KPF-ja në Kamenicë shqyrton mbështetjen financiare për KF “Kika” dhe kompensimin e anëtarëve të KKSB-së
Kamenicë – Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF) i Komunës së Kamenicës ka mbajtur mbledhjen e dhjetë të rregullt, në të cilën janë shqyrtuar disa çështje me rëndësi për funksionimin institucional dhe zhvillimet në jetën komunale.
Mbledhjen e ka udhëhequr kryesuesja Arbnore Beqiraj-Fera, me pjesëmarrjen e anëtarëve të këtij komiteti.
Në mesin e çështjeve kryesore të trajtuara ishte kërkesa urgjente për mbështetje financiare e Klubit të Futbollit “Kika”, si dhe njoftimi lidhur me gjendjen financiare të klubit, një temë me rëndësi për mbështetjen e sportit dhe vazhdimësinë e aktiviteteve sportive në komunë.
Po ashtu, anëtarët e KPF-së kanë shqyrtuar propozim-vendimin për caktimin e kompensimit financiar për anëtarët e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), si dhe kanë trajtuar procesverbalin e mbledhjes së nëntë të këtij komiteti.
Të gjitha pikat e parapara në rendin e ditës janë shqyrtuar dhe miratuar nga anëtarët e KPF-së, për t’u proceduar më tej në mbledhjen e radhës të Kuvendit Komunal të Kamenicës.
Mbledhja e dhjetë e KPF-së përmbylli kështu shqyrtimin në këtë fazë të çështjeve të paraqitura, të cilat pritet të trajtohen në vijim edhe nga organi më i lartë përfaqësues i komunës./rajonipress/

