Rifillojnë punimet në hyrje-daljen e qytetit në drejtim të Prishtinës
Gjilan – Pas një periudhe të gjatë pezullimi, projekti për rregullimin e hyrje-daljes së Gjilanit në drejtim të Prishtinës pritet të rifillojë. Komuna e Gjilanit ka njoftuar se sot është nënshkruar kontrata e re për vazhdimin e punimeve, e cila është prezantuar nga nënkryetari i komunës, Arianit Sadiku.
Ky projekt kishte mbetur i papërfunduar për një kohë të gjatë, duke shkaktuar vështirësi për banorët e zonës dhe duke ndikuar në qarkullimin në një nga segmentet e rëndësishme të komunikacionit të qytetit.
Sipas Komunës së Gjilanit, pas shkëputjes së kontratës së mëparshme dhe ndërprerjes së punimeve, gjatë procesit të vlerësimit janë evidentuar edhe probleme teknike që kanë kërkuar rishikimin dhe riprojektimin e projektit.
Me kontratën e re është paraparë vazhdimi i punimeve mbi bazën e projektit të rishikuar, ndërsa mbështetja financiare e Qeverisë së Kosovës, përmes Ministrisë së Infrastrukturës, synon të mundësojë përfundimin e këtij segmenti rrugor.
Komuna e Gjilanit ka deklaruar se mbetet e përkushtuar në trajtimin e projekteve të papërfunduara dhe në përmirësimin e infrastrukturës publike, me synim lehtësimin e qarkullimit dhe krijimin e kushteve më të përshtatshme për qytetarët.
Rifillimi i punimeve rikthen në vëmendje një prej projekteve infrastrukturore të mbetura pezull, ndërsa përfundimi i tij pritet të ndikojë drejtpërdrejt në qarkullimin në hyrje dhe dalje të Gjilanit në aksin drejt Prishtinës./rajonipress/


