Mobi Casa

Hasan Bunjaku – publicist, krijues e përkthyes i madh i artit letrar…

/ 9 minuta lexim

Gjilan – Një shkrim i kompletuar për Hasan Bunjakun, punën e tij si gazetar, njeri i kulturës, doajen dhe arkiv për shumë gjëra në Gjilan e Anamoravë. Shkrimi është botuar në vitin 2013, por përmbledh tërë veprimtarin dhe krijimtarinë e tij të bujshme si gazetar e krijues.

Hasan Bunjaku është emër i madh i jetës kulturore në Gjilan. Ai lirisht mund të quhet doajeni i gazetarisë. Është njëri që ka bërë shumë për kulturën e qytetit. Pa këtë njeri, kultura e Gjilanit do të ishte e varfër.

Pse jo? Ky është shembull i rrallë i njeriut që në vete posedon dije për artin letrar, artin dramatik, por shquhet edhe si aktor, regjisor i disa roleve të tjera të skenës teatrale. Jeta e tij është e lidhur fillim e fund me teatrin dhe kulturën e këtij qyteti të Anamoravës. Jo vetëm kaq. Ky artdashës gjilanas pati sfida më të ndryshme në jetë. Jetën e bëri me laps në dorë. Ky ishte zanati i tij i jetës, ku lapsin asnjëherë nuk e hoqi nga dora.

Lapsi për te ishte pushtet e zot. Pse jo? Punoi edhe me ditar në dorë. Pas kësaj pune, ai jetën “tjetër” e filloi me libra, drama, poezi, me jetën e gazetarit: me lajmin, raportin, reportazhin, përkthimin e me jetën e aktorit të teatrit. Aty ku punoi, aty zuri vend e bëri emër. U gjend mu në qendër të kulturës, ku jetoi i madhi aktor gjilanas, Muharrem Shahiqin e shumë të tjerë. Pas kësaj jete, ai i kthehet jetës “tjetër”, gazetarisë, jetës letrare, dramës, aktrimit, jurive profesionale, dramatizimit e përkthimit të veprave letrare. Pra, ai është i tëri gazetar.

Mu për këtë, ai është dalluar në jetën publicistike. Shkrimi i tij, jo vetëm që posedonte të gjitha vlerat e lajmit apo të raportit, por në ato shkrime, ai posedonte kulturë estetike e letrare. Shkrimet e tij ishin më tepër tekste me shumë argumente e fakte. Ana tjetër e tij si publicist ishte njohja e mirë e kodit të gazetarisë. Pse jo? Ai e zotëronte fort gjuhën e shkrimit të gazetarisë. E kuptonte se jeta e gazetarit është jo e lehtë, se kërkon “zanat” dhe njohuri të përgjithshme shkrimi. Në kohën kur ka shkruar Hasan Bunjaku, në Kosovë dilnin disa gazeta e revista në gjuhën shqipe, si janë: “Rilindja”, revistat, “Zani i rinisë”, “Jeta e re”, “Shkëndija”, “Pionieri”, “Kosovarja”, “Gep”, “Shëndeti”, “Përparimi” e ndonjë tjetër.

Pas shpalljes së pavarësisë, në Kosovë u botuan me dhjetëra gazeta e revista të ndryshme. Ai punën e gazetarisë e kuptoi si një “zanat”, ku secilit njeri nuk mund ta ushtrojë. Sepse, shkrimi gazetaresk të mundon, nuk të lë të qetë pa e hedhur ngjarjen në letër.

Hasan Bunjaku, këtë “mjeshtri” shkrimi, me kohë e kishte përvetësuar. Ai përherë në shkrime ishte i saktë, i sinqertë, por edhe i denjë. Ai është i lindur në vitin 1944 në Desivojcë të Dardanës. Që nga viti 1949, me familje shpërngulet në Gjilan, ku aktualisht jeton. Ka të kryer SHLP në Prizren, e më pas dhe Fakultetin Filozofik – Grupi i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Prishtinë.

Që nga viti 1970, Hasan Bunjaku ka qenë bashkëpunëtor i jashtëm i gazetës “Rilindja”. Ky publicist gjilanas pati prirje për shkrime gazetareske, të cilin “zanat” me kohë ia kishin konfirmuar edhe mësimdhënësit tij të pendës.

Tek ai vërehet një prirje e jashtëzakonshme e shkrimeve. Gjithmonë ka qenë korrekt, i saktë, por pati e ka një stil të veçantë të “jetës” publicistike. Ai e dashti me pasion këtë zanat shkrimi. Pra, edhe sot jeton me shkrimin, librin, poezinë, vargun, dramën, eseun e me dramatizimin e veprave letrare.

Ai sot thotë: “Gazetari është njeriu përcjellës i jetën në përgjithësi”. Shih për këtë, ai gazetën “Rilindja” përherë e ka bartur në dorë. Gazeta “Rilindja” e revistat, si: “Jeta e re”, “Përparimi” e ndonjë tjetër, kanë qenë fjala e parë e tij. Disa nga këto revista shqipe, edhe sot i ruan me gjelozi.

Për këtë kohë të jetës së gazetarisë së tij, ai sot flet e s’ndalet. Ka shumë rrëfime. Shton e ka punuan bashkë me Musa Ramadanin, Haxhi Vokshin e Beqir Musliun e me të tjerë. Beqën e pati shok dhe mik më të mirë të jetës. Por, punoi edhe me këta shokë gazetarë: Nexhat Mustafën, Nexhmedin Ymerin, Islam Osmanin etj. Punoi si redaktor në radiostacionin lokal “Radio Megavox” në Gjilan në fund të viteve 1999 deri në maj të vitit 2003. Ai mësoi shumë nga gazetaria.

Bëri gazetari hulumtuese. Shkroi lajm e shënime tjera gazetareske për ngjarjet që i vuri në pah të metat dhe dobësitë për të gjetur zgjidhje të mirë të tyre. Pra, shpeshherë shtonte se gazetaria është punë e “sikletshme”, sepse ke strese gjer sa e publikon informatën apo lajmin.

Mobi Casa

Kjo “punë” është e njëjtë si e shkrimtarit, i cili, sapo e shkruan veprën, pas pak kohe, akumulon nga brenda ngjarje e të tjera, të cilat e bëjnë që t’ia fillojë veprën tjetër. Pra, është një jetë “tjetër”, e cila nuk të lëshon të lirohesh nga jeta, por gjithnjë të pret dhe të ngacmon për ta qitur në letër.

Hasani e ka përjetuar këtë “zanat” dhe e ka dashur me shpirt. Gjatë punës së tij 30-vjeçare ka pasur lloj-lloj ngjarjesh e rrëfimesh të kohës së nëpërkëmbur nga pushtuesi sllavo-komunist. I pyetur se çka do të thotë të jesh gazetar, Hasan, pa një pa dy, shton: “Të jesh gazetar profesional, do të thotë, ta mundosh vetën shumë. Bie fjala, ky profesion të lë pa shokë, pa e pi kafen, por edhe pa bërë gjumë duke shkruar lajmin, raportin apo shënimin gazetaresk. Në anën tjetër, më së shumti të brengos fakti se, kur mbahet seanca e Kuvendit apo tjetër, të gjithë shkojnë, gazetari duhet të vrapojë për ta shkruar lajmi apo raportin e ditës.

Hasan Bunjaku ka bërë gazetari hulumtuese dhe me një kulturë të lartë të shkrimit. Pos punës së tij si publicist, ai është marrë edhe me përkthimin e veprave nga gjuha shqipe në serbokroatisht. Por, ai ka përkthyer edhe vepra nga gjuha serbokroatishte në shqip. Hasani është njohës i gjuhës së përkthimit. Krahas përkthimit, ai merret edhe me hartimin e vargjeve artistike.

Botoi në vitet 1970 disa poezi në “Zani i rinisë”, “Rilindja”, ndërsa disa poezi të shokut e mikut të tij të shtrenjtë, Beqir Musliut, ia ka përkthyer në gjuhën serbokroate. Hasani është njeri me një dioptri të gjerë dijesh.

Ai gati tërë kohën e ka jetuar në Teatrin e Gjilanit. Aty ka qenë shtëpia e dytë e tij, ku ka dhënë kontributin e tij prej publicisti, gazetari, përkthyesi, aktori e shumë detyra të tjera të rëndësishme për jetën kulturore. Vokacion krijues e pati dhe e ka lëmin e artit, shkencës dhe kulturës, të cilave ua kushtoi tërë jetën.

Në artin teatror, fillimisht si aktor duke realizuar katër role kryesore në po kaq shfaqje të skenës së Prizrenit, përkatësisht. Teatrit të Gjilanit, e mëpastaj lektor, shqipërues e përkthyes (edhe simultan), dramatizues e udhëheqës i Këshillit artistik, duke përcaktuar kështu për vite të tëra orientimet reportereske, udhëheqësh tryezash (profesionale) nga fusha e këtij arti e anëtar i jurive profesionale të festivaleve kosovare, republikane e i konkurseve letrare.

Ishte anëtar shumëvjeçar i KO të manifestimeve kulturore komunale e ndër- rajonale, ndër koncipuesit e fizionomive të “Takimeve (muzikore) të Majit, “Takimeve (të shkrimtarëve) të vendlindjes “Festivalit Kosovar të Teatrove Amatore”, manifestimi multikulturor “Flaka e Janarit”, e të një sërë manifestimeve komunale, rajonale e kosovare. Është autori i 183 vlerësimeve, recensioneve e kritikave letrare, teatrore dhe nga lëmi i artit muzikor, përkatësisht, figurativ, e në mënyrë aktive merret me krijimtari diskurzive, e studime gjuhësore, letrare e teatrore.

Me artin letrar u mor që nga vitet e 60-ta, botoi me dhjetëra poezi në shtypin e përditshëm e periodik shqiptar. Është redaktor i revistës për art, kulturë, shkencë e teologji “Drita e jetës”, e cila për tri vjet nxori 12 numra me mbi 300 faqe, dhe redaktor i përhershëm i edicionit të “Dritës”, në pesë bibliotekat e të cilës panë dritën e botimit 43 vepra, ndërkaq qe recensuesi i pestë i veprave letrare.

Në dy mandate (për 8 vjet) ishte Kryetar i Kuvendit, përkatësisht KE, të asociacionit të komunave të kulturës, përkatësisht delegat i Kuvendit të BVI-së së Kulturës së Kosovës; ndër themeluesit e Shoqatës së Pavarur Kulturore, si anëtar, sekretar, përkatësisht, kryetar i saj; e që nga viti 1993 është kryetar i Këshillit Komunal të Kulturës, përkatësisht, Kulturës, Rinisë e Sporteve të Gjilanit.

Që nga vitet 60-ta, është ideator, promotor, anomator, performator, moderator e mediator i veprimit artistik e kulturor në nivel komunal e kosovar, përherë në shërbim të frymës më të shëndoshë shpirtërore e kombëtare, e si të tillë, edhe përherë politikisht i “papërshtatshëm” për sistemin sllavo-komunist, dhe për shkak të hipotekës, meqë si aderues i Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve (LRBSH), me kryetar Adem Demaçin, në vitin 1964, kur ishte maturant e kryetar i Komitetit shkollor të Rinisë, pas keqtrajtimit mëse njëmujor nga UDB-a Rankoviqiste, u përjashtua nga shkolla për kohë të pacaktuar, pa të drejtë të shkollimit të mëtejmë.

Është koautor i monografisë “Desivojca nëpër kohë”, Prishtinë, 1998. Ishte ky Hasan Bunjaku, një emër i madh i jetës kulturore në Gjilan. Ai jeton dhe vepron në Gjilan./Tefik Selimi/rajonipress/