RCCOLA

Na ishte dikur Radio Gjilani!

/ 14 minuta lexim
RCCOLA

Nga Islam Osmani – Në vigjilje të 50-të vjetorit të fillimit të punës dhe të 24 vjetorit të rifillimit të punës së Radio Gjilanit, pas çlirimit të vendit të këtij institucioni informativ.

Ideja për formimin e një institucioni informative lokal për qytetarët e Gjilanit lindi në verën e largët të vitit 1972. Atë kohë zhvillohej një aktivitet stërvitor në territorin e komunës së Gjilanit.

U mbajtën manovrat ushtarake të Mbrojtjes popullore “Manovrat ’72 “ në të cilin ishte e domosdoshme edhe përdorimi i Radio-lidhjeve teknike për të komunikuar mes udhëheqëseve të atyre stërvitjeve, nga se në bazë të planit stërvitor fizikisht ishin larg Qendrës komanduese stërvitore. Këtu u inkuadrua edhe Teknika popullore e Radio lidhjeve që e menaxhonte Sabit Zymberi.

Kështu Shtabi informative nga lokalet e Teknikës popullore(edhe pse me një teknikë mjaft primitive )ishte shumë efektiv dhe e suksesshme edhe në informimin e qytetarëve të Gjilanit dhe rrethinës për rrjedhjen e Manovres. Andaj lindi ideja për formimin e një qendre informative – themelimin e një Radio stacioni lokal.

Këtë iniciativë e morën për sipër Nexhip Bejta, gazetar dhe Sabit Zymberi, teknik i radio lidhjeve në Teknikën popullore në Gjilan, shkuan tek udhëheqja e atëhershme politike e komunës të Gjilanit: Rexhep Hajrullahu e Sabit Jakupi biseduan këtë nismë dhe vendosen që të themelojnë Radio Gjilanin si institucion lokal informativ.

Andaj ia filluan përgatitjet, ftuan njerëzit profesional që ta qojnë përpara këtë vendim si: Nexhip Bejta, gazetar, Selman Vokshi, muzicient, Muzafer Gjinolli, gjuhtar, Sabit Zymberi, ekspert teknik i radio-lidhjeve, Ramadan Bislimi si dhe më pas edhe gazetarë të tjerë si: Nexhat Mustafa e Hasan Bunjaku. Dhe kështu me vendimin e kuvendit komunal u themelua Institucioni i pare informative në këto troje – Radio Gjilani.

Kështu që për herë të parë në etër më 16 nëntor të vitit 1973, u dëgjua zëri i spikerëve në Gjuhën shqipe, serbokroate dhe në gjuhën turke. Kjo datë e themelimit të Radio Gjilanit koinçidonte edhe me Ditën e çlirimit të Gjilanit, pas Luftës së dytë Botërore.
Si në çdo fillim edhe fillimi I punës së këtij institucioni informative ishte i vështirë.

Vështirësitë ishin të mëdha, mungonin mjetet teknike, muzikore, repertori i këngëve ishte i varfër, investimet ishin të pakta, situata financiare ishte shumë e dobët, por elani, vrulli dhe dashuria ndaj radios, informimit profesional nuk mungonte. Përkundër kushteve tejet minimale për punë Radio Gjilani për një kohë relativisht të shkurtër arriti të arsyetoi misionin e tij informative dhe përfitoi dëgjues të shumtë të të gjitha profileve në regjion dhe në tërë Kosovën.

Këtë institucion informativ e drejtoi Nexhip Bejta, korrespondent i gazetës “Rilindja” ishte drejtori i parë, në ditët më të vështira, por e udhëhiqte, e drejtoi me shumë sukses.

Radio Gjilani ishte ndër radio Stacionet e para (i pari i regjistruar) lokalë në territorin e Kosovës. Radio Gjilani ia filloi punës informative në tri gjuhë në gjuhën shqipe, turke dhe atë serbokroate e më vonë në katër gjuhë edhe në gjuhën Rome. Radio Gjilani me punën e tij arriti të krijoi emër në këto troje dhe prej atij lokal u zgjerua dhe mori për sipër informimin edhe të banorëve të Regjionit të Anamoravës – duke i përfshirë edhe komunat Dardanë (Kamenicë) dhe Viti. Po ashtu pas një kohe të shkurtër me shtimin e programit këtij institucioni informative i bashkëngjiten edhe gazetarët: Nexhmedin Ymeri, Ramadan Bislimi, pastaj Islam Osmani dhe korrespodentët nga Vitia – Xhevat Piraj dhe nga Dardana (Kamenica) – Ali Vllasi e më vonë informimin nga Dardana e vazhdoi korrespodenti Gani Korça.

Në redaksi pak më vonë punësohen edhe gazetarja-moderatorja- folësja Remzije Zeka-Sherifi, gazetarët: Hamdi Shabani, Rexhep Beqiri e Ilaz Haliti dhe në gjuhën turke Adem Kito dhe Mahmut Dindar dhe ate rome Mehmet Ramadani. Po ashtu edhe Rasim Goli, ishte i punësuar si portir, i cili pos tjerash na bënte kafe shumë të mira e besa edhe qaj. Pas katër-pesë viteve të punës së suksesshme në vitin 1977, Radio Gjilani u bë Radio stacioni i vetëm ndër-regjional, duke marrë për sipër informimin edhe për banorët e tri komunave të Kosovës Lindore të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.

Nga këto tri komuna informuan korrespodentët: Ruhan Mustafa e më vonë Ruhan Salihu nga Medvegja, Mustafa Bina nga Presheva si dhe nga Bujanoci raportonin korrespodentët : Melihat Osmani dhe Ismajl Ismajli.

Ndërsa nga folëset e para ishin, Vildane Sylejmani, Mediha Pajaziti, Nazmije Veseli e Remzije Zeka, (që kur ishte nxënëse) dhe zëri i mashkullit, Muzafer Gjinolli. Ndëkaq, më vonë folëse e rregullt u pranua, Emine Sejdiu-Xhelili, si dhe herë pas here edhe Sebahate Ibrahimi, (e cila kryente edhe punët administrative) dhe Nijazi Selimi.

Ndësa nga Teknikët do e përmendim Sabit Zymberin, si iniciator i themelimit të Radios, pastaj Adnan Sllamnikun, Haki Ramadanin, Skënder Ibrahimin dhe më vonë edhe Naser Emini. Që nga fillimi i punës së Radios, ne punonim në objektin e Zjarrfikësve me disa zyre dhe studio të improvizuara, kushte këto të cilat as për së afërmi nuk i plotësonin nevojat elementare për punë.

Nuk kishim kurrfarë izolimi – akustikë të zërit në studion e improvizuar të objektit dhe shumë zëra nga rruga dëgjoheshin në program, e sidomos kur i kishim emisionet e drejtpërdrejta nga studioja, e sidomos në ditën e shtune kur në Gjilan ishte ditë tregu e aty afër e kishim edhe tregun e kafshëve. Andaj, ishte nevoja për një zgjidhje immediate të një objekti me kushte adekuate të një Radio stacioni. Atë botë ishte në ndërtim e sipër soliteri i vetëm në Gjilan.

Ishte në përfundim e sipër dhe udhëheqësit politik të asaj kohe, Rexhep Hajrullahu dhe Sabit Jakupi kishin qenë në Beograd dhe pas një takimi me udhëheqësit federativ, një gazetar serb i kishte ftuar për një intervistë në studio B të Radio Beogradit, që ishte ne katin e fundit te ndërtesës. Gjatë kthimit rrugës për në Gjilan, duke e komentuar intervistën e dhënë, biseduan dhe vendosen që soliterit, i cili ishte paraparë të jetë 12 kate, t’ia shtojnë edhe një kat- të 13-tin enkas për nevojat e Radios dhe ta zgjidhin çështjen e lokalit të Radio Gjilanit. Kështu edhe u bë dhe kati i 13 – të u ndërtua dhe u krye në vitin 1979 dhe ne nga objekti i Zjarrfikësve u transferuam në lokalet e reja të ndërtuara enkas për radio.

Problem tjetër pos kushteve të punës ishte ana financiare që na ka përcjellë pothuajse gjatë gjithë kësaj kohe. Gjatë kësaj periudhe që nga themelimi e deri në vitin 1990, këtë Radio e kishin udhëhequr (drejtorët) pos iniciatorit Nexhip Bejta edhe Muzafer Gjinolli, Zijadin Iljazi, Halim Halimi, Ilaz Haliti dhe sërish Zijadin Iljazi, ndërsa pas Luftës çlirimtare Agim Kajtazi dhe Islam Osmani.

Programi i Radio Gjilanit, të cilin e kanë realizuar punëtorët e përmendur gjatë periudhës që nga themelimi (1973 e deri në vitin 1990) janë si vijon:

EMISIONET INFORMATIVE DITORE:

  • Sot në Gjilan, në fillim të programit.
  • Ditari i Radios 0ra 16:00.
  • Kronika informative e regjionit të Kosovës Lindore.
  • Programi i Mëngjesit Mirë, mëngjesi Gjilan, mirë mëngjesi Anamoravë.
  • Përshëndetjet dhe urimet,
  • Emisioni I drejtpërdrejt kontaktues Mikrofoni I hapur,

EMISIONET JAVORE:

RCCOLA
  • Eksperti Ju këshillon,
  • Mjeku në studio,
  • Nëpër komunat tona,
  • Ju prezantojmë kolektivet tona punuese,
  • Bisede me shkas,
  • Kuizi shpërblyes,
  • Emisioni kontaktues “Ju dhe Radio Gjilani”
  • E diela  sportive,
  • Emisioni special për Programin e dytë të Radio Prishtinës,
  • Emisioni për të rinj “Megaherci rinor”,
  • Emisioni për fshat dhe bujqësi.

EMISIONET VJETORE:

  • Emisioni Ndërrimi i motmotit,
  • Emisioni Humoristik,
  • Emisione  festive (sipas festave) si dhe
  • Emisione sipas ngjarjeve aktuale ditore.

Dhe, Radio Gjilani për çdo vit organizonte manifestimin publik “Amatorët e vitit“, që mbahej me prezencë të publikut, në Teatër apo në Pallatin e sporteve, ku shpalleshin 10 më të suksesshmit e Vitit në lëmin e kulturës, sportit e aktivitete tjera, në skenar e moderim të redaktorit përgjegjës, Nexhmedin Ymeri.

Dhe ja erdhi edhe viti 1989-1990 kur repsesaljet, dhuna, presioni e maltretimet u shtuan nga pushtuesi serb deri në atë masë sa që edhe më 5 korrik të vitit 1990 na e ndaluan programin tërësisht e më vonë vetëm programin në gjuhën shqipe, sikurse që ndaluan të gjitha mjetet e informimit në tërë Kosovën.

Pas ndërprerjes së dhunshme 20 ditësh të programit të Radios e rifilluam transmetimin dhe brenda dhjetë ditëve vijuese ishim i vetmi mjet informative në Gjuhën shqipe në tërë territorin e Kosovës.

Kështu Radio Gjilani mbetet pa program diku 20 ditë. Por pas 20 dite, me që ndalimin e programit inspektorët federative nga Beogradi e kishin bërë vetëm gojarisht dhe drejtorit Zijadin Iljazit nuk i kishin lënë asgjë me shkrim për ndalesën. Në bisedë e sipër me Zijadinin, morëm vendim që të fillojmë të vazhdojmë programin pas njëzetë (20) ditëve pauzë.

Drejtori Zijadini e bëri një koment-vështrim për rrjedhën e ngjarjes së deriatëhershme dhe në Komentin e tij, (të cilin e lexoi vet)në Ditarin e Radios që atë botë emitohej në ora 16-të, pos të tjerash shkruante: ”Asnjëherë në punën 17 vjeçare të Radio Gjilanit nuk ka ndodhur që me urdhrin e dikujt e as të milicisë të ndërpremë programin e edhe tani e tutje e besa as edhe tutje nuk do të jemi servile dhe as lojal të asnjë pushtuesi dhe nuk do bindemi urdhrave të shtetit të dhunshëm serbë, por, si gjithherë duke bërë informim të drejtë, objektiv dhe me kohë të ngjarjeve dhe duke iu përmbajtur kodeksit gazetaresk.

Nga kjo ditë faktikisht nga 25 korriku e deri më 5 gusht Ne punëtorët e Radio Gjilanit punuam dhe ishim mjeti i vetëm informative në Kosovë me që të gjitha mjetet tjera informative ishin të mbyllura.

Më pas pasoi intervenimi dytë policor nga seksioni i punëve të brendshme të Jugosllavisë së atëhershme dhe mbyllja e sërishme e Radio Gjilanit. Për rifillimin e programit të Radio Gjilanit shkroi edhe gazetari Ilmi Musliu, por jo në gazetën “Rilindja” ku ishte i punësuar nga se edhe ajo ishte e mbyllur, por në gazetën për fshat e bujqësi “Bujku”.

Ndërprerja e programit më 5 korrik ishte shkas për të na bërë për vedi dhe për të na testuar a thua ne do të punonim sipas direktivave të pushtuesit serb.

Me që asnjeri nga shqiptarët nuk pranuam të punonim sipas direktivave të tyre atyre që më parë ua ndërruan vendet e punës, drejtorit të Radios, Zijadin Iljazit si dhe redaktorit përgjegjës Nexhmedin Ymerit, që të dyve ua ndërruan vendet e punës. Të dy i emëruan përkthyes në Radio, të cilën punë ata nuk e kryenin, andaj si dhe të tjerët, i larguan nga puna.

Kështu, ne punëtorët shqiptarë të Radio Gjilanit mbetëm të pa punë dhe sa për arsye se faqe pushtuesi serb punësoi edhe në Radio Gjilan punëtorë shqiptarë lojal dhe të gjitha lajmet e emetuara ata i përkthenin nga serbokroatishtja. Atë kohë Redaksia e Gjuhës serbe ka patur pesë (5) gazetarë dhe dy punëtorë administrativ. Gjithsejtë Radio Gjilani të punësuar ka patur (duke i llogaritur edhe dy rojtarët- Fehmi Latifin dhe Hamdi Kajtazin – në transmetues te ish parku I qytetit) 27 punëtorë.

Çlirimi i vendit dhe 19 qershori i vitit 1999 dhe rifillimi i punës së Radio Gjilanit në liri.

Ne kështu mbijetuam sikurse edhe shumë punëtorë shqiptarë, që ishin përjashtuar nga vendet e punës nëpër ndërmarrje shoqërore-ekonomike dhe Institucionet e komunës së Gjilanit, të cilët në atë kohë nuk ishin të pakët (sipas shënimeve statistikore të punësuar gjithsejtë në vitin 1990 në komunën e Gjilanit kanë qenë diku rreth 15 mijë punëtorë të rregullt.

I tejkaluam të gjitha vështirësitë dhe mbijetuam gjatë nëntë viteve por gjithherë mendjen e kishim te dita kur do ktheheshim në vendet tona të punës. Edhe pse ajo pritje ishte e gjatë por pas nëntë viteve( 3.285 ditëve )erdhi dita e shumë pritur – dita e gëzimit, dita e çlirimit, dita e fitores, jo vetëm për ne por për të gjithë shqiptarët e sidomos për ne në Kosovë.

Pas mbarimit të Luftës çlirimtare, më 19 qershor të vitit 1999, kishte afat edhe dy ditë – deri më 20 qershor-ora 24 për ti tërhequr forcat e veta nga territori i Kosovës ushtria Jugosllave. Ne e rifilluam programin. Po, po më 19 qershor sërish u dëgjua zëri i Radio Gjilanit në Kosovën e lirë. Së pari Islam Osmani e pastaj Xhevat Piraj, lajmëruam dëgjuesit se e filluam programin përmes valëve tona 93.5 MGH. Filluam me fjalët përshëndetëse e të ëmbla në ditën e pare të lirisë.

”Përshëndetje, këtu Radio Gjilani. Po dëgjoni Radio Gjilanin në valët e përhershme 93.5 MGH. Po dëgjoni Radio Gjilanin në Kosovën e Lirë.”

Këto ishin fjalët e para që i thash unë e për të vazhduar kolegu Xhevat Piraj me përshëndetje të tilla, por atë moment nuk kishim asnjë pike muzikore në Gjuhën shqipe dhe me të shpejtë kam marr nga makina ime dy-tri audio kaseta me këngë shqipe dhe pak më vonë kemi huazuar (për të mos ia kthyer kurrë) disa audio kaseta nga shitorja e audio kasetave “ATALANTA” nga pronari Nazimi dhe kemi vazhduar edhe me muzikë.!!!

Por sërish me shumë probleme sikurse në fillim kur ishte i themeluar Radio Gjilani. Kishim probleme elementare, kishte mbetur një teknikë e vjetruar, mungonte ana financiare, ajo e zhanrit muzikor-shqiptar, nuk kishim asnjë pllakë në gjuhen shqipe nga se të gjitha që i kishim lënë kur na kishin dëbuar nga vendi i punës, serbët i kishin asgjësuar. Por si asnjëherë më parë ekzistonte gëzimi, elani për punë, të cilin nuk e kishim humbur edhe për kundër kohës së gjatë që na kishin larguar nga puna e profesioni ynë.

Por.. ku është sot Radio Gjilani, ku është sot pas 24 viteve në liri, cilat janë sfidat e problemet me të cilat ballafaqohet R.Gjilani. Sot Radio Gjilani nuk është askund. Me pensionimin e gazetarëve dhe stafit të vjetër, me mungesë financiare, me mungesë të fondit muzikor ( fonotekës), po edhe të gazetarëve dhe stafit profesional, e me ndalimin e OSBE-se që të punojë si Radio publike, nuk ekziston fare. Mungesa financiare, mungesa e donacioneve dhe ajo organizative po edhe ana profesionale tani e ka bërë të veten.

Islam Osmani, gazetar.