UBT

Liburnat vijnë e shkojnë, Kosova mbetet

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Nga Imer Mushkolaj – Ministri Liburn Aliu e bëri deklaratën skandaloze për “shtetin e përkohshëm” të Kosovës nga pozita e një anëtari të qeverisë. Qartazi është deklaratë për zhbërjen e rendit kushtetues. Në një shtet normal, ai do të duhej të ndiqej penalisht.

“Unë jam ministër i një qeverie të një shteti të përkohshëm”. Kështu deklaroi në një intervistë për T7 Liburn Aliu, një ndër zyrtarët e rëndësishëm të Lëvizjes Vetëvendosje dhe ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në qeverinë e Albin Kurit.
Deklarata me të drejtë nxiti reagime të ashpra në publik. Aliu ishte konfuz në ato çfarë donte të thoshte, megjithatë thelbi i deklaratës ishte i qartë. ”Unë e shoh sot Kosovën më shumë se një projekt të përkohshëm. Cilat janë elementet që sot përpiqen me kriju kombin kosovar, kushtetuta e Kosovës është e një vendi multietnik, çfarë është kosovari, a është kosovari shqiptar apo diçka tjetër, nëse do të krijonim një komb që do të synonte një përzierje të etnive nuk e di sa do të ketë sukses, dhe nuk është duke pasur sukses… Unë mendoj që Kosova shtet i pavarur është projekt i përkohshëm që ka me marrë një rrugë. Rruga është normale, zhvillimi ekonomik, qarkullimi i vazhdueshëm brenda gjithë ballkanit, do ta kthejë në vendin e vet ku do të shuhen të gjitha ato shovinzimat e të gjithë do të ktheheshin në vendin e vet”, provoi të sqarojë Aliu.

Ai e bëri deklaratën skandaloze për “shtetin e përkohshëm” nga pozita e një anëtari të qeverisë. Qartazi është deklaratë për zhbërjen e rendit kushtetues, veprim ky që në një shtet normal do të duhej ndjekur penalisht.

Pra ministri, i cili është i votuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës për t’iu shërbyer qytetarëve të kësaj republike, pa pikë turpi thotë se është pjesë e qeverisë së një shteti të përkohshëm.

Të tilla deklarata mund të tingëllojnë normale po që se bëhen nga armiq të shtetit të Kosovës. Ta zëmë, për Beogradin institucionet e Republikës së Kosovës janë “institucione të përkohshme”. Por, kur një gjë të tillë e thotë një ministër i Kosovës, i cili do të duhej të punonte konform kushtetutës së shtetit i cili e paguan, atëherë është skandal shkuar skandalit. Të mohosh shtetin tënd, për të cilin janë sakrifikuar gjenerata e gjenerata, është poshtërsi.

UBT

Deklarata e Aliut vjen në kohën kur Lëvizja Vetëvendosje as që e ka diku në agjendë kauzën që e kishte proklamuar zëshëm sa ishte në opozitë – bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Ose, më saktë, siç pretendonin udhëheqësit e këtij subjekti politik, që “Kosova t’i bashkohet Shqipërisë”. Pas tre vjetësh në pushtet, Albin Kurti nuk e propagandon më këtë ide, ndërkohë që ka gjetur një varg pengesash kushtetuese e ligjore se pse një gjë e tillë qenka e pamundur.

Këto pengesa Kurti i dinte edhe atëherë kur mashtronte votues të tij potencialë se do të ndodhte bashkimi. Por atëherë nuk i përmendte, sepse këtë kauzë e shfrytëzonte për përfitime elektorale. Tash kur është në pushtet dhe e sheh më me racionalizëm qeverisjen, Kurti hesht. Megjithatë vartës të tij, si Aliu, nuk përtojnë të bëjnë deklarime skandaloze.

Para dy javësh, në kolumnen time për Express, kam kritikuar ministrin Aliu për mospunë e dembeli. Një ministër, i cili që kur e ka marrë postin nuk ka bërë gjë të hajrit për qytetarët, të cilët tash i fyen duke ua quajtur “të përkohshëm” shtetin në të cilin ata jetojnë.

Po të punonte Aliu me kaq entuziazëm sa jep deklarata skandaloze, punët në mjedis, infrastrukturë dhe planifikim hapësinor do të ishin shumë më mirë. Por, ministri dështak i Albin Kurtit më lehtë e ka të flasë gjëra koti, të fyejë shtetin për të cilin do të duhej punuar dhe të cilit do të duhej shërbyer me besnikëri, sesa ta përmirësojë realitetin e zymtë në terren, në fushat të cilat ai do të duhej t’i menaxhonte.

Liburn Aliu bën pjesë në një kabineti ministrash, shumica e të cilëve kanë performancë të dobët dhe janë absolutisht të papërgjegjshëm për punët, të cilat do të duhej kryer. Ai bën pjesë në një kabinet, anëtarët e të cilit kanë shumë fjalë, e pak ose aspak punë. Ai mbetet një dështak.