Mobi Casa

Ministrja Hajdari shpalos “Strategjinë për zhvillim industrial dhe mbështetje të bizneseve”: Është në harmoni me standardet evropiane

/ 9 minuta lexim
Hidromorava

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, në një konferencë për media ka shpalosur “Strategjinë për zhvillim industrial dhe mbështetje të bizneseve 2030”, raporton Ekonomia Online.

Ajo tha se kjo strategji është hartuar në bashkëpunim me organizata ndërkombëtare dhe me institucione të tjera, duke shtuar se rritja e cilësisë së politikave industriale ka qenë objektiv identifikues ndër objektivë të tjerë.Përpos strategjisë ministrja paralajmëroi edhe Fondin për Inovacion duke premtuar me shumë zhvillim dhe hapësirë për komunitetin e biznesit.

“Jemi sot këtu për të ju njoftuar në lidhje me strategjinë për zhvillim industrial dhe mbështetje të bizneseve. Në bashkëpunim me organizata ndërkombëtare dhe me institucione të tjera kemi hartuar këtë dokument strategjik. Janë konsultuar partnerë të ndryshëm, ambasadorë e konsultë të ndryshëm. Rritja e cilësisë së politikave industriale ka qenë objektiv identifikues ndër objektivë të tjerë”.

Ministrja Hajdari më tutje shpalosi objektivat e përdorur për hartimin e kësaj strategjike si dhe vizionin që si ministri kishin ndaj Strategjisë Kombëtare për Zhvillim. Valbona Dushi, drejtoreshë e Departamentit të Industrisë, tha se kjo strategji është në harmoni me standardet evropiane.Ajo theksoi se në këtë strategji është e përfshirë agjenda e gjelbër.

“Industria punuese, përpunuese, është trajtuar edhe industria shërbyese. Është ne harmoni me standardet evropiane. Kemi agjendën e gjelbër ndër të tjera pjesë të saj. Në industrinë prodhuese pjesëmarrja e punësimit është shumë i ulët. Pjesëmarrja e grave në industrinë prodhuese është shumë i ulët. Tregu i punës karakterizohet me paga të ulëta”. “Ministrja veç e tha se kemi pesë objektiva të strategjisë. Këto janë përcaktuar për sektorë të ndryshëm. Objektivi i parë është zgjerimi i prodhimit industrial.

Objektivi dytë: reduktimi i deficitit tregtar industrial. Objektivi i tretë: kualifikimi i fuqisë punëtore, e menaxherëve – pa resurse nuk ka zhvillim industrial. Objektivi i katërt: Industria e gjelbër, produktet rrethore dhe të gjelbra. Përfshin rritjen e riciklimit. Si dhe e kemi objektivin e pestë: maksimizimi i prodhimit të brendshme. Industrinë shërbyese ta lidhin me industrinë prodhuese”, tha ajo.

Fjala e plotë e ministres Rozeta Hajdari, në konferencën për medie, mbajtur pas miratimit të Strategjisë për Zhvillim Industrial dhe Mbështetje të Biznesit 2030 – (SZHIMB) dhe Planin e Veprimit ‘Politika Industriale’ për vitet 2023-2025:

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë me grupin punues ndërinstitucional me pjesëmarrje nga Zyra e Kryeministrit, Ministritë e linjës dhe ne bashkëpunim me odat ekonomike dhe shoqatat sektoriale industriale dhe ekspertë të jashtëm dhe përfaqësues të tjerë institucional, ka hartuar Strategjinë për Zhvillim Industrial dhe Mbështetje të Biznesit 2030”- SZHIMB, si dhe Planin e Veprimit për periudhën kohore 2023-2025.Hartimi i këtij dokumenti strategjik shpreh rëndësinë që Qeveria e Kosovës i kushton sektorit të prodhimit në arritjen e një transformimi strukturor të ekonomisë së vendit tonë, në një ekonomi me të ardhura më të larta dhe përmirësimin e mirëqenies socio-ekonomike të qytetarëve të Kosovës.

Gjatë hartimit të Strategjisë, janë konsultuar edhe përfaqësues tjerë të subjekteve të ndryshme të specializuara të qeverisë, me shumë biznese nga të gjitha komunat si dhe përfaqësues komunal dhe partnerët ndërkombëtar për zhvillim, bankat, Këshilli i Inventarëve Evropian, Komisioni Evropian, ambasadat dhe agjencitë ndërkombëtare për zhvillim dhe bashkëpunim. Për më tepër, përfshirja aktive e komunitetit të biznesit, përmes punëtorive gjatë procesit hartues, ka kontekstualizuar më mirë dhe ka validuar veprimet e politikave të identifikuara.

Strategjia për Zhvillim Industrial dhe Mbështetje të Biznesit 2030- SZHIMB ofron një kornizë strategjike për politikë-bërësit, partneritetin e dialogut me komunitetin e biznesit dhe koordinimin me partnerët zhvillimor në Kosovë, për të lehtësuar zhvillimin e sektorit të prodhimit në Republikën tonë.Politika Industriale, ndërkaq, është hartuar duke përdorur një metodologji të njohur si Rritja e Cilësisë së Politikave Industriale, e cila është krijuar për të mbështetur vendet në zhvillimin e politikave industriale gjithëpërfshirëse të bazuara në diagnostikime të fuqishme.

Logjika e ndërhyrjes së Politikës Industriale është zhvilluar, Së pari, duke përcaktuar objektivat strategjikë përkatës të Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit (SKZH 2030), të cilat do të ndikoheshin pozitivisht nga një bazë industriale në rritje.Së dyti, bazuar në këto përafrime me SKZH-në, janë formuluar objektivat konkrete të Politikës Industriale.

Së treti, duke kuptuar mungesat themelore në strukturën e kapaciteteve industriale të Kosovës, janë identifikuar ndryshimet specifike (nën-objektiva) të cilat kërkohen për të arritur objektivat e politikës industriale.Së katërti, nën-objektivat e identifikuara kanë siguruar bazën për të zhvilluar masat kryesore të politikës industriale dhe planin e përgjithshëm të veprimit për vitet 2023 -2025.

Objektivat dhe nën-objektivat e Politikës Industriale janë identifikuar bazuar në një diagnostikim gjithëpërfshirës të përformancës ekonomike, sociale dhe mjedisore të sektorit të prodhimit.

Përpos analizës se përgjithshme të përfomancës industriale, janë analizuar edhe 7 sektorët prioritar për zhvillim industrial – zinxhiri i vlerës për përpunimin e drurit dhe mobilierinë, industria metalike dhe minerale jo metalike, industria e plastikes, tekstilit, ushqimit dhe pijeve, industria kimike dhe informacioni dhe komunikimi teknologjik.

Fundamenti

Nga këto analiza të përgjithshme dhe sektoriale, kemi kuptuar se, ndonëse resurset njerëzore kanë kompetencën e prodhimit dhe ndërmarrësit tanë janë të aftë të prodhojnë, gjatë dekadës së kaluar sektori i prodhimit nuk ka arritur të shndërrohet në një shtytës dominant të zhvillimit social, ekonomik dhe mjedisor të Kosovës. Dhe, edhepse, prodhimi nuk ka qenë shtytës dominant i zhvillimit ekonomik, vërehet se ai rritet aq shpejtë sa edhe ekonomia e përgjithshme e vendit. Prandaj kjo politikë është e përkushtuar për të mbështetur sektorin e prodhimit për të shpalosur potencialin e tij për të kontribuar në mënyrën më efektive në zhvillimin e përgjithshëm të vendit.

Dhe siç e thamë, SZHIMB është e harmonizuar ngushtë me Strategjinë Kombëtare për Zhvillim 2030, si dokument strategjik gjithëpërfshirës për zhvillimin kombëtar të Kosovës, e po ashtu është ndërlidhur me një grup më të gjerë politikash sektoriale.

Pra kemi një lidhje të mirë të politikës industriale me objektivat e SKZH-së për zhvillimin e sektorit të prodhimit siç janë: 1. Ekonomia digjitale, rrethore, qarkore dhe konkurruese;

2. Treg gjithëpërfshirës i punës, punësim me i madh dhe dinjitoz, si dhe

3. Mjedis i pastër dhe shfrytëzim i qëndrueshëm i burimeve natyrore.

Për shkak të lidhjeve të ndryshme me sektorët e tjerë të ekonomisë, zhvillimi industrial mund të stimulojë rritjen dhe zhvillimin në sektorë të tillë si bujqësia dhe minierat në Kosovë dhe në industritë e shërbimeve përkatëse. Duke vepruar kështu, zhvillimi industrial ka potencial të bëhet një forcë e rëndësishme lëvizëse për transformimin e synuar strukturor të Kosovës drejt një ekonomie moderne në rritje, e cila është e mirëintegruar në ekonominë globale dhe mund të gjeneroj mirëqenie socio-ekonomike siç përshkruhet në vizionin e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim 2030.

Vizioni i Politikës Industriale të Kosovës është që deri në vitin 2030, industria e Kosovës do të transformohet në një industri më të integruar globalisht që është në gjendje të prodhojë produkte me vlerë të shtuar të lartë dhe të ofrojë punësim të denjë.

Për të lehtësuar shpalosjen e potencialit zhvillimor të sektorit të prodhimit në Kosovë dhe për të kontribuar në arritjen e qëllimeve strategjike të SKZH 2030, dhe përmbushjen e vizionit, kjo strategji është e fokusuar në pesë objektiva:

Zgjerimi i prodhimit industrial;Zvogëlimi i deficitit tregtar industrial; Gjenerimi i punësimit më të mirë dhe gjithëpërfshirës;Lehtësimi i industrisë së gjelbër dheMaksimizimi i rritjes të vlerës së brendshme.

Arritja e këtyre objektivave të politikës varet nga ndryshimet e rëndësishme që duhen bërë në 16 nën objektiva, duke filluar nga përmirësimi i qasjes në financa dhe inovacioni i produktit, mbështetja e prodhuesve për t’u zgjeruar në tregjet e eksportit, pajisja e fuqisë punëtore me aftësi të rëndësishme për industrinë, deri te përmirësimi i ekonomisë qarkore me rritje të riciklimit në industri, si dhe për rritjen e pjesëmarrjes së inputeve vendore në prodhim.

Ndërsa plani i veprimit përmban disa masa të rëndësishme, të cilat janë zhvilluar për të siguruar që vizioni i krijimit të një industrie të integruar globalisht, të jetë në gjendje të prodhojë produkte me vlerë të lartë të shtuar dhe të ofrojë punësim të qëndrueshëm, duke ndikuar që sektori i prodhimit të bëhet një shtytës i zhvillimit për vendin.

Efektiviteti i Politikës Industriale do të kërkojë veprime të bashkërenduara, angazhim të qëndrueshëm dhe bashkëpunim të ngushtë ndërmjet Qeverisë së Kosovës, sektorit privat dhe partnerëve zhvillimorë ndërkombëtarë të Kosovës.

Duke mbetur të përkushtuar në qëllimin e përgjithshëm, për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të Republikës së Kosovës, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, do ta vazhdojë punën dhe koordinimin me partnerë, duke u bazuar në prioritetet dhe masat që rrjedhin nga ky dokument i rëndësishëm strategjik.