RCCOLA

Marrëveshja ekonomike me Shqipërinë – teknike

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Bashkëpunim në nxitjen dhe lehtësimin e Tregtisë është marrëveshja e fundit kornizë që është nënshkruar ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë.

Kjo marrëveshje, e cila është nënshkruar në Prizren gjatë mbledhjes së përbashkët ndërmjet dy qeverive, asaj të Republikës se Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, synon të përcaktojë drejtimet kryesore, në të cilat të dyja palët do t’i përqendrojnë përpjekjet e përbashkëta me qëllim të lehtësimit të qarkullimit të mallrave.

Marrëveshja mbulon jo vetëm çështjet e lidhura me procedurat doganore, mirëpo edhe çështjet e ndërlidhura me kontrollet sanitare dhe fito-sanitare në tregjet e jashtme, thotë për Radion Evropa e Lirë, Bernard Nikaj, zëvendësministër i Tregtisë dhe Industrisë.

“Marrëveshja përfshin, jo vetëm lehtësimin e tregtisë mes dy vendeve, por edhe lehtësimin e transitit të mallrave që janë të destinuara për Kosovë përmes Shqipërisë. Njëri prej shembujve që është marrë lidhur me rëndësinë e marrëveshjes, është që me rastin kur ne të zbatojmë plotësisht marrëveshjen, importet që janë të destinuara për Kosovë dhe vijnë nga porti i Durrësit, do të mund të kalojnë transitin nëpër Shqipëri, pa pasur nevojë për kontroll të dyfishtë edhe në Durrës edhe në Morinë. Importet mund ta përfundojnë këtë kontroll në një terminal doganor, qoftë në Morinë, apo Prishtinë, apo ku është destinuar malli”, thotë Nikaj.

Në anën tjetër, ekspertë për çështje ekonomike, konsiderojnë se dokumenti i nënshkruar në Prizren, më tepër është i natyrës teknike, se sa përmbajtje në strukturën apo cilësinë e shkëmbimeve tregtare ndërmjet dy shteteve.

Ibrahim Rexhepi, udhëheqës i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale, STRAS, thotë se problemet gjatë shkëmbimeve tregtare qëndrojnë tek administrata, burokracia dhe procedurat e ndërlikuara. Prandaj, thotë ai, efektet e kësaj marrëveshjeje do të arrihen nëse tejkalohen këto probleme.

“Deri më tani, edhe pse ka pasur marrëveshje, kanë mbetur më tepër dokumente të shkruara. Meqenëse probleme me biznese ka pasur gjithherë, na kujtohen rastet e patates, çimentos, mishit, qumështit e sa raste të tjera, megjithatë, kam dëshirë të shpresoj në entuziazmin, me të cilin e kanë marrë të dy qeveritë, çështjen e raportit Kosovë – Shqipëri”.

Eco Higjiena

“Mirëpo, po më frikëson fakti se në aspektin medial, të zhurmës, qoftë edhe të nevojave elektorale, kurrë nuk ka pasur mungesë të premtimeve për përpjekje afrimi. Por, ato kanë mbetur vetëm në kuadër të çështjeve deklarative”, konsideron Rexhepi.

Kurse, Bernard Nikaj, shprehet optimist se marrëveshja do të zbatohet:

“Për faktin se marrëveshja është shumë e definuar sa i përket strukturave dhe afateve kohore për zbatimin e marrëveshjes. Dhe, për shkak se te qeveria shqiptare kemi vërejtur një gatishmëri të shtuar që të adresohen problemet e qarkullimit të mallrave në mes Kosovës dhe Shqipërisë”.

“Kjo gatishmëri ka ekzistuar edhe te qeveria jonë dhe kur i kemi parasysh të gjitha këto elemente, koha në vijim do të tregojë përmirësim të dukshëm të marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë”.

Ndryshe, përveç kësaj marrëveshjeje, në muajin mars të vitit të kaluar, Kosova dhe Shqipëria kishin nënshkruar një protokoll bashkëpunim ndërqeveritar, i cili përfaqëson kornizën e plotë institucionale të marrëdhënieve ndërmjet këtyre shteteve në të gjitha fushat, duke filluar nga ekonomia e deri tek arsimi.

Ky protokoll, është një kornizë e investimeve të përbashkëta në sektorin e ekonomisë të ndërmarrjeve të vogla dhe të ndërmarrjeve të mesme.

Përveç këtij protokolli bashkëpunimi, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, ndërmjet Tiranës dhe Prishtinës janë nënshkruar mbi 50 marrëveshje në fusha të veçanta./rel/