RCCOLA

Korrupsioni, “peshqit e mëdhenj” janë shndërruar në “peshkaqenë”

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Ekonomia joligjore në Kosovë është bërë pjesë e shoqërisë dhe komunitetit të biznesit, dhe kjo në masë të madhe po e dëmton buxhetin dhe prodhimin, thonë njohës të çështjeve ekonomike. Në anën tjetër, ata që janë kompetentë të luftojnë në mënyrë direkte apo indirekte këtë fenomen edhe vet janë të përfshirë në këtë dukuri.

Sipas asociacioneve ekonomike në vend, ekonomia joformale arrin në 40 për qind.

Musa Limani, ekspert i ekonomisë, vlerësoi se ekonomia joligjore po përkrahet nga krimi i organizuar dhe kontrabanda, kurse përmasat e kësaj dukurie janë shtuar dukshëm nga pikat kufitare në pjesën veriore të Kosovës.

“Nuk mund të luftohet për arsye se ata që duhet ta luftojnë janë në rrjedha të ekonomisë informale. Këtë po e them për shkak se mallrat që hyjnë në pikat kufitare (pika 1 dhe 31) nuk mund të hyjnë pa mbështetje institucionale. Pa mbështetje të personave që gjenden në krye të institucioneve. Prandaj ata që duhet të luftojnë krimin e organizuar, kontrabandën ekonomike, pikërisht janë prezentë një këto rrjedha”, theksoi Limani për Radion Evropa e Lirë.

Sipas të dhënave të Doganave të Kosovës, vetëm gjatë vitit 2012 në komisionin për kundërvajtje doganore janë referuar gjithsej 1 007 lëndë. Nga këto lëndë janë shqiptuar gjoba kundërvajtëse në shumë prej mbi 1.3 milion euro, si dhe janë konfiskuar mallra në vlerë prej mbi një milion euro.

Artikujt më atraktiv për kontrabanduesit vitin e kaluar kanë qenë stolitë e arit, karburantet, cigaret etj.

Profesori Limani, shprehet se përderisa nuk luftohet korrupsioni dhe krimi i organizuar n në të cilin sipas tij janë të përfshirë edhe persona zyrtarë, ekonomia jo ligjore do të jetë e pranishme.

Uji Dea

“Autoritete kompetente disa herë kanë deklaruar se do të luftojnë ‘peshqit e mëdhenj’, por siç shihet ata peshqit e mëdhenj janë bërë ‘peshkaqenë’ dhe nuk guxojnë t’i prekin. Prandaj është shumë vështirë që të luftohet ekonomia informale në saje të mosveprimit, siç është te ne, mosveprimi i gjyqësisë, parlamentit, policisë etj”.

“Pra korrupsioni është në kulm. Nëse korrupsioni është prezent, si mund të luftohet evazioni fiskal, që rrënjët i ka te korrupsioni. Pra, ata që fusin mallin, paguajnë haraç, në të kundërtën nuk mund të fusin mallin në brendi të një kufiri, ku ekziston kufiri shtetëror”, shprehet Limani.

Edhe eksperti tjetër ekonomik, Milazim Abazi thotë se ekonomia informale është një ndër pengesat kryesore për zhvillimin ekonomik të vendit dhe rritjen e buxhetit. Edhe sipas Abazit “vrima e zezë” ekziston në veri të Kosovës, atje ku më se shumti zhvillohet ekonomia jo ligjore.

“Ka shumë hapësirë për të vepruar institucionet kosovare për të luftuar ekonominë informale e cila e dëmton shumë biznesin e rregullt, po ashtu e përkeqëson shumë klimën e biznesore në vend. Ne nuk mund të presim investime të huaja nëse në Kosovë dominon ekonomia informale”, theksoi Abazi për Rel.

Përveç pikave kufitare, ekspertët vlerësojnë se ekonomia jo ligjore po funksionon edhe brenda territorit, shkaku i mos fiskalizimit të të gjitha kompanive private më arka fiskale.

Më qëllim të luftimit të ekonomisë joformale, Ministria e Financave bashkë me institucionet tjera qeveritare janë të angazhuara në “Programin Qeveritar për parandalimin e Ekonomisë Joformale”.