RCCOLA

Gjuha e z. Agim Bahtiri, ndaj poetit dhe publicistit Halil Matoshi, e papranueshme

/ 9 minuta lexim

Nga Arif Ejupi – Gjuha e rrugës dhe bordeleve ka goxha kohë që është e pranishme në televizionet tona, sidomos në debatet me temë nga politika. Mendojmë që kjo ka ardhur si pasojë e asaj që dyert për debate u janë hapur edhe atyre që nga politika kuptojnë aq sa unë, kuptoj nga literatura e shkruar në kinezishte.

Politika është art bukur i vështirë. Ajo e ka njëfarë alfabeti të veçantë, që s’mund të kuptohet nga të gjithë.

Bile, euforikët dhe tregtarët s’kanë çfarë të kërkojnë në politikë. Ata edhe nëse janë të mirë në shpirt mund të bien fare lehtë në kurthe, nga mosnjohja e lojës që e dikton kundërshtari dhe situatat.

Brezi ynë i fundviteve ‘50-të dhe fillimviteve ‘60-të, z. Halil Matoshi e njeh si njeri të përpjekjeve të pareshtura për lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës .

Çdo Lëvizje studentore brenda Universitetit të Kosovës, deshëm apo nuk deshëm e mbanë emrin e tij.

Ai për ta bërë më serioze në sy të botës vendosmërinë e shqiptarëve të Kosovës, për shkëputje nga Serbia, në janar të vitit 1990, me gjithë rrezikun vihet në krye të Parlamentit Rinor të Kosovës.

Kjo shoqatë rinore brenda një muaji tubon rreth vetes mbi 100 mijë të rinj. Në nëndegën e Orllanit të Gallapit, në krye të këtij forumi rinor emërohet Zahir Qerim Pajaziti, pushkë e parë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Të rinjtë e kësaj organizate rinore shumica studentë të Universitetit të Kosovës, të prirë nga plaku i mençur dhe i urtë, Anton Çetta, dhanë kontribut të jashtëzakonshëm në pajtimin e gjaqeve, gjithandej trojeve tona. Në pjesën dërrmuese të këtyre tubimeve ka qenë i pranishëm edhe z.Matoshi.

Më 7 prill të vitit 1990, Halili së bashku me kolegun e tij, Blerim Ali Shala dhe gjashtë veprimtarë të tjerë të këtij asociacioni rinor, mbahen në burgun e Prishtinës, vetëm pse e bëjnë publik helmimin misterioz të nxënësve tanë, nga sigurime të fshehta të Armatës dhe Policisë jugosllave, në medie vendore dhe ato të huaja .

Kur, Serbia nëpërmjet një procesi të montuar politik pati përgatitur shpalljen e gjykimit të këtyre veprimtarëve nga SHBA-ës, vjen reagimi i drejtpërdrejtë dhe serioz, i diplomatit të njohur James Addison Beker.

Ai me reputacionin e tij prej avokati me famë ndërkombëtare dhe mbrojtësi të dalluar të të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, i bënë trysni të vazhdueshme Beogradit.

Falë këtij intervenimi human më 18 prill të vitit 1990, nga Burgu i Qarkut të Prishtinës, lirohet grupi prej tetë të akuzuarve.

Këta të rinj po mbaheshin në këtë burg nën akuzën se kinse kanë inskenuar këtë ngjarje, së bashku me arsimtarë dhe nxënës të shkollave të Kosovës.

Përveç veprimtarisë atdhetare Halil Matoshi, shquhet edhe si krijues i të gjitha zhanreve të letërsisë.

Ai qëkur ishte nxënës i vitit të parë të gjimnazit “9 Maji” tani “Ismail Qemali “ të Dardanës ( ish-Kamenicë) nisi të botojë në të gjitha gazetat dhe revistat e asaj kohe.

Atë edh pse ende fëmijë cilësia në shkrime e radhit përkrah krijueseve të njohur si: Azem Shkreli, Anton Pashku, Ali Podrimja, Din Mehmeti, Rrahman Dedaj, Sabri Hamiti, Mirko Gashi, Zejnullah Rrahmani, Shaip Beqiri, etj, etj.

Kur, kryekasapi i Ballkanit, Sllobodan Milloshoviq, ia vuri mu në buzë drynin informimit në Gjuhën shqipe, z. Matoshi, së bashku me kolegun e tij Blerim Shala, përkundër kërcënimeve dhe burgosjeve që u bëheshin, vazhduan me botimin ”Zëri Javor“ të Prishtinës .

Kjo revistë me tema të nduarnduarta nga trojet tona e tmerronte Serbinë. Andaj edhe konfiskohej paarritur mirë në pikat e shitjes.

E, botuesit e saj çoheshin në burg, ku mbaheshin 7-8 ditë, pa ujë e bukë në bodrumet e Burgut të Prishtinës. Atyre në orvatje për t’i thyer dhe klasifikuar si armiq të shembjes së ish- Jugosllavisë, u bënin kokat tullac.

Me gjithë përpjekjet e Serbisë, për t’i detyruar të tërhiqeshin nga kjo veprimtari, ata nuk u ndalën për asnjë çast. Madje në të njëjtën kohë bashkëpunonin ngushtë edhe me të përkohshmen “Mladina” të Lubjanës.

Halili, Blerimi dhe kolegët e tyre me në krye disidentin dhe shkrimtarin Adem Demaçi, me kusht që bota ta kuptojë se çfarë po ngjet në Kosovë, u futën disa ditë radhas edhe në grevë urie.

Matoshi, autor e redaktor i dhjetëra librave, romaneve dhe tregimeve, me guxim të pashoq intervistoi edhe shumë personalitete të njohura, si në Kosovë, ashtu dhe jashtë saj.

Uji Dea

Puna e tij shumë herë u vlerësua publikisht edhe nga Presidenti i Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, i cili me dëshirën më të madhe pranonte dhënien intervistë z. Matoshi.

Kur i ngushtohet hapësira për të krijuar dhe plasuar aty ku duhet të vërtetën mbi Kosovën, Halil Matoshi, shkon në Lubjanë të Sllovenisë.

Atje në kontakte me personalitete të njohura të politikës dhe kulturës sllovene, e pasqyron me argumente tërë dramën e Kosovës, duke përfshirë këtu burgosjet, vrasjet, dhe segregacionin në shkolla e spitale, që ushtronte asokohe Serbia, ndaj shqiptarëve, të harruar nga Bashkësia Ndërkombëtare, veçantë nga vendet e Perëndimit.

Matoshi në Lubjanë pati takime të shpeshta edhe më strukturat udhëheqëse të rinisë së Republikës së Sllovenisë. Ai me disa prej tyre ishte takuar edhe më herët nëpërmjet z. Blerim Shala edhe në Prishtinë.

Konsultimet me të rinjtë sllovenë që ishin vënë në ballë të nismave për shkëputjen e Sllovenisë, nga Federata e ish-Jugosllavisë, Z. Matoshi, i vlerësonte të dobishme dhe i merrte si model për organizimet e radhës në Kosovë.

Veprimtaria e z. Halil Matoshi, me shtrirje edhe jashtë Kosovës, e sidomos vizitat e tij në SHBA-ës, merren si pretekst dhe ai kidnapohet befas, më 21 janar të vitit 1999,nga policia sekrete e Serbisë, në shtëpinë e tij në Hajvali, që në atë periudhë i përkiste rajonit të Prishtinës.

Matoshi mbahet në burgjet e Serbisë, gati 1 vit, nën akuzën për terrorizëm . Intelektualë të mirëfilltë brenda KMDLNJ-së, në Prishtinë, i njoftojnë rreth këtij rasti përfaqësuesit e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, në Gjenevë të Zvicrës, e këta me urgjencë i dërgojnë komisionarët e tyre në Beograd.

Falë, Kryqit të Kuq Ndërkombëtar dhe njerëzve vullnetmirë brenda KMDLNJ-së, sot z. Matoshi, gjendet pranë familjes së tij dhe miqve të shumtë.

Kjo periudhë me arrestime, vrasje e presione të llojllojshme i është e panjohur zotit Agim Bahtiri.

Ai asokohe në cilësinë e azilkërkuesit po e shijonte erën e tulipanëve në parqet e Amsterdamit, të Holandës. Kurse, z.Matoshi, po vraponte në çdo cep të Kosovës, për të njoftuar opinionin e brendshëm dhe të jashtëm mbi vrasjet dhe burgosjet që i bënte Serbia.

Jo vetëm ndaj z. Halil Matoshi, por ndaj të gjithë atyre që rrezikuan veten dhe familjet e tyre për lirinë e Kosovës, duhet të tregohemi të përmbajtur dhe larg ofendimeve.

Entuziazmi i tepruar dhe trimëria e pakontrolluar shpeshherë çojnë në qafëthyere. Një i rinj nga Rrafshi i Dukagjinit, duke dashur ta imitoj në fluturim një parashutist profesionist e merr ombrellën dhe lëshohet nga majat e një lisi.

Gjatë këtij lëshimi ai i thyen dy brinjë . Shokët edhe pse të prekur nga rasti, të pushtuar nga të qeshurat i thonë: Disaherë të tërhoqëm vërejtjen mos-mos-mos, e t`i prapë me tënden.

Ai nën gjëmë tha : -Ah sa gazep qenka mos me ia dit vetes hallin …

Në Kosovën e lirë është fare lehtë me u tregua “Mic Sokol” dhe me premtua “parajsën” e munguar.

Mjerisht, gjendja reale në terren është krejt ndryshe . Nga zgjedhjet e shpallura si të ligjshme në Veriun e Mitrovicës, nga gojët e udhëheqësve tanë dje apo pardje u tha që këto zgjedhje duhet përsëritur. Napoleon Banaparte, gjeneral i famshëm i Ushtrisë franceze thotë “Mënyra më e mirë për ta mbajtur fjalën është të mos e japësh atë”

Me këtë rast ashiqare shihet trysnia ndërkombëtare mbi Kryeministrin Albin Kurti, por para se të vije deri tek kjo duhet t’ lihen më një anë kapriçiot dhe inatet në mes veti, dhe të krijohet unitet dhe konsensus, kur në pyetje janë çështjet madhore të vendit.

Nëse vazhdohet dikush thumbit e dikush patkoit Kosova, do të mbetet laborator i përhershëm, ku secili mund të eksperimentojë kur t’i teket. Të gjithë ata që e ndjenë veten shqiptarë duhet të luftojnë për ruajtjen e atyre10 9082 km2, të Republikës së Kosovës, edhe ashtu të tkurrura.

Kosova ruhet nga copitmi apo bosnjëzimi vetëm me bashkim dhe qëndrime të përbashkëta të faktorit politikë shqiptarë, dhe me konsultim paraprak me miqtë tanë amerikanë, anglezë e gjermanë etj.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës që dhanë jetë dhe shpenzuan miliarda në paqësimin e Ballkanit, e dinë fare mirë që Kosova, pa Gjigantin Metalurgjik “Trepça“dhe burimet ujore të Ujmanit, mbetet si një trup i pagjymtyrë.

Andaj, ato nuk hynë në kompromise me Serbinë, e cila çdoherë me përkrahjen e Rusisë, u mundua me qenë zaptuese jo vetëm e Kosovës, por e tërë rajonit.

Agim i dashur, tregohu shaljanë i vërtetë dhe kërkoi falje publike Z. Matoshi, për ofendimin e bërë në afekt, sepse vetëm kështu mund të thirresh në trashëgiminë e Isa Boletinit, Ukshin Kovaçicës dhe Bislim Bajgorës!/arif ejupi/rajonipress/