Kosovari i dënuar me vdekje i shkruante Nexhmije Hoxhës: S’kam frikë nga vdekja, neve veç pushka na ka marrë

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Një letër e një të dënuari politik nga Kosova është publikuar në rrjetet sociale së fundmi.

E shkruar në shkurt të vitit 1990 i dënuari politik, Haxhi Baçinozi i drejtohet gruas së Enver Hoxhës, Nexhmijes me një letër të gjatë.

“Jua drejtoj këtë letër me qëllim përgjigje dhe përgjigjja juaj do të jetë ekzekutimi im. Por jam krenar t’i jap fund këtij poshtërimi dhe asgjësimi të ngadalshëm”, thuhet mes tjerash në letrën e tij.

“S’kam frikë nga vdekja, se jam pjellë e atyre që veç pushka i ka marrë dhe vdekjen e kanë përbuzë. Natyrisht që ju nuk do të keni kurajo me më ekzekutu direkt, por me metoda të stërholluara siç keni bat tash e 46 vjet, por dije se gjithë shqiptarët nuk do t’i shfarosësh”

Kjo është letra e plotë e publikuar e Haxhi Baçinozit dreëjtuar Nexhmije Hoxhës

Letra drejtuar Nexhmije Hoxhës

Znj.kryetare!

Një kosovar i dënuar në Shqipëri me burg të përjetshëm kërkon përgjigje. Quhem Haxhi Baçinozi, pinjoll i një familje luftëtarësh që qëndruan në malet e Kosovës 15 vjet me radhë me armë në dorë, më hollësisht shih Enciklopedinë Shqiptare! Jam arrestuar në radhët e ushtrisë në vitin 1981 krimi agjitacion e propagandë, paragrafi nr.55 i Kodit Penal dhe duke vuajtur dënimin në burgun skëterrë të Qaf Barit. Në maj 1984 arrestohem përsëri, por kësaj radhe si pjesëtar i organizatës kundërrevolucionare, fantazia e bandës kriminale të Sigurimit të Shtetit nuk njeh kufi, imagjino organizatë kundërrevolucionare e krijuar brenda telave me gjemba e grykës së mitralozave dhe me këtë mora një dënim të përjetshëm e gjendem në burgun mesjetar të Burrelit, natyrisht mbas një torturimi fizik dhe psikik dhe një gjyqi me dyer të mbyllura dhe në mbarim të gjyqit më merret akt-akuza me dhunë nga inkuizitorët e mi, e të dhjetëra-mijëra të pafajshmëve si unë, këto ishin një e qindta e atyre që unë kam heq, e po heq aktualisht në burgun tuaj shfarosës të Burrelit.

Mobi Casa

Të përshkruhen krimet e gjenocidit që ushtrohet mbi popullin shqiptar nga regjimi juaj rreth një gjysëm shekulli me radhë, duhen penat e sociologëve e shkrimtarëve të të gjithë botës dhe zor se do të ishin në gjendje me e portretizuar realitetin tragjik të këtij populli të martirizuar. Por desha t’ju pyes ju çfarë i kam bërë unë shtetit konkretisht dhe kush jam unë? Një njeri krejt i thjeshtë me arsim fillor, pra kuptohet edhe aftësia ime për t’ju rrezikuar juve pushtetin.

Për të tilla “krime” asnjë lloj regjimi diktatorial as që do të merrte mundimin me më pyetur dhe jo më të më merrte rininë dhe krejt jetën time, përveçse regjimi juaj gjakatar.

Ku keni ju gojë të flitni për humanizëm apo për të drejtat e njeriut, kur ju keni 46 vjet që torturoni një popull 3 milionësh që Shqipërinë e keni kthyer në burg 28 mijë km2. Mbasi nuk njeh historia që një vend të quhet shtet e të jetë i rrethuar me tela me gjemba. Ju arritët t’i shpërfytyroni shqiptarët duke i shkaktuar dëme shqiptarëve, si mund të flitni në mbrojtje të kosovarëve kur me qindra kosovarë që erdhën në Shqipërinë e pas luftës vdiqën ose u gjymtuan përjetë në kampet e burgjet shfarosëse të çifligut të burrit tuaj. Kalaja e Gjirokastrës, Maliqi, Tërbufi, Thumana, Bedeni i Kavajas, Zadrima, Bulqiza, Spaçi, Batra dhe maja e ajsbergut të krimeve, Burreli, do të kujtohen brez pas brezi si varrezat e mijëra shqiptarëve të pafajshëm në këto vende pellgje gjaku kufomash e gjymtimesh. Ka arritur të hajë të vjellat e shokut i burgosuri juaj, atëherë me ç’të drejtë flet për kosovarët kur sot e kësaj dite dergjen prej 3 dekadash me dhjetëra kosovarë, një përqindje e vogël e atyre që janë shfarosur nga banda kriminale e sigurimit të shtetit, me sloganin e njohur “agjentë të UDB-së” jugosllave. E atëherë si mund të flitni për kosovarët që jetojnë në Jugosllavi, kur ju s’keni lanë krim as poshtërsi pa ju bërë e që me dhjetëra si unë na mbani hala në burg, kur në Jugosllavi asht demokracia amerikane nëse mund të bëhet krahasim me terrorin që ekziston në burgun tuaj 3 milionësh. Ju, me paturpësi arritët me i bë telegram Nelson Mandelës, duke e ngushëlluar për “vuajtjet” në burgjet raciste, kur ai bën burg me çokollata dhe është politikan i deklaruar dhe kur në burg takon gazetarë e personalitete nga e gjithë bota dhe në rast sëmundje, kurohet në klinika private. Kurse mua, e qindra si unë, njerëz të zakonshëm, nuk lejohet as shokë, as miq as farë e fis, vetëm familja në takim dhe ky takim vetëm 10 minuta në muaj nëpërmjet një sporteli të blinduar ku nënat tona nuk na shohin vetëm 1/3 e fytyrës. Po kufizimi i ushqimit në 2 kg në muaj. A ka krim më çnjerëzor se një trajtim I tillë dhe kundër kujt pa? kundër njerëzve të pafajshëm, a mendon se nënat e motrat shqiptare këtu në Kosovë i ke veshë në të zeza, sa gra i ke lanë të veja dhe sa mijë jetimë. Për këto gjana nuk do të ketë as sociolog, as shkrimtar në glob t’i përshkruajë apo portretizojë realisht një gjenocide të tillë, që nuk njeh asnjë periudhë e historisë njerëzore. Ju kujtoj një thënie shqiptare se “met nana pa djalë, se nuk met gjak pa marrë”!

Jua drejtoj këtë letër me qëllim përgjigje dhe përgjigjja juaj do të jetë ekzekutimi im. Por jam krenar t’i jap fund këtij poshtërimi dhe asgjësimi të ngadalshëm.

S’kam frikë nga vdekja, se jam pjellë e atyre që veç pushka i ka marrë dhe vdekjen e kanë përbuzë. Natyrisht që ju nuk do të keni kurajo me më ekzekutu direkt, por me metoda të stërholluara siç keni bat tash e 46 vjet, por dije se gjithë shqiptarët nuk do t’i shfarosësh.

I dënuari politik, Haxhi Baçinozi

18 shkurt 1990