Doli nga shtypi monografia “Trungu Gjenealogjik i Familjes Haziri” e prof. Rahim Azemit
Gjilan – Një udhëtim shkencor dhe historik nga djepi i Berishës në Pukë e Iballë, deri në kreshtat e Karadakut të Gjilanit.
Ka dalë nga shtypi libri më i ri i studiuesit prof. Rahim Azemi, me titull “Trungu Gjenealogjik i Familjes Haziri (Malësia e Shkodrës – Stançiqi i Karadakut)”. Ky studim i rëndësishëm vjen si një përgjigje shkencore ndaj mungesës së dokumenteve të shkruara historike, duke ndriçuar rrugëtimin e familjeve shqiptare. Libri kapërcen kufijtë e një kronike të thjeshtë dhe shndërrohet në një monografi të mirëfilltë mikro-sociologjike, e cila pasqyron dinamikat e mbijetesës dhe ruajtjes së identitetit kombëtar.
Në qendër të këtij kërkimi qëndron vllaznia e Dabajve të Stançiqit, një degëzim i fuqishëm i trungut të lashtë të fisit Berishë. Kjo histori nëntëbrezëshe lidh në mënyrë organike majat e thepisura të Pukës dhe Iballës me kreshtat e Karadakut të Gjilanit. Përmes kësaj optike, zhvendosja e familjes Haziri nuk shfaqet si një lëvizje e izoluar, por si pjesë integrale e valëve të mëdha demografike që përfshinë hapësirën mbarëshqiptare në shekujt e kaluar.
Për prejardhjen e këtij trungu familjar, autori ka gjetur një mbështetje të fuqishme në historiografinë dhe etnologjinë tonë. Ai bazohet në studimet e Hazir Hoxhës për Pukën, në defterët osmanë të shekujve XV-XVI të Selami Pulahut, si dhe në referencat e shkencëtarëve e albanologëve të shquar si Atë Bernardin Palaj, Zef Valentini, Robert Elsie, Franc Nopça, Hyacinthe Hecquard e Kahraman Ulqinaku. Këto burime dëshmojnë se shpërngulja e të parëve (Mema, Kola, Gjoni) ishte një mbjellje e fisnikërisë pukjane në tokën e Karadakut.
Autori e krahason hulumtimin e tij me punën e minatorit që gërmon thellë në minierë për të gjetur xehen e çmuar. Për të ndërtuar këtë arkitekturë shkencore që dëshmon rrugëtimin e familjes që nga fillimi i shekullit XVIII e deri më sot, prof. Rahim Azemi ka gërshetuar burimet e shkruara historike me të dhënat empirike dhe dëshmitë e të moshuarve. Libri analizon me detaje se si migrimi shërbeu si mjet mbijetese nga trysnia, dhuna dhe robëria e Perandorisë Osmane dhe asaj serbo-sllave.
Përtej gjenezës, kjo vepër e parë e këtij lloji studion zhvillimin e popullsisë (natalitetin dhe mortalitetin), të arriturat në arsim, politikë, kulturë e sport, duke mbetur një pikë e rëndësishme referimi për gjeneratat e ardhshme. Autori thekson se ky punim me karakter teorik dhe pragmatik hap rrugën për kërkime të reja, duke u lënë barrë studiuesve të rinj, gjuhëtarëve, sociologëve dhe historianëve që ta pasurojnë edhe më tej këtë lumë historie me të dhëna të reja.
Promovimi i librit do të mbahet më 26 shtator, pikërisht në vendlindjen e autorit – në fshatin Stançiq. Ky aktivitet do të bëjë bashkë familjarë, bashkëvendas dhe njerëz të shkencës e të kulturës, për të festuar promovimin e një vepre që dokumenton rrënjët, kodet e nderit, besës dhe traditave të një familje të madhe./rajonipress/



