Eko Higjiena

Gati të gjithë si Anamorava

/ 6 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Mustafa Bajrami – Nga pikëpamja social-kulturore, rajoni i Anamoravës është entitet mes tradicionales dhe modernes. Gjilani, qyteti më i madh i saj, në strukturën e vet shoqërore për shumë kohë ka pasqyruar vlerat bazë kombëtare dhe fetare. Në dekadat e fundit kjo anë ka qenë dhe ende vazhdon të jetë dëshmitare e ndryshimeve social-kulturore.

Intelektualët e këtushëm, që në numër nuk janë të pakët, përjetuan një transformim të llojit të vet; disa prej tyre edhe më tutje reflektojnë shenja të atij “qytetërimi” që ra ndërsa të tjerët të këtij që është dhe që nuk dimë kah është duke na quar. Meqë ata ende nuk arritën të jenë promotorët e shoqërisë, politika po vazhdon të ketë fjalën kryesore.

Së këndejmi, ekzistojnë një mori problemesh intelektuale që diskutohen për të cilat nuk ka zgjidhje të dëshiruar ndaj edhe vazhdimisht shpresohet në shtetin i cili ka shumë probleme të veta, të pazgjidhura. Të kyçur aty këtu nëpër debate, disa herë shterpe, intelektualët po lënë anash çështjet që kanë të bëjnë me jetën shoqërore. Demokracia kosovare e brishtë, e ngjeshur me zënka dhe konflikte politike, varfëria dhe problemet tjera sociale edhe më tutje vazhdojnë të shqetësojnë regjionin tonë.

Kudo flitet për kriza dhe politikë. Njerëzit harrojnë të gëzohen, dhe nëse gëzohen, gëzohen për pak kohë. Bisedat nëpër ndeja mes të rinjve, të rejave, grave, burrave dhe pleqve janë shqetësuese, pa inspirim dhe pesimiste. Rrallë dëgjon të flitet për ndonjë libër, të komentohet ndonjë roman dhe thuajse hiq nuk folët për vlerën e ndonjë poezie apo pikture.

Në promovime, për autorin flitet më shumë se sa për vlerën e veprës. Edhe evenimentet fetare janë të zbehta; të pamet për ngushëllime të organizuara në ambiente të çuditshme si dyqane, podrume mbase edhe nëpër depo e pleme mbesin të pame sa për të pa por jo të shfrytëzohen për ndonjë ligjëratë rasti enkas për familjarët dhe prezentët, qelimja me zë në “ kup të qiellit” i këndohet të vdekurit por të gjallëve u thuhet shumë pak, për shtëpi të reja organizohen mevlude në të cilat fare pak flitet edhe për kultivimin e atyre shtëpie.

Zëri i lartë i muzikës në shumicën e lokaleve për dasma dëgjohet në “shtatë kojshi” ndërsa ata që janë brenda për disa ditë mbesin të shurdhër. Qytetarët kanë nevojë të kthjellen, të donë më shumë të veten, t`i besojnë vetes, t`i kthehen vetvetes dhe nga aty të fillojnë. Ndryshimi i gjendjes është i domosdoshëm. Intelektualët e përgjegjshëm duhet të lëvizin, sa më shpejt që është e mundur.

Kështu, sikur në mjegull kemi dy linja me ndikim nga pikëpamja sociale politike ku të dyja mund të jenë të dëmshme, nëse nuk dimë t’i ratifikojmë në dobi tonën. Ato duhet shfrytëzuar për të shpjeguar dhe për t’i dhënë zgjidhje tatëpjetës fetare dhe intelektuale të kësaj ane. E para është linja e traditës fetare dhe kombëtare ndërsa tjetra bazohet në mohimin e trashëgimisë historike të traditës dhe praktikës fetare.

Uji Dea

Nëse kjo e fundit pëlqehet më shumë e që sipas nesh ajo është e çliruar së tepërmi nga identiteti ynë dhe e cila progresin e shikon vetëm nëpërmjet prizmit të vlerave kulturore dhe materiale të Perëndimit si dhe të mënyrës së jetesës që këto vlera prodhojnë, e para, dinamikat e progresit i ndrydhë dhe i interpreton vetëm brenda kufijve të traditës.

Për të dytën, çdo gjë që vjen përveç nga Lindja, është e pranueshme, ndërsa e para harron se globi ka katër anë. Personalisht mendoj se duhet ruajtur fryma e familjes tradicionale e në të njëjtën kohë të mirëpriten interpretimet e reja të cilat nuk bënë ti gjykojmë menjëherë si “dalje jashtë linje”.

Ne nuk duhet të fshehim identitetin tonë. Përgjatë rrugëtimeve nëpër jetë dhe nëpër shumë vende të botës jemi munduar të reflektojmë idenë se perceptimi i saktë i botës, nuk është tjetër nga përvoja jonë për të cilën besojmë se identiteti dhe praktikat fetare nuk janë të ndara nga thelbi i shoqërisë.

Një karakter religjioz i sinqertë do të ishte përfitim edhe për shtetin. Ndëshkimi i qytetarëve për shkak të koncepteve që kanë nuk është i dobishëm. Sipas nesh, njëri ndër problemet më qenësorë është edukimi fetar, ama, jo i gabuar. Rajoni ka nevojë për njerëz të virtytshëm, ndërsa virtyti, si diçka që korrespondon me ndërgjegjen arrihet nëpërmes mësimeve fetare, por jo vetëm me to. Të nisur nga këtu, njerëzit e fesë duhet të lexojnë më shumë, fenë ta kuptojnë drejt dhe të jenë në gjendje që ta shpjegojnë paralel me vijën e dinamikave të kohës dhe të lartësimit të vlerave tona kombëtare.

Konkludojmë: Nëse duhet të transformohet kultura, atëherë identiteti kombëtar dhe fetar duhet të ruhet. Të tregohet gatishmëri për sfidat e së ardhmes, të mos biem në dëshpërime dhe të kultivojmë norma morale përballë transformimeve që po përjeton vendi. Sidomos rinia, pjesa më vitale e shoqërisë duhet të ketë kujdes ndaj kërkesave për kthimin kah e kaluara dhe prej ëndrrave që e bëjnë të fluturon pa krah kah e ardhmja. Nuk është regresive çdo gjë që trashëgojmë e as progresive çdo gjë që është e re.

Rinia duhet të vijojë konturimin e përvojës së vet individuale, shoqërore dhe fetare, duke u marrë njëkohësisht në mënyrë aktive me transformimet sociale në proceset e kohës. Për tu realizuar kjo, regjionit, vendit dhe tërë kombit i duhen njerëz të shkolluar mirë e drejt, mbase më shumë se kaq; besim i sinqertë në Zotin dhe vullnet i hekurt.