Meti Rexhepi: Muza e dashurisë shqipëtare
Merxhan Avdyli: Diell në sytë e saj. (Antologji e poezisë shqipe për gruan); EMBETA, Prishtinë, 2025
Libri me poezi të përzgjedhura për gruan me autorë të periudhave të ndryshme, i poetit dhe ligjëruesit universitar Profesor Dr. Merxhan Avdylit, është një nga librat e vëllimshëm që brenda 460 faqesh përfshin poezitë e 153 poetëve dhe, dy vështrime hyrëse, njëri i recensentit Profesor Dr. Bajram Kosumit dhe tjetri shtrohet si fjalë hyrëse e parathënies për këtë antologji të veçantë nga hartuesi i saj.
Është me interes shkrimi i shkurtë “Gruaja e munguar”, por i mjaftë i dendësuar me përgjithësime konstatimesh teorike i profesor Bajram Kosumit. Ai ngre pikëpamje për mënyrat e trajtimit poetik- artistik të qasjes ndaj gruas në poezinë shqipe. Sipas studiuesit Kosumi “Gruaja ka qenë mysafire në poezinë shqipe të traditës.” Më tej ai tumirë konstatimin sintetizues për poezinë “e hapur romantike”, që himnizimi i bukurisë “rri pezull midis materies dhe idesë, midis një gruaje konkrete dhe një imagjinare, midis gruas së bukur dhe bukurisë estetike.” Sinteza e bukurisë eterike i atribuohej poetit Naim Frashëri; po kështu përvijimi i këtij konceptimi të dashurisë për gruan, pothuajse, e njëjta qasje konceptuale haset edhe te Lasgush Poradeci, “te i cili, konstaton Bajram Kosumi, me një dallim se, dashuria rri ndërmjet tokësores dhe kozmikes, ndërmjet konkretes e imagjinatës.”Gjithnjë duke iu referuar konceptimit të këtij diskursi vijmë në gjysmën e dytë të shekullit njëzet, kur “gruaja zë herë pas herë fronin e mbretëreshës.”
Në vijim pa të thelluar evoluimin konceptual të qasjes së poezisë shqipe ndaj gruas, ndjekim kapërcejtë e periudhave, kur poezia tradicionale hyri në periudhën e saj sensuale e seksuale deri te periudha e teknologjisë virtuale, kur poetët ndjenjave të dashurisë po ia nënshtronin një lloji të ripërkufizimit të marrëdhënieve burrë – grua sipas interesash shoqërore, psikologjike, materiale ose fare pak kushtëzimeve dashurore.
Autori i antologjisë së poezisë shqipe me epiqendër shtjellimesh për femrën Merxhan Avdyli, këtë përfaqësim të një game të gjerë poezish e poetësh për gruan shqiptare, e kurorëzoi me metaforën e ngrohtë, siç janë të ngrohta motivimet e dashurisë “DIELL NË SYTË E SAJ.” Përmes qëmtimit të një metafore të tillë, përzgjedhësi mëtoi të ngërthente brenda kopertinash shumësi motivimesh e metaforash për femrën si dashnore e grua, si objekt e subjekt frymëzimesh e ndjesish dallgëzuese të forta e të përhershme, si termometër i gjallërisë shpirtërore si ethe – sjellëse e ethe – shuarësi, si fat i mëtuar për t’u prekur i pashuar, si trazim e bekim jetësor si begati e fisnikëri, si trashëgimi e racës njerëzore. E tërë kjo gamë përmbajtjesh ndjeshmërie paraqitet në vargje kontrastesh, apostrofimesh të theksuara dhe përputhshëm me ngjyra stinësh në vegjetimet e gufuara shpirtërore të poetëve.
Në parathënien e tij “Po vijnë gratë”, Merxhan Avdyli shtron shkakun dhe kriterin e përzgjedhjes së poetëve e të poezive në tërë gjeografinë e shtrirjes së tyre, të atyre që kryesisht i përgjigjen veçantisë së kriterit të parashtruar për përfshirje në këtë antologji. Pa dyshim këtu janë përfshirë poezi të poetëve të gjitha periudhave dhe formacioneve stilistike – letrare; ata që kanë shkruar për dashurinë ndaj femrës, por “janë përfshirë poezitë në të cilat personazh lirik është gruaja e poetit, e në ndonjë rast edhe e dashura, si grua, si bashkëshorte potenciale”*
*Merxhan Avdyli “Diell në sytë e saj”, EMBETA, Prishtinë, 2025; f. 11
Hartuesi i antologjisë pohon qartë se cili është treguesi i kahes së busullës tij orientuese: përzgjedh vargjet e mëtimit antologjik për gruan duke i vënë në pah cilësitë, shpërfaqjet e tipareve të femrës “si grua, si bashkëshorte, si bashkudhëtare të jetës, si besnike, si shtëpiake, si punëtore, por edhe si nënë…” Merxhan Avdyli në parathënien e tij “Po vijnë gratë”, ndjehet i lehtësuar për përzgjedhjen që ua ofron lexuesve, shpreh bindjen se me përvojën që shpërfaq kjo antologji “e ka thyer dhe i ka tejkaluar të gjitha paragjykimet dhe favorizimet hapësinore, kohore, krahinore, ideore, politike, fetare, urbane, rurale, pa të cilat deri tash asnjë, ama asnjë antologji e poezisë shqipe nuk është hartuar, për sa kam unë njohuri që nga “Antologjia e lirikës shqipe (1970) e Rexhep Qosjes e deri te “Antologji e lirikës shqipe të dashurisë”(2024) të Agim Vincës, të cilat megjithatë nuk kanë mundur të ikin nga paragjykimet apo favorizimet, për përfshirjen e poetëve. Për antologjitë e tjera të poezisë shqipe, që sipas një statistike janë rreth 400, as që vlen të diskutohet, sepse janë mjerisht të stërngarkuara me paragjykime, me favorizime dhe me kritere jashtëletrare”*
Përmasa zotëruese e poezive në këtë antologji është dashuria e kapur nga kënde e mjedise të dukshme, piktoreske dhe urbane me gjendje të nxehtë e të tendosur të ndjeshmërisë, me mallëngjim e lektisje në çaste frymëzimesh, kur vërshojnë dallgëzime ndjenjash që mëtojnë përmbushje herë të përmbajtura, herë të papërmbajtura, duke shmangur dashurinë eterike për një dashuri krejtësisht reale, të prekshme e tokësore. Megjithatë, ndjejmë se ku e ku motivimet e dashurisë perceptohen si fisnikëri estetike, si bukuri e sublimes jetësore e mpleksur me dukuritë e mrekullive të natyrës, si dhimbje e bukur, atëbotë kur ëndrra dhe zhgjëndrra sprovojnë gjakimet e njërës palë, përderisa pala tjetër ngre ledhe… Ledhet mes zemrash shkaktojnë rropatje deri në majat e përshkallëzimeve dramatike, që sfondit përbashkues i zmadhojnë apo zvogëlojnë ngjyrat e ndezura të shpresës.
Thërritja e së dashurës aty ku zotëron vetmia, lirikës së dashurisë i jep trajtën e ndjekjes së vetmisë, asaj vetmie brejtëse, pa përmbajtje, shurdhuese si vetmia e një druri pa zogj e cicërima:
“Eja, mbështetemi te pema
Në vetminë e saj prej druri.
Te stoli të ulemi, eja,
Në vetminë e tij prej guri.”
Mandej gjakimi i dashurisë shtrin përmasën e vetmisë deri te ylli, që shikimet e njëjta mund t’u kenë ndeshur në të njëjtin yll e, ndonëse në tokë dy zemra, që do të duhej të duheshin, rrinë të ndara:
“Si stoli me trungun e heshtur.
Mbjellë shumë vite më parë?” (Frederik Reshpja: Lirikë intime)
Kësisoj e shpreh trajtën e vetmisë që shkaktoi ftohtësi te poeti Frederik Reshpja dhe, vetmia i solli zëmrës së tij trishtimin së bashku me ngërthesën metaforike të gjendjes së mungesës. Pikërisht grishja e tillë e objektit të dashurisë për përmbushje të subjektit poetik zgjeron hapësirën për shtrirje të përsiatjeve poetike mes mungesës dhe ngazëllimit. Mes këtyre dy kahesh lëviz, ngritët dhe ulet zhiva e termometrit dashuror ndjenja gufues, gatuese ndijimesh e gjetjesh metaforike që ngrihen në nivelin e artit të fjalës e të porosisë artistike.
Ndonjëherë çelësi i zemrës nuk gjendet te objekti i adhuruar për t’ia hapur mëtuesit, ngaqë simpatia nuk reflekton simpati dhe, zjarrmia e përmbushjes sjell drithërime malli,
*Po aty; f. 12
pastaj lot të dukshëm dhe të padukshëm, sikurse rrjedhat ujore nën syprinë.
E veçanta e kësaj antologjie poetike “DIELL NË SYTË E SAJ”, e përzgjedhur nga poeti dhe studiuesi Merxhan Avdyli është përkushtimi dashuror ndaj femrës, pra vetëm i njërës gjini ndaj tjetrës, të meshkujve për vashën, gruan, bashkëshorten dhe nënën. Poeti Zyhdi Morava (1946 – 2010) në pesëvargëshin e tij “Për gruan” shkruan:
“Shtrati i zbrazur pa aromën e gruas,
Varr që ha netët,
Gruan ah gruan,
Po të mos e kish krijuar Zoti,
Do e kishin shpikur poetët.
”*Përzgjedhësi i antologjisë është i bindur se bota poetike e femrës do të jetë receptuese pikërisht për qasjet, përshkrimet e relievit e të fizionomisë së saj duke qenë gjithnjë një natyrë e gjallë dhe joshëse, e cilësuar, e vlerësuar për vendin e pazëvendësueshëm në jetën reale të burrit, mandej si burim e muzë e pashtershme frymëzimesh; madje e veshur me epitete imagjinare tej reales nga varg thurësit, që nga vashëria deri te ndjesia e butë amnore e nënës.
Hartimin e një antologjie të tillë, autori e konsideron si njërën nga vlerat që i mungonte letërsisë shqipe, madje vlerë funksionale, që do t’i shërbente si model dhe referencë për antologji të kësilloj të munguara në letërsinë shqipe. Po në këtë frymë, ndoshta do të ishte e mirëseardhur një antologji e llojit përkushtues të poezisë së dashurisë të botës femërore përkitazi subjektit djaloshar e burrëror, nga shpalosja e ëndrrave dhe ndjeshmërive femërore për shëmbëlltyrat e zemrave e të projeksioneve dashurore të sublimes së tyre?
Antologjia e poezisë shqipe e dashurisë për gruan “DIELL NË SYTË E SAJ”, nga përzgjedhja e profesor Merxhan Avdylit rrokë përmasë të gjerë të kohështrirjes e të ndikimit të formacioneve stilistike – estetike, që nga poeti prijatar i kësaj antologjie Sulejman Naibi, të cilit i mungon vit-lindja, por vit-vdekja shënon vitin 1772. Kjo nismë portretesh ka radhitur në fund Romario Xhaferin, i lindur në vitin 1994. Renditja e poezive të poetëve të kësaj antologjie është shtruar sipas rendit kohor të moshë – shtrirjes, të shënuar nën emrin e mbiemrin e vitlindjeve dhe vit – vdekjes, për të gjithë ata që i mori në amshimin e vet të pasosur vdekja, ndërsa për të gjallët është shënuar vit – lindja.
Duket se autori i antologjisë nuk favorizoi asnjë autoritet letrar sado rrezatues qoftë në poezinë shqipe, mbase as Lasgush Poradecin, prej të cilit përzgjodhi vetëm tri poezi. Poeti kombëtar Naim Frashëri (1846 – 1900) përfaqësohet me poemën “Bukuria”, me nga gjashtë poezi përfshihen Dritëro Agolli (1931 – 2017) dhe Ismail Kadare (1936 – 2024); me nga pesë poezi Ndoc Gjetja (1944 – 2010) dhe po aq Xhevahir Spahiu (1945); të tjerë poetë përfaqësohen kryesisht me nga një, dy, tri e katër poezi.
Vlen për ta theksuar që në këtë antologji poezish për femrën shqiptare, hartuesi e ka parë të arsyeshme që t’i ketë në faqet e këtij libri antologjik edhe poezitë e disa prej personaliteteve të shkencës e të kulturës shqiptare, që si të tillë nuk e kishin përkushtim jetësor artin e të shkruarit në vargje, por që në rininë e tyre kishin shkruar poezi dashurie si Eqrem Çabej (1908 – 1980), Vedat Kokona (1913 – 1998), Muzafer Xhaxhiu (1921 – 2012). Eqrem Çabej edhe si poet zë vend të konsiderueshëm në këtë renditje antologjike me 11 (njëmbëdhjetë) sonete të poezisë së tij “Një fat na lidhi, një fat na la.” Në fund të secilës nga këto tingëllima janë shënuar data, që nga 23-24. V. 1949 deri më 1950.
*Po aty; f. 199
Te një mori poetësh (26) sitsh përkushtimet e motivimit të dashurisë dalin me emra konkret, emra të përveçëm, por gjashtë poetë shënojnë vetëm inicialet e shëmbëlltyrave të tyre të dashura, sikurse Migjeni (1911 – 1938) te poezia e tij Z. B.
Te të gjithë poetët motivimet e dashurisë burojnë nga shtytje pamjesh të ndryshme dhe, laramani e gjerë ndjeshmërie për femrën, që mëtojnë ta kenë në prekjet dhe përmbushjet e tyre gjithfarëshe dhe, për gruan që e kanë si një kapital i paçmuar shpirtëror, fiziologjik dhe etik me jetëgjatësi të përhershme lumturie. Nëpërmjet shtjellimesh metaforike, krahasimesh, simbolesh, epitetesh anames çiltërie, hasim pikturime të tipareve me shquarsi të cilësive, joshje formash, karaktere me naze, por edhe mëdyshje, ndjenja të dhimbjes e të kërkimeve të përhershme pas dashurisë deri në humbje tragjike, si te Zef Serembe (1844 – 1901), në poezinë “Vashës së largët”:
“Fati ynë është shumë i fortë
Se na jep helme dhe mort,”
E përshkuar me nota të zymta shpërfaqet një këso trajte dashurie konotacionesh të kobshme:
“Plagë e rëndë s’hiqet dot
Që më bëre ti qëmot:
Qenë ilaçe e qenë bare
Që s’më vlejtën mua fare.”
Në lektisjet romantike të poetit Serembe për ta fituar luftën për vashën e idealit të dashurisë së tij, që i ishte larguar nga arbëreshët e Italisë në Brazil, pëson disfatën e pakthyeshme të jetës:
Nuk pushon ky helm i fort,
Që na jep përdita mort”*
Dhimbja e pashëruar e humbjes së gruas së jetës, pos elegjisë së mirënjohur “Vaje” të Andon Zako Çajupit (1866 – 1930) gjeti shprehje edhe në dhimbjen për gruan në vargjet e poetit bashkëkohës Sabit Idrizi (1955 – 2023) “Ç’ngjyrë do të marrë deti”:
Mes dy pëllëmbëve të mia që digjen
Shtrëngoj duart tua prej akulli
Dhe pyes veten
Ç’ngjyrë do të marrë deti
Pas perëndimit të këtij shikimi të mugët
Që po ma shpon ballin…”*
Presim që autori i antologjisë “DIELL NË SYTË E SAJ” edhe një mori emrash të poezisë shqipe, të cilët i mungojnë brendisë së kopertinave të kësaj antologjie, mund t’ua lërë hapësirën e duhur në një ribotim të zgjeruar e të fisnikëruar me poezi dashurie përkushtuar grave të ëndrrave të tyre nga poetët, aty ku i përgjigjen kërkesave të kësisoj antologjie: Martin Camaj, Enver Gjerqeku, Din Mehmeti, Abdylaziz Islami, Murat Isaku, Rrahman Dedaj, Azem Shkreli, Teki Dervishi, Beqir Musliu, Ymer Shkreli, Ibrahim Kadriu, Hasan Hasani, Mirko Gashi, Sokol Zekaj, Zejnullah Halili, Isak Ahmeti, Anton Nikë Berisha, Anton Papleka, Zeqir Gërvalla, Jusuf Gërvalla, Jonuz Fetahaj, Nexhat Halimi, Shefik Shkodra, Rushit Ramabaja, Nuri Plaku, Shaip Beqiri, Prend N. Buzhala, Qerim Arifi, Ramadan Musliu, Mujo Buçpapaj, Basri Çapriqi, Halil Matoshi…
*Po aty; f. 22-23
*Po aty; f. 287
Hartimi i një antologjie të këtillë qoftë për saktësinë, shijen e hollë të matjes së vlerave të akëcilit autor vargjesh dhe, vënia për zbatim e kriterit të paanshmërisë, megjithatë nuk i shpëtojnë rrëshqitjes apo mospërfshirjes të paqëllimtë ose të ndonjë përfshirjeje të cenueshme të kriterit të parashtruar estetik. Hartimi i antologjive kërkon tumirje shijesh bashkautorësh.
Mirëpo, pa dyshim hartuesit të kësaj antologjie, poetit dhe profesorit Merxhan Avdyli nuk i mungojnë as shija e përthellimeve të tilla profesionale, as kultura e gjerë letrare – artistike e estetike, as përgjegjësia morale që t’ua sillte letrave shqipe këtë freski: poezinë e dashurisë për gruan shqiptare./rajonipress/


