Përkujtohet major Muharrem Ibrahimi, në 25 vjetorin e vdekjes

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Ofensiva e 15 Prillit, të vitit 1999, në Malësinë e Zhegocit, i detyron që të tërhiqen në fshatin Marec, ku edhe aty ballafaqohen me një sulm tjetër masiv të makinerisë ushtarako – policore serbe. Në vijën e parë të frontit, qëllohet nga një granatë, ku merr lëndime në këmbë dhe në shpatull. Pas dy ditëve të plagëve, më 21 Prill 1999, në odën e Halil Canollit, në fshatin Marec, ndërron jetë dhe varroset në afërsi të varrezave të vjetra të kësaj familjeje. Prej atje, më 19 Shtator 1999, eshtrat e tij barten dhe rivarrosën në Varrezat e Dëshmorëve në Gjilan.

Nga familjar, miq e veprimtar të shumtë të dielën është përkujtuar major Muharrem Ibrahimi.

Major Muharrem Ibrahimi më 15 prill 1999 plagoset derisa po luftonte në Zhegovc nga Gjilani detyrohet së bashku me shokët të tërhiqet në Marevc ku edhe aty ballafaqohen me një sulm tjetër masiv të makinerisë serbe.

Në vijën e parë të frontit qëllohet nga një granatë ku merr lëndime në shpatull dhe këmbë. Plagën e kishte të madhe dhe të pa evitueshme në mungesë të mjekimit adekuat.

Të plagosur rëndë Muharrem Ibrahimin e gjen Basri Canolli-Shpendi (gjithashtu dëshmor i kombit) i cili e merr dhe e strehon tek familja e tij. Pas dy ditëve, më 21 Prill 1999. vdes në odën e Halil Canollit, dhe varroset në varrezat familjare. Prej atje më 19. Shtator 1999, rivarroset në varrezat e Dëshmorëve në Gjilan.

Kush ishte Major Muharrem Ibrahimi

Muharrem Ibrahimi, u lind në një familje 9 anëtarëshe qytetare, prej nënës Xhemile dhe babait Raifit, familje kjo që ka prejardhjen prej fshatit Ivajë të Rrethit të Leskocit, e cila ishte shpërngulur me dhunë qysh në vitin 1878. Shkollimin fillor dhe të mesëm i kreu në vendlindje gjegjësisht në Gjilan.

Qysh si fëmijë kishte shpreh dëshirën të bëhej ushtarak. Babai i tij Raifi, duke e parë dëshirën e tij të madhe dhe i vetëdijshëm se edhe shqiptarëve iu nevojiten ushtarakët, e dërgoi në Akademinë Ushtarake, dega e Këmbësorisë, të cilën me sukses e kreu në Beograd dhe në Sarajevë.

Atë botë, ishte nder që një shqiptar të bëhej oficer i Armatës, sepse ishin shumë të rrallë të rinjtë që përcaktoheshin për studimin e artit ushtarak.
Karrierën e tij prej ushtaraku e filloi në Maribor të Sllovenisë. Ishte shumë i dëshiruar dhe i respektuar nga ushtarët shqiptarë që e kryenin shërbimin ushtarak atje.

Fundamenti

Muharremi, vazhdimisht i këshillonte ushtaret që të mos bien nën provokimet e armikut dhe iu ndihmonte. Ishte shumë i adhuruar edhe prej qytetarëve shqiptarë që punonin dhe jetonin atje, për çka ishte vazhdimisht edhe nën përcjellje të Sigurimit Ushtarak.

Me fillimin e shpartallimit të ish – Jugosllavisë dhe fillimin e luftës në Slloveni, Muharrem Ibrahimi dërgohet në Murska Sobota dhe Shëntil, ku i kurdiset një pritë, në të cilën plagoset më datën 28 Qershor 1991. Sllovenët i afrojnë dezertim, por për shkak të sigurisë së ushtarëve të tjerë shqiptarë, nuk pranoi që të dezertojë.

Pas shërimit, më 1992 vazhdon në Trebinje e mandej transferohet me shërbim në Mitrovicën e Kosovës. Muharremi, i pa kënaqur me padrejtësitë ndaj shqiptarëve, vendosë që ta braktisë Armatën, por me insistimin e aktivistëve lokal të atëhershëm: Halit Zymberit dhe Nazmi Musës, vazhdon punën me shumë vështirësi. Në Mitrovicë, ishte i përcjellë dhe i provokuar nga kolegët dhe ushtarët serb.

Më 1997, transferohet në Ferizaj, ku e merr gradën ushtarake “Major”. Me fillimin e luftës në Drenicë, ai shprehë gatishmërinë që të kyçet në luftë, por udhëzohet që për shkak të nevojave të atëhershme, të qëndrojë deri sa është e mundur. Përmes shokëve shumë të besueshëm : Halit Zymberit e Hasan Agushit, Zonës Operative të Nerodimjes i jepte informatat për kazermën e Ferizajt, pozitat, planet, potencialin ushtarak, armatimin etj. Detyra e tij ishte që të alarmonte në rast nevoje përmes një lidhje shumë sekrete , të cilët ishin të gatshëm edhe ta evakuonin në një vend të caktuar.

Më 3 Qershor, i jepet urdhri që të shkojë në luftë kundër shqiptarëve! Muharremi, këtë e refuzon kategorikisht, me arsyetimin se duhej ta shëronte djalin e sëmurë! Me mbarimin e shërimit të djalit të vogël ai jep dorëheqje, me arsyetimin se duhet të qëndroj pran djalit. Me 23 mars Gruan dhe dy fëmijët e tij i dërgon në Turqi. Gruan e porositi që të kujdeset për fëmijët, me që edhe ajo e dinte për qëllimet e tija !

Më 25 Mars 1999, njoftohet se ka ardhur koha që të shkojë në luftë, në radhë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në radhët e UÇK-së, përmes Elhami Bajramit, kyçet bashkë me shokët: Afrim Myrtaj, Rexhep Jahiun, Bekim Murtezin, Sami Ahmetin dhe të tjerë.

Si ushtarak profesionist, punon në stërvitjen e ushtarëve të rinj dhe ngritjen e moralit të ushtarëve, ku u emërua Shef i Shtabit të Zonës.

Ofensiva e 15 Prillit, të vitit 1999, në Malësinë e Zhegocit, i detyron që të tërhiqen në fshatin Marec, ku edhe aty ballafaqohen me një sulm tjetër masiv të makinerisë ushtarako – policore serbe. Në vijën e parë të frontit, qëllohet nga një granatë, ku merr lëndime në këmbë dhe në shpatull. Pas dy ditëve të plagëve, më 21 Prill 1999, në odën e Halil Canollit, në fshatin Marec, ndërron jetë dhe varroset në afërsi të varrezave të vjetra të kësaj familjeje. Prej atje, më 19 Shtator 1999, eshtrat e tij barten dhe rivarrosën në Varrezat e Dëshmorëve në Gjilan./rajonipress/