arsimit parauniversitar të Republikës së Kosovës, si dhe janë rishikuar tri Kurrikula Bërthamë për tri nivelet e arsimit parauniversitar. Në edukimin parashkollor/parafillor për herë të parë kemi filluar draftimin e kurrikulës bërthamë për edukimin parashkollor (mosha 0-5 vjeç).

Në kuadër të zbatimit të Kurrikulës së Re është hartuar edhe dokumentacioni pedagogjik sipas KKK, si dhe janë funksionalizuar mekanizmat për sigurimin e cilësisë në shkolla. Rishikimi i përmbajtjeve të teksteve shkollore (Janë rishikuar brenda vitit 86 tekste shkollore, të cilat tanimë janë në dorë të së paku 260.000 nxënësve) dhe përgatitja e materialeve tjera për mësimdhënie, zbatimi i praktikave të reja të vlerësimit të njohurive të nxënësve dhe aktivizimi i aktiveve profesionale në shkollat pilotuese janë disa aspekte me rëndësi të këtij procesi.

Gjatë vitit 2016, ka filluar zbatimi Strategjisë për Sigurimin e Cilësisë për Arsimin Parauniversitar në Kosovë 2016-2020, e cila parasheh masa konkrete për përmirësimin e shërbimeve arsimore dhe rezultateve të arsimit, për ndërtimin e mekanizmave efektiv për sigurimin e cilësisë, ngritjen e sistemit efikas për vlerësim të shkollës, fuqizimin e organeve shkollore (aktivet dhe këshillat), funksionalizimin e sistemit të licencimit të mësimdhënësve, planifikimin zhvillimor dhe monitorimin e zbatimit të tyre, për punësimin e pedagogëve dhe psikologëve në shkolla, për rezultatet e testeve kombëtare dhe ndërkombëtare, për digjitalizimin e shkollave dhe promovimin e sukseseve dhe shpërblimin e arritjeve.

Vetëm gjatë vitit të parë të zbatimit të kësaj strategjie, në një pjesë të madhe të shkollave publike janë angazhuar koordinatorët e përhershëm të cilësisë të cilët do të jenë përgjegjës për planifikimin e zhvillimit të cilësisë në nivel shkolle dhe komune.

Në kuadër të kornizës ligjore për zhvillimin profesional të mësimdhënësve ka bërë rishikimin e kornizës ligjore dhe dokumenteve tjera profesionale, siç janë: Udhëzimi Administrativ për licencimin e mësimdhënësve, Udhëzimi Administrativ për akreditimin e programeve të trajnimit, Plani operativ për vlerësimin e performancës së mësimdhënësve dhe Korniza për zhvillimin profesional të mësimdhënësve.

Kemi realizuar testin për kl.e 5-të (me mostër prej 4096 nxënësve), Testin e arritshmërisë me nxënës të kl.9-të (34012 nxënës) dhe Testin e Maturës (31482 nxënës) në gjuhët shqipe, turke dhe boshnjake. Gjitha raportet dëshmojnë për një avancim të dukshëm në pjesën përgatitore dhe zbatuese të administrimit të Testit të Maturës 2016, falë mobilizimit dhe seriozitet të lartë në insistimin për të siguruar mbarëvajtje të administrimit të Testit të Maturës.

Sa ka ecur përpara arsimi në krahasim me vitet e kaluara?

RCCOLA

Fusha e arsimit, ashtu sikurse e meriton, vazhdon të mbetet njëri ndëra ndër segmentet më të rëndësishme të jetës dhe zhvillimit të gjithmbarëshëm ekonomiko-shoqëror në vendin tonë. Edhe arsimi, sikurse fushat tjera, në periudhën e pasluftës, e sidomos në periudhën pas shpalljes së Pavarësisë, ka njohur zhvillim dhe konsolidim në të gjitha nivelet e tij.

Në pjesën e Arsimit Profesional gjatë vitit 2016, kemi vazhduar me zbatimin e projektit për harmonizimin e arsimit me kërkesat e tregut të punës në Kosovë, me mbështetjen nga Bashkimi Evropian dhe Agjencioni Austriak për Zhvillim, duke realizuar një mori projektesh dhe aktivitetesh, si: është hartuar Plani Mësimor i veçantë për AAP që është duke u pilotuar ne 24 shkolla; të gjitha shkollat e AAP kanë koordinatorët për sigurim të cilësisë; janë hartuar udhëzues për kurse për arsimin për të rritur. Qendra Kosovare e firmave ushtrimore është anëtarësuar në EUROPEN PEN International. Janë nënshkruar 5 marrëveshje me bizneset (në nivel qendror) për pranimin e nxënësve për praktikën profesionale, si dhe janë rishikuar planet zhvillimore të 8 shkollave dhe janë trajnuar drejtorët dhe personat përgjegjës për planifikim.

Ngjarja që bëri bujë ishin rezultatet e PISA-s ku nxënësit kosovarë u radhitën pothuajse krejt të fundit në listë, çka pritet në të ardhmen nga MASHT-i për ngritjen e nivelit arsimor?
Siç, edhe me të drejtë keni shtruar pyetjen rreth adresimit të rezultateve të Vlerësimit Ndërkombëtar PISA 2015, bazuar në veprimet e ndërmarra të cekura më sipër, tanimë kemi hartuar dhe aprovuar në Qeveri, Planin Strategjik për Zhvillimin e Arsimit në Kosovë 2017-2021, që reflekton, jo vetëm objektivat dhe caqet që mëtojmë ti arrijmë në të gjitha nivelet e arsimit, që ka rezultuar nga një proces gjithëpërfshirës të të gjithë akterëve dhe pasqyron edhe ekspertizë të lartë profesionale për të siguruar një plan ambicioz dhe të realizueshëm, por ka për qëllim t’i jap përgjigje gjendjes aktuale dhe sfidave që e shoqërojnë sistemin arsimor në të gjitha nivelet e përgjegjësisë.

Si i tillë, Plani Strategjik për Zhvillimin e Arsimit në Kosovë 2017-2021 është në përputhje me Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe përfshijnë masat që kanë të bëjnë me rritjen e pjesëmarrjes së fëmijëve në edukimin parashkollor, rritjen e kualifikimit dhe përgatitjen e mësimdhënësve, përmirësimin e relevancës së ofrimit të shkollimit për kërkesat e tregut të punës, si dhe forcimin e mekanizmave të llogaridhënies përmes vlerësimit të performancës së mësimdhënësve, inspektimit dhe testeve të jashtme.

Çka e pret arsimin kosovar në vitin 2017-të?

Miratimi i Planit Strategjik për Zhvillimin e Arsimit në Kosovë 2017-2021, paraqet veprim konkret të Qeverisë së Kosovës, për ti dhënë përgjigje edhe rezultateve të Vlerësimit Ndërkombëtar PISA 2015, të cilat i kemi prezantuar në fillim të këtij muaji. Prandaj, veprimet që do ti ndërmarrim në vitn 2017, kryesisht ndërlidhen me zbatimin e PSAK-ut 2017-2021, përcaktimin e konceptit të ri i hartimit dhe përgatitjes së teksteve shkollore,Kornizën për zhvillim profesional të mësimdhënësve. Nga viti 2017 –Vlerësimi i performancës së mësimdhënësve dhe vlerësimin e performancës së shkollës, Rolin e Inspektoriatit të arsimit(Projektligji për Inspektoratin e Arsimit, i miratuar në Qeveri dhe i dorëzuar për shqyrtim/miratim në Kuvend), Rishikimi i kushteve dhe kritereve për licencimin e mësimdhënësve,Integrimi i teknologjisë informative në procesin edukativo arsimor dheVazhdimi i përmirësimit të organizimit dhe administrimit të vlersimeve të jashtme, do të jenë objektiva kryesore të punës sime gjatë vitit 2017.

Ku e shihni Kosovën me nivelin aktual të arsimit, sa premtojnë gjeneratat e reja për një të ardhme të mirë të vendit?

Ne kemi obligim të ndërtojmë një sistem arsimor që ofron cilësi, sepse duam që Kosova të jetë një shoqëri e cila zhvillimin e vet e bazon në dije, ndërsa qytetarët e saj të posedojnë njohuri dhe shkathtësi që i bëjnë të punësueshëm, si në vend ashtu edhe jashtë tij. Përmes cilësisë ne e zhvillojmë ekonominë tonë, krijojmë vende pune dhe, në përgjithësi, bëhemi konkurrentë në rajon dhe në botën globale. Prandaj, plani parasheh zbatimin e kurrikulës së bazuar në kompetenca, t’i pajisim shkollat me teknologji të informacionit dhe mjete të konkretizimit, ta përmirësojmë cilësinë e teksteve mësimore dhe, mbi të gjitha, ta përmirësojmë cilësinë e mësimdhënies në të gjitha nivelet e sistemit të arsimit. Ndërkaq, në arsimin e lartë fuqizimin e mekanizmave të sigurimit të cilësisë, duke i zbatuar me përpikëri kriteret dhe procedurat e akreditimit, por edhe duke i ndihmuar institucionet e arsimit të lartë që t’i përmbushin standardet e cilësisë.
Prandaj, ky plan parasheh që bashkë me komunat të ndërtojmë një sistem i cili ofron llogaridhënie funksionale në të gjitha nivelet e sistemit të arsimit, duke përfshirë përmirësimin e menaxhimit të shkollës, funksionalizimin e sistemit për licencimin e mësimdhënësve, vlerësimin e performancës së shkollës, si dhe rritjen e besueshmërisë së testeve kombëtare që kanë për qëllim vlerësimin e njohurive dhe shkathtësive të nxënësve.

Çka konsideroni sukses për vitin që po lëmë pas në fushën e arsimit, pas dështimit në testin e PISA-s?

Një ndër sukseset e arritura të Autoritetit Kombëtar të Kualifikimeve për vitin 2016 është referencimi apo lidhja zyrtare e Kornizës Kombëtare të Kualifikimeve me Kornizën Evropiane të Kualifikimeve.
Edhe ketë vit, krahas proceseve tjera, kemi vazhduar me krijimin dhe zgjerimin e infrastukturës shkollore. Janë përfunduar investimet në 12 objekte të reja shkollore.Vazhdojnë punimet në ndërtimin e 5 objekteve të reja shkollore dhe 3 sallave të edukatës fizike. Në ndërtim e sipër janë objekte të reja në komuna të ndryshme.
Ndërsa, në nivelin e arsimit të lartë, edhe gjatë këtij viti, jemi angazhuar në garantimin e autonomisë akademike të institucioneve të arsimit të lartë, si kusht thelbësor në rritjen e cilësisë në arsimin e lartë. Janë mbështetur me masa konkrete universitetet publike në programet mësimore dhe në administrimin e buxheteve, në mënyrë që universitetet t’i përdorin në mënyrë sa më efikase burimet materiale që i zotërojnë. Janë duke realizuar projekte dhe aktivitete të ndryshme, si: është themeluar Konferenca e Rektorëve, është funksionalizuar Unioni Nacional të Studentëve; është hapur një program i doktoratës në Fakultetin Ekonomik, është nënshkruar UA për njohje të diplomave, gradave dhe kualifikimeve të fituara jashtë Kosovës.

Poashtu, edhe ketë vit, sikurse vitin e kaluar kemi vazhduar praktikën e nxitjes, mbështetjes dhe stimulimit të studentëve në fusha të ndryshme të orientuara në degë të rëndësishme strategjike për zhvillimin e ekonomisë së Kosovës, me fokus të veçantë në shkencat ekzakte, bujqësi, inxhinieri, mjekësi, shkencat matematiko-natyrore dhe edukim ka ndarë rreth 170 bursa për studentët elitarë të institucioneve publike të arsimit të lartë në programet deficitiate. Janë ndarë 18 bursa nga Qeveria Hungareze dhe është nënshkruar në dhjetor 2016 Programi i ri Bashkëpunimit me Qeverinë Hungareze për ofrimin e 50 bursave për tri nivelet e studimit, 1 bursë nga Qeveria Japoneze, 32 bursa të plota dhe 25 të pjesësshme në bazë të marrëveshjes së MASHT me Universietin e Sheffield-it, si dhe janë ndarë fondet për studentët në programin e TLP dhe për Programin Fulbright.
Është draftuar formula e financimit të Institucionet e Arsimit të Lartë; është draftuar dhe nëshkruar dokumentacioni për themelimin dhe funksionalizimin e SMIAL-it (Sistemi për Menaxhimin e Informatave në Arsimin e Lartë), si dhe ka filluar pilotimi në tri institucione të arsimit të lartë.
Në segmetin e shkencës, kemi vazhduar edhe ketë vit me përkrahjen e institucione hulumtuese, nga granti për projekte të vogla shkencore, hulumtues, nga granti për mobilitete afatëshkurtëra, dhe janë mbështetur botime dhe publikime shkencore të fushave të ndryshme të shkencës.

7. Çka i keni ofruar ju Ministrisë së Arsimit dhe arsimit kosovar në përgjithësi, në krahasim me ish-ministrat tjerë?

Nga ardhja ime Ministër në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, në dhjetor të vitit 2014, i kam pasur lehtësisht të identifikueshme sfidat por edhe vizionin për ngritjen dhe përmirësimin e nivelit të cilësisë dhe vet sistemit në përgjithësi. Ashtu, edhe siç e keni lexuar Raportin e Punës për vitin e kaluar (2015) edhe këtë vit ju ftoj të shihni Raportin e Punës për vitin 2016 (të cilat i kemi dërguar në Qeveri), në dy raportet do të vëreni, që epiqendra e punës time, ka qenë dhe është adresimi i segmentit të përmirësimit të cilësisë në arsim. Janë masa të prekshme dhe evidente, janë procese të cilat edhe ju personalisht i keni përcjellur. Të gjitha nivelet e arsimit kanë ndier ndryshimet dhe trendin pozitiv të përmirësimit të cilësisë.
/Indeksonline/Rozafë Rexhepaj/