RCCOLA

Kriminalizimi i Republikës po nxit eksod të ri

/ 8 minuta lexim
Hidromorava

Stagnimin 18- vjeçar i vendit tonë në zhvillimin e gjithmbarshëm ekonomik dhe të demokratizimit të shoqërisë, analistët politikë po vazhdojnë t’ia adresojnë partive politike ekzistuese, që në vend të një shteti ligjor e zhvillimor e shndërruan Kosovën në një shtet të krimit të organizuar dhe në një vend të pashpresë dhe të paperspektivë për qytetarët.

PARTITË NA SOLLËN NË PIKËN MË TË ULËT TË HISTORISË SË VENDIT

Asnjë shpresë nuk ka me këtë garniturë pushtetarësh të babëzitur e të provuar në pozitë dhe në opozitë

Stagnimin 18- vjeçar i vendit tonë në zhvillimin e gjithmbarshëm ekonomik dhe të demokratizimit të shoqërisë, analistët politikë po vazhdojnë t’ia adresojnë partive politike ekzistuese, që në vend të një shteti ligjor e zhvillimor e shndërruan Kosovën në një shtet të krimit të organizuar dhe në një vend të pashpresë dhe të paperspektivë për qytetarët.

Kjo gjendje është e tillë, pasi Qeveria, Kuvendi, komunat, drejtësia, ekonomia, arsimi, si dhe çdo resor tjetër në Kosovë, sic vazhdon te dyshohet se janë në duart e krimit të organizuar dhe nëntokës kriminale përmes korporatokracisë së inkriminuar, që e katandisi kaq keq Kosovën dhe i bëri qytetarët që të mos besojnë e të shpresojnë në këta politikanë, se më në fund do t’ua rregullojnë sadopak jetën e tyre të nëpërkëmbur për shumë vjet. Si rrjedhojë, qytetarët po shikojnë çdo mundësi për t’u larguar sa më parë prej Kosovës së tjetërsuar nga krimi i organizuar.

Analisti Jeton Kelmendi thotë se me këtë kastë politike nuk mund të jetë ndryshe. “Po, për fat të keq, partitë politike e kanë bërë Kosovën një vend të pashpresë. Për këtë meritorë kryesorë janë partitë që thirren në kauza kryesisht të rrejshme e mashtruese, ndërsa që për të gjitha këto vite e kanë keqpërdorur pushtetin kriminalisht”, theksoi Kelmendi për “Kosova Sot”.

Anarkia mbretëron në Kosovë

Njohësi i fushës së të drejtës dhe luftës kundër korrupsionit, Hasan Preteni ka pohuar se kjo klasë politike do të duhej ndëshkuar me votë nga qytetarët, ndryshe nuk mund të ketë perspektivë për një shtet ligjor dhe rrjedhimisht as edhe një shpresë për qytetarët e këtij vendi.

“Nuk mund të gjykojmë saktë, nëse është i manipuluar qytetari apo me të vërtetë i do ata që u dëshmuan ndër vite për mospunë, pasurim të paligjshëm dhe krim te organizuar. Mendoj që vetë qytetari duhet të aktivizohet në ruajtjen e pasurisë publike te shtetit, duhet të shikojë se kush sa u pasurua, dhe edhe nëse nuk lëviz Prokuroria për motive edhe kriminale, duhet të lëvizë qytetari, t’i dënojë me votë, përndryshe ndryshimet nuk vijnë vetvetiu dhe as pa ndihmën e vetë qytetarëve votues”, u shpreh analisti Hasan Preteni.

Politikë e turpit

Edhe sipas analistit Skënder Kapiti, Qeveria, Kuvendi, drejtësia,ekonomia, arsimi dhe çdo sferë tjetër në Kosovë është në duar të krimit, dhe ky është një fakt, i cili i jep atij të drejtën e cilësimit të një gjendjeje që ai e quan sistem KRIMOKRACIE.

UBT

“Politika keqqeverisëse e krimit dhe e korrupsionit në Kosovë i ka bërë dëme shumë të rënda Republikës së Kosovës,të cilat janë pothuajse të pariparueshme dhe që do të duhet shumë kohë, shumë energji, mundime dhe vuajtje për t’i riparuar këto dëme. Kriminalizimi i politikës dhe i drejtësisë është një terror, i cili i detyron shqiptarët e Kosovës që të largohen nga Kosova”, theksoi ai. “Në këtë rrafsh, pra detyrimin e largimit të kosovarëve nga Kosova , si fenomen eksodi, nuk e di se ku ndryshon nga ai largim prej të cilit shqiptarët e Kosovës prej një shekulli dëboheshin prej trojeve të tyre nga të gjitha regjimet serbe, mbretërore, komuniste dhe diktatoriale milosheviqiane. Nuk e di se cili paska qenë misioni i kësaj politike, e cila montoi sistemin tejet korruptiv në Kosovë. Nuk e di ku e gjeti guximin kjo politika e paturpshme në Kosovë, që të inkriminohej, të luante e të tradhtonte patriotizmin, sakrificat,interesin kombëtar, perspektiven shtetformuese dhe integruese evropiane të Kosovës”, theksoi Kapiti.

“Partitë politike në Kosovë janë thjesht mjete dhe vegla në duart e klikave mafioze, të cilat operojnë vetëm për pushtet, për interesa të ngushta pasurore, privilegje, vjedhje e korrupsion në favor të klaneve udhëheqëse të tyre, të cilat sillen si grupe interesi, duke manipuluar me masën njerëzore të anëtarësive të tyre kundër interesave të mëdha të shtetit dhe të qytetarëve”, thotë analisti Skënder Kapiti.

Mentaliteti shoqëror duhet të reformohet

Sipas analistit Mustafë Kadrijaj, secili qytetar i Kosovës ka njohuri për këto të këqija, që ia kanë sjellë vendit partitë politike, por çështja është pse të njëjtët qytetari po i lejon të qëndrojnë në pushtet, pse ato ende po vazhdojnë ta marrin votën e qytetarit. “Derisa mentaliteti qytetar nuk ndërron në masën mbi 50%, gjendjen do ta kemi edhe për shumë kohë të tillë, rob të krimit të organizuar të rrjetëzuar nga politika”, theksoi ai.

“Qytetari i Kosovës, në vend që t’i ndëshkojë me votë dhe t’i denoncojë rastet, dhe të ngritë zërin, ata vetëm në takime me shokë dhe ndeja familjare e ofendojnë politikën, saqë të krijojnë përshtypjen që vërtet në zgjedhjet e ardhshme nuk do t’i votojnë më të njëjtët, meqë për fatin e keq kemi të njëjtat parti dhe të njëjtët njerëz në skenën politike”, vijoi më tej ai. “Duhet të kuptojë njëherë e përgjithmonë qytetari, që përderisa nuk mendon esëll se kë do ta votojë dhe të ngritë zërin për çdo keqpërdorim, në asnjë mënyrë nuk do të mund ta ndryshojmë të ardhmen dhe ta avancojmë perspektivën zhvillimore të vendit”, tha Mustafë Kadrijaj.

Shteti, i zhytur në korrupsion e në krim

Analisti Ali Hertica pohon se gati çdo subjekt politik në Kosovë, që ka pretenduar dhe propaganduar hapa konkretë drejt luftës kundër korrupsionit, deri më tani doli se ka premtuar kot, ngase dita- ditës, thellë e më thellë në korrupsion dhe krim të organizuar, është futur vetë politika që ka drejtuar shtetin në të gjitha veprimtaritë, në të gjitha dikasteret. “Pa një vetëdijesim masiv qytetar për denoncim pa kompromis para drejtë- sisë, dhe pa i shpallur vetë drejtësia luftë të hapur frontale krimit të organizuar dhe korrupsionit, në të gjitha nivelet e shtetit, edhe brendapërbrenda subjekteve politike, lufta ndaj korrupsionit nuk ka asnjë shans të fitohet”, u shpreh Hertica për “Kosova Sot”.

Ndërsa, sipas politologu Arsim Haziri, situata është kaq e rëndë në Kosovë, pasi politika në Kosovë është mjeti përmes së cilës arrihet çdo gjë, si materialisht ashtu edhe profesionalisht, meqë konsiderohet e këtillë, atëherë edhe aktorët politikë, ata tradicionalë veçanërisht, sikur janë, sipas tij, PDK-ja dhe LDK-ja, gjithmonë janë gati të aktivizojnë çdo gjë vetëm që të jenë më afër këtyre dy elementeve. “Përderisa politika nuk shihet shërbim qytetar dhe ekonomizim qytetar, atëherë çdo shpresë për ndryshim në favor të qytetarëve është e rrezikuar të dështojë. Kosovës i nevojitet klasë, e cila mendon dhe jeton për kauza nacionale, klasë politike, e cila tejkalon nevojën klanore dhe individuale, klasë që mendon për konsolidimin shtetëror përmes dikastereve adekuate e jo edhe garniturë që përmbys gjithë këto atribute shtetërore”, potencoi Haziri.

Po aq të pashpresë me këtë klasë politike e sheh perspektivën e shtetit dhe të vetë qytetarëve, edhe analisti Skënder Mulliqi. “Veprimtaritë e shumta joligjore, keqpërdorimet, abuzimet dhe format e tjera të përfitimeve individuale, kanë bërë që të krijohet paperspektivë për të jetuar në Kosovë. Shumë pak elitat në pushtetet e pasluftës u kujdesën për hapjen e vendeve te reja të punës, të cilat kishin për të ndikuar në moslargimin nga Kosova”, tha Mulliqi për “Kosova Sot”

(Kosova Sot)