Mbijetesa me varfëri ekstreme në Kosovë

/ 10 minuta lexim
Uji Dea

Çdo ditë kanë një vendtakim të njëjtë, të njëjtin qëllim. Ata mblidhen në skaj të rrugës tek ish “Fabrika e Tabetave” në Prishtinë për të pritur t’i marrë dikush në punë si punëtorë krahu. Edhe në temperaturat e larta, ku djerset kishin kapluar nga i nxehti ata prisnin skaj rruge me shpresë se do të dërgojnë diçka në fund të ditës në shtëpi.

Milazim Hasani nga Fushë Kosova, i cili kujdeset edhe për 9 anëtarë të tjerë të familjes përfshirë edhe fëmijët e vëllait të tij, brenda javës 1 deri në 2 herë gjen punë.Për punën që bën thotë se paguhet nga 10 deri në 15 euro në ditë ndërsa në disa firma të ndërtimit ankohet se ka ndodhur që nuk e kanë paguar fare. “Më shumë na marrin privat kur kanë për ta kryer ndonjë punë rreth shtëpisë, ndërsa këto firmat e ndërtimit kur na marrin nganjëherë një muaj punojmë e nuk na paguajnë”, tregon ai. Hasani nuk merr as ndihmë sociale ndërsa as nga qendra e punësimit nuk i ofrojnë punë.

“Jam paraqitur disa herë në Qendrën e Punësimit por asnjëherë nuk më kanë ofruar punë”, ka thënë ai. Të njëjtin hall e ka edhe Nexhmi Krasniqi, i cili nga Lipjani vjen çdo ditë në Prishtinë për të kërkuar punë. “Është shumë e vështirë të jesh kryefamiljar dhe të mos kesh me çka t’i ushqesh. Jemi 6 anëtarë të familjes. Jam lajmëruar disa herë në Qendrën e Punësimit në Lipjan por nuk më kanë ofruar punë, edhe aty po shkon krejt me të njohshëm”, ka thënë ai.

Për krizën e madhe që ka kapluar Kosovën ka raportuar edhe Banka Botërore sipas së cilës varfëria ekstreme, e cila përkufizohet si jetesa me më pak se 2.5 dollarë në ditë, në Kosovë ka arritur në 30 për qind, derisa varfëria e moderuar, e cila nënkupton jetesën me pesë dollarë në ditë, ka arritur në rreth 50 për qind.

S’dihet numri i fëmijëve lypsarë

Në anën tjetër të qytetit sheh rrugët përlot me fëmijë lypsarë e të tjerë që shesin gjësende. Nuk është e zorshme të vëresh numrin e shtuar të tyre dita e ditës, ndërkohë që institucionet e Kosovës nuk e dinë saktë sesa është numri i tyre .Bexhet Shala, nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KLMDNJ), i preokupuar nga ky fenomen, thotë se edhe pse nuk ka ndonjë numër të saktë për një fenomen të tillë, MPMS-ja do të duhej që të identifikonte këtë problem dhe të bënte zgjidhjen.

Ai akuzon edhe shkollat për këtë gjë. “Ata nuk e dinë as numrin e saktë të nxënësve se sa vijojnë mësimin, nuk interesohen për këtë, shkolla do të duhet të bashkëpunonin me ministrinë dhe kjo gjë të largohet nga shoqëria jonë”, ka thënë Shala.

Problem i madh mbete sëmundjet të cilat mund të marrin këta fëmijë duke kërkuar nëpër kontejnerë. Kohët e fundit numri i fëmijëve që kanë shkuar në Klinikën Universitare të Kosovës për t’u shëruar nga këto sëmundje është rritur.

Këtë e ka konfirmuar edhe Sali Ahmeti, mjek, infektolog në QKUK. Duke mos folur për një shifër që janë infektuar nga papastërtia që fëmijët e kanë marrë me futjen e duarve nëpër kontejnerët me mbeturina, ai ka thënë se kjo gjë është e rrezikshme për shëndetin e fëmijëve dhe se sëmundja që vjen nga kjo që është më ë rrezikshmja është si ajo e Antraks-it. Ai bëri të ditur se kohëve të fundit ka shumë që kanë kërkuar ndihmë në QKUK.

Ministria e Mirëqenies dhe Punës Sociale, nuk ka ndonjë numër të saktë të fëmijëve që kërkojnë nëpër rrugë, duke u arsyetuar se numri i tyre ndryshon, nga vendi në vend, të cilët janë të përfshirë ne shume zona sidomos ne ato vende ku ka një numër me të madhe të popullatës.

Zyrtarët e kësaj ministrie kanë thënë se në bashkëpunim me parterët e saj qe merren direkt me këtë çështje është duke koordinuar hulumtimin qe do të shtrihet në nivele vendi, në gjitha Komunat e Kosovës, “Hulumtimi për njohjen e shkaqeve dhe pasojave të angazhimit të fëmijëve në punë”. Behxhet Gaxhiqi, këshilltar në këtë ministri ka thënë se deri me tani janë marrë një varg masash nga ana e Institucioneve siç është në këtë raste, Strategjia dhe Plani i veprimit për parandalimin dhe eliminimin e punës së fëmijëve në Kosovë 2011-2016.

” Në kuadër të kësaj strategjie,objektivi kryesor strategjik është: a) Eliminimi i të gjitha formave më të këqija të punës së fëmijëve në Republikën e Kosovës deri në vitin 2016”, ka thënë Gaxhiqi.

Se sa mund të bartin sëmundje fëmijët që kërkojnë kanaqe nëpër kontejnerë me mbeturina edhe Gaxhiqi është i vetëdijshëm për një gjë të tillë.

”Mundësitë janë jashtëzakonisht të mëdha që ata fëmijë të bartin me vete sëmundje të ndryshme infektuese qe do ta dëmtonin aspektin shëndetësor të fëmijës, por edhe të familjes së tyre në përgjithësi” ka theksuar Gaxhiq.

Artur Mazreku, nga organizata joqeveritare “Terr Dez Hoome” thotë se krahasuar me vitet e kaluara për numrin e fëmijëve që punojnë në rrugë vihet re e ka një zbrite, por ekziston edhe një problem, ku shkollimi i fëmijëve është jo aq i avancuar.

Eco Higjiena

” Me bashkëpunimet me qendrat sociale, bashkë më policinë e Kosovës, ky numër ka rënë në ulje në krahasim me vitet e kaluara”, ka thënë Marku.

Ku ndër të tjerash ka shtuar se edhe ky numër që ka mbetur edhe pse nuk kemi ndonjë numër të saktë të këtyre fëmijëve që punojnë dhe sillën ka shportat e mbeturinave për të nxjerrë kënaqe, është jo e kënaqshme sepse këto duhet eliminuar. Ai shtoi se edhe policia e Kosovës do të duhej që t’i identifikonte këta fëmijë dhe t’u bëhej presion familjarëve që mos t’i lejojnë t’i kryejnë këto punë që nuk janë për ta.

Halil Hyseni, ekspert i arsimit tha se ky problem është në rritje e sipër dhe “kjo është si pasojë e mos funksionit të shtetit gjithashtu edhe të organizatave jo qeveritare që nuk po bëjnë aq sa duhet”.

” Kjo gjë kërkon një angazhim të jashtëzakonshëm të Ministrisë së Mirëqenies së Kosovës, Ministria e Arsimit, Kuvendi, për këtë gjë asgjë nuk janë duke bërë”, ka pohuar Eksperti i Arsimit.

Ndër të tjera ka thënë se ky fenomen në vazhdimësi të rritjes është varfëria e skajshme dhe cilësia e ulët e arsimit.

Qeveria shkaktoi krizë

Haki Shatrit tha se pasoja e gjithë kësaj është keqqeverisja. “Qeveria s’ka çfarë bën ajo e ka pru vendin në këtë gjendje, nga pas lufta kur ka qenë varfëria ekstreme 12 për qind tash është 30 për qind”, ka thënë ai. Sipas tij të gjitha rrethanat tash janë me pas një qeveri të mirë që është e përkushtuar të merret me probleme të vendit. “Ekonomia e Kosovës në këtë fazë dhe këtë nivel që është nuk ka aftësi akumuluese me nda para që të investojë. Ajo çfarë po na mban ende gjallë janë remitencat”, ka thënë ai.

Edhe Avdullah Hoti për një gjendje të tillë në vend e fajëson qeverinë, sipas tij kjo qeveri duhet të ndërrohet pasi që është shkaktari i këtyre problemeve. “Të dhënat e punësimit tregojnë se ato nuk kanë ndryshuar tri vitet e fundit, punësimi në sektorin privat po ashtu nuk ka ndryshuar, numri i bizneseve të reja që janë krijuar ka ardhur duke u zvogëluar pra të gjitha këto janë të dhëna që konfirmojnë varfërinë ekstreme”, ka thënë ai. Sipas tij për të dalë nga kjo krizë duhet të investohet në prodhim e jo në rrugë.

“Derisa ne investojmë vetëm 8 milion në bujqësi brenda vitit dhe investojmë 300 milion në rrugë, ne nuk presim se do të ketë zhvillim ekonomik. Zhvillimi ekonomik nuk vjen prej rrugëve por prej nxitjes së punësimit, nuk vjen me privatizim të aseteve shtetërore dhe mbulimi i borxheve të shtetit nga shitja e aseteve shtetërore”, ka thënë Hoti.

200 mijë kosovarë me 1.20 euro në ditë

Sipas të dhënave të Bankës Botërore, rreth 200 mijë qytetarë të Kosovës jetojnë në varfëri ekstreme, me vetëm 1 euro e 20 centë në ditë. Statistikat e publikuara nga Agjencia e Statistikave bëjnë të ditur se rreth 30 % e popullsisë së Kosovës ose më shumë se 600 mijë kosovarë e kalojnë ditën me 1.7 euro.

Në vitin 2011 shkalla më e lartë e varfërisë është hasur në mesin e të papunësuarve dhe të pensionuarve dhe personave me aftësi të kufizuara. Duke u referuar tek përbërja e popullsisë së varfër mund të vërehet se afër 30 për qind e të varfërve të rritur janë të papunë. Përgjatë dy vjetëve shkalla e varfërisë është zvogëluar për personat që aktivitet kryesor kanë punën me mëditje për 11 pikë përqindje. Rritja më e lartë e varfërisë është vërejtur tek personat e vetëpunësuar dhe punëtorët familjarë pa pagesë për gjashtë dhe tri pikë përqindje.

160 milionë euro më pak investime

Nuk ka pritshmëri për rritjen e vendeve të punës për shkak se investimet e huaja në Kosovë, janë duke rënë me të madhe. Vetëm mes vitit 2011 dhe 2012 shohim rënie prej më shumë se 160 milionë euro. Nëse krahasohen raportet është vështirësuar edhe më shumë gjendja ekonomike në vend. Sipas raportit të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) shihet se gjatë vitit 2012 investimet e huaja direkt në vendin tonë ishin 232 milionë euro, derisa në vitin 2011 ishin hiç më pak se 394 milionë euro.

Kulmi i investimeve të huaja në vendin tonë ka arritur në vitin 2007 kur investimet patën arritur në 440 milionë euro. Sipas raportit të Investimeve të Huaja Direkte (IHD) në vendin tonë gjatë periudhës 2008 – 2011 kanë mbajtur një nivel të ngjashëm prej mesatarisht 8,3 për qind të PBB-së. Por, si rezultat i krizës globale financiare, gjatë vitit 2009 IHD-të shënuan rënien më të theksuar, ndërsa në vitet 2010-2011 vlera e këtyre investimeve filloi të rritet përsëri megjithëse me një ritëm të ngadalshëm.(zeri)