Fundamenti

Muret që ndajnë botën

/ 7 minuta lexim
Fundamenti

Edhe pse u bënë 23 vjet nga rënia e Murit famëkeq të Berlinit (9 nëntor 1989), ende sot, në epokën e globalizimit ekzistojnë me dhjetëra mijëra kilometra çimento muresh që ndajnë shtete, territore, familje dhe popuj të tërë. Mure për të mbrojtur dhe mure për të pushtuar, barrikada betoni dhe tela me gjemba.

Në të njëjtën kohë aq të ngjashme dhe po aq të ndryshme, muret moderne, ngritur për të mbrojtur kufijtë, aneksuar territore, luftuar emigracionin ilegal dhe terrorizmin kanë një gjë të përbashkët: ndajnë botën.

Më 9 nëntor 1989 ra Muri i Berlinit: një datë që hyri në histori si shenja më spektakolare e mbylljes së një epoke të errtë dhe rifillimi i jetës në Gjermaninë e ndarë më dysh.

I konsideruar si simboli emblematik i ‘perdes së hekurt’, ky mur ishte ai që pas Luftës së Ftohtë ndau më dysh jo vetëm Berlinin dhe Gjermaninë, por edhe gjithë Evropën në dy zona; atë nën ndikimin sovjetik dhe atë nën ndikimin amerikan.

Muri u ndërtua brenda një nate të vetme mes 12-13 gushtit 1961. Kufiri prej 155 km që ndante më dysh qytetin, ishte i fortifikuar nga dy barriera paralele çimentoje, i rrethuar nga tela me gjemba të lidhur me tension të lartë. Nga 100.000 mijë gjermanë të pjesës lindore që janë përpjekur ta kalojnë këtë mur gjatë 28 vjetëve të ndarjes, 136 prej tyre kanë lënë jetën në këtë përpjekje. Sot, ajo që ka mbetur nga ky mur është kthyer në simbol të viteve dramatike që përjetoi populli gjerman dhe vizitohet nga mijëra turistë.

Ndërtimi i mureve për qëllime mbrojtëse daton që nga kohët e lashta, kur për të mbrojtur popullin e tyre dhe territorin nga pushtuesit e mundshëm, perandorët ngritën struktura të mëdha guri për të zmbrapsur ushtritë armike. Për nga madhësia, madhështia dhe mosha, rekordin e mban pa dyshim Muri i Madh i Kinës, një strukturë gjigante me tulla e ndërtuar në shekullin e tretë para epokës së re, nën mbretërimin e Chin Shih Huang-Ti, me qëllim për të mbrojtur kufijtë veriorë të mbretërisë nga fiset Mongole. Muri më i gjatë në botë kalon nga Gjiri i Liao Tung deri në Tibet, duke vijëzuar kufirin verior të Kinës me një lartësi që ndryshon nga 4.5-12 metra, ndërsa gjerësia arrin 9.5 metra. Por, sa i gjatë është ai? Deri disa vite më parë ishte menduar se ishte afërsisht 6350 km, por matjet më të sakta të marra në vitin 2009, duke përdorur teknologjitë më të përparuara, e zhvendosën shifrën në 8.851, pra 2500 kilometra me tepër se shifra e vlerësuar më parë. Por ka më shumë: matjet e reja të vitit 2012 vlerësojnë se ky ‘gjarpër’ i madh prej guri është i gjatë 21.196,18 km.

Mes mureve që kanë shënuar historinë e lashtë mund të përmendim Murin e Adrianit, një fortifikim prej guri e ndërtuar në gjysmën e parë të shekullit të dytë pas epokës sonë nga Perandori Adrian, në mënyrë që të mbronte kufirin verior të Perandorisë Romake në Britani.

RCCOLA

I gjatë 173 km, me lartësi 5 metra dhe gjerësi 3 metra, fortifikimi shtrihej nga Wallsend-on-Tyne, në Detin e Veriut, në afërsi të Newcastle, në Bowness, në Solway, në detin irlandez, duke e ndarë ishullin në mënyrë efektive në dy pjesë. Duke u transformuar gjatë shekujve nga një mur i imponuar mbrojtës në një atraksion turistik, ‘Roman Wall’ (muri roman), ka mbijetuar deri në ditët e sotme: një pjesë e mirë e murit, sidomos pjesa qendrore e tij, është në fakt ende sot e dukshme. Në vitin 1987 ai është shpallur pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO.

Çfarë do të ishte Belfasti pa muret e tij? Barriera betoni ose prej tullash, me metal, rrethime të thjeshta apo gardhe, me ose pa tela: këto janë ‘Vijat e Paqes’ në Irlandën e Veriut, barrierat e ndërtuar duke nisur që nga vitet shtatëdhjetë, të cilat ende sot mbajnë të ndarë komunitetin e krishterë nga ai protestant.

Ndërsa në pjesë të tjera të botës, komunitete të tëra protestojnë për të eliminuar të ashtuquajturin “murin e turpit”, në Belfast jo vetëm që askush nuk mendon t’i prekë muret ekzistuese, të cilat konsiderohen të nevojshme nga shumica e popullsisë, por ato vazhdojnë ende të zgjaten, të lartësohen dhe të zbukurohen me afreske gjithnjë e më të mëdha dhe me ngjyra të ndryshme.

Në 26 vjet, që nga vitet 70-ta, që shënojnë kulmin e konfliktit mes dy komuniteteve, sot numërohen 88 struktura të qëndrueshme murale, nga të cilat më tepër se gjysma përshkojnë Belfastin.

Jo të gjitha muret që ndajnë botën janë të mëdha dhe të ndërtuara me super-teknologji; edhe një barrikadë e thjeshtë e krijuar me kënaçe, thasë me rërë, tela me gjemba apo tulla, mund të bëhet një barrierë e pakapërcyeshme, e aftë që të mbajë një ishull të tërë të ndarë për gati 40 vjet. Si rezultat i pushtimit turk të vitit 1974, Qiproja është e ndarë në dy pjesë nga e ashtuquajtura “vijën e gjelbër”, një zonë e demilitarizuar e kontrolluar nga helmetat e kaltra të Kombeve të Bashkuara, që ndan Republikën e Qipros nga Republika Turke e Qipros, e cila ende është e zënë nga ushtria turke.

Të 180 kilometrat e murit që e presin në mes ishullin nga lindja në perëndim, duke kaluar nëpër kryeqytetin Nikosia, në fakt kontrollohen vetëm nga qipriotët turq, pasi qipriotët grekë nuk e njohin këtë kufi, ashtu si dhe i tërë komuniteti ndërkombëtar nuk e njeh Republikën Turke të Qipros, me përjashtim të qeverisë së Ankarasë. Dhe pikërisht në Qipro është shpikur për herë të parë termi “vija e gjelbër”. Ishte viti 1964, kur gjenerali Peter Young, komandant i forcave britanike që kishin fuqinë në ishull, me një laps të gjelbër hoqi një vijë në hartën e Nikosias për të ndarë lagjet e veçanta greke nga ato turke, të cilat që atëherë ishin shesh i përleshjeve të mëdha. Termi ‘vijë e gjelbër’ që nga ajo kohë përdoret për të përcaktuar kufirin e përkohshëm mes dy palëve në konflikt.

Muret e Izraelit janë në rritje dhe janë bërë gjithnjë e më teknologjikë. Muri që daton nga viti 2002, i ashtuquajtur “barriera e sigurisë” me Bregun Perëndimor, me 730 kilometra e tij të gardhit dhe betonit që gjarpëron përmes lagjeve të Jerusalemit dhe Betlehemit , në 85 për qind të tij ky mur përshkon territorin palestinez dhe vetëm 15 për qind ndodhet në afërsi të vijës kufitare. I krijuar fillimisht me synimin për të ndarë shtetin hebre nga territoret e Bregut Perëndimor, për ta mbrojtur atë nga sulmet e mundshme terroriste, në realitet, muri prej betoni me lartësi 8 metër depërton edhe përtej “vijës së gjelbër” të vendosur nga Kombet e Bashkuara në vitin 1967, duke krijuar kështu ishuj palestinezët brenda territorit izraelit. Për këtë arsye, në vitin 2004 muri i Izraelit u vlerësua “në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar” nga Gjykata e Drejtësisë e OKB-së.