RCCOLA

Kryeakademiku i Kosovës kërkon rishqyrtim të historisë shqiptare

/ 5 minuta lexim
RCCOLA

Prishtinë – Akademikë, historianë e studiues të fushave të ndryshme janë bërë bashkë në Prishtinë në konferencën shkencore për të diskutuar rreth Shqipërisë dhe Kosovës, 100 vjet pas shpalljes së pavarësisë së shtetit shqiptar.

Me organizimin e Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës dhe Institutit të Historisë në Prishtinë, konferenca shkencore dyditore “Pavarësia e Shqipërisë dhe Kosova 100 vjet pas” ka filluar punimet të enjten me fjalën e dy kryetarëve të akademive, të Shqipërisë dhe asaj të Kosovës. Akademik Hivzi Islami, kryetar i AShAK-ut, i cili ka hapur konferencën, ka thënë se shpreson që kjo ngjarje me çështjet që do t’i trajtojë në kuadër të temës, me komplementaritetin në mes tyre, mbi bazë të argumenteve të reja shkencore, do të jetë produktive në zbardhjen e një mori problemesh dhe zhvillimesh njëshekullore. Sipas tij, ky jubile duhet të shërbejë si një fillim i shqyrtimit të historisë shqiptare.

“100 – vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë dhe jubileu i 5-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, janë edhe një moment për rishqyrtimin e historisë, më ç’rast ngjarjet dhe personalitet historike do të interpretoheshin dhe vlerësoheshin nga këndvështrimi objektiv shkencor”, ka thënë akademik Islami. Sipas kryeakademikut të Kosovës, këto dy jubile janë gjithashtu një rast që gjakftohtë, pa emocione e patetikë, të nxirren mësime nga pikat e dështimeve dhe qeverisjeve në të dy anët e kufirit dhe të reflektojnë për një qeverisje racionale e produktive dhe perspektivë të sigurt euroatlantike.

“Pavarësia e shtetit duket sikur ndërtimi i shtëpisë, më lehtë bëhet e më vështirë mbahet”, ka thënë kryeakademiku kosovar. Sipas tij, punët dhe përgjegjësitë e institucioneve të Kosovës filluan pikërisht më 17 shkurt 2008 dhe do të jenë edhe më të mëdha pas përfundimit të procesit të mbikëqyrjes ndërkombëtare që ndodhi para tri ditësh. Për kryetarin e Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës, problemet dhe sfidat e Kosovës mbesin në radhë të parë te përpjekjet për mbrojtjen nga individualizmi i mundshëm territorial i shtetit, te mbrojtja nga grabitja e pasurisë kombëtare, te sundimi i ligjit, te lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe te angazhimi për jetë dinjitoze të qytetarit të Kosovës.

Por përpos akademik Hivzi Islamit, kërkesën për rishqyrtimin e historisë shqiptare nuk e ka përmendur në fjalën e tij as kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Gudar Beqiraj e as drejtori i Institutit të Historisë në Prishtinë, Jusuf Bajraktari.

Por për akademikun Beqiraj kjo konferencë mund të hedhë dritë përmes studimeve në proceset historiko-politike e kulturore që çuan në realizimin e pavarësisë.

Mobi Casa

”Me gjithë këto zhvillime dramatike, fitorja e pavarësisë së Shqipërisë dhe fitorja e pavarësisë së Kosovës, gati një shekull më pas, dëshmojnë se nuk mund të ketë forcë në botë që të arrijë ta varrosë ëndrrën e lirisë së një populli”, ka thënë Beqiraj.

E Jusuf Bajraktari ka fokusuar fjalën e tij më shumë në përfshirjen e Kosovës në procesin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912.

Sipas tij, me gjithë rrethanat dramatike që po zhvilloheshin ato kohë në Kosovë, përfaqësimi i saj dhe roli që luajti Kosova dhe kosovarët në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë pasqyrohet jo vetëm me pjesëmarrje të delegatëve, por në veçanti duhet vlerësuar besnikëria e luftëtarëve kosovarë.

“Megjithatë, krijimi i një Shqipërie të pavarur, pa Kosovën, Çamërinë dhe viset e tjera etnike, e përgjysmoi gëzimin e shumëpritur të popullit shqiptar”, ka thënë Bajraktari. Për një temë më ndryshe sesa vetëm procesi historik deri te shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, ka folur akademik Pajazit Nushi. “Mendimi akademik dhe doktrina serbe ndaj shqiptarëve” ka qenë titulli i referimit të akademik Nushit. Sipas tij, mendimi akademik serb ka qenë nxitës i zhvillimeve si vrasjet e dëbimet masive të shqiptarëve në gjithë historinë 100-vjeçare. Ky mendim, sipas tij, ka pasur ndikim autoritar në formimin dhe zhvillimin e qëndrimeve politike të organeve të institucioneve të pushtetit serb.

“Në këtë pikëpamje rezultat i gjurmimit të raporteve ndërmjet mendimit akademik, qëndrimeve politike dhe sjelljeve të formacioneve të armatosura serbe u tregua raport kauzal i ndërlidhur”, ka thënë Nushi. Sipas tij, nga ky rezultat del gjykimi përfundimtar, sipas të cilit misioni i institucionit më të lartë mendor i Serbisë nuk ka arritur ta lidh të vërtetën për shqiptarët me sjellje humaniste. Ai ka bindjen se qëndrimi akademik ndaj shqiptarëve dhe Kosovës është ngurtësuar, madje edhe fanatizuar fetarisht, por ka ngelur i pandryshueshëm gjatë gjithë shekullit të kaluar.

“Konsideroj se pikëpamja e tyre për shqiptarët dhe Kosovën ka përmasa të mendimit doktrinar, që meriton shqyrtim studimor të gjithanshëm në mbështetje të rezultateve më të reja arkeologjike, gjuhësore, historike, sociologjike, psikologjike dhe të vlerësimit krahasimtar të tyre”, ka thënë akademik Nushi. Me referim, në ditën e parë të konferencës shkencore “Pavarësia e Shqipërisë dhe Kosova 100 vjet pas”, kanë folur edhe akademikët Beqir Meta, i cili ka folur për afrimin e institucioneve kombëtare në vitet 20 dhe 30 vjetët e shekullit XX. Pas tij, në pjesën e dytë të konferencës kanë lexuar studimet e tyre edhe studiuesit Emine Bakalli, Biglin Çelik, Valentina Duka, Isa Bicaj, Ferit Duka, Frashër Demaj, Ilira Çaushi, Fehmi Rexhepi, Ana Lalaj, akademik Esat Stavileci e shumë të tjerë. Konferenca do të mbyllet sot (e premte).