RCCOLA

Familjarizmi dhe korrupsioni pushtojnë drejtësinë kosovare

/ 9 minuta lexim
Uji Dea

Njohësit e fushës së sundimit të ligjit dhe analistët vlerësojnë se, përveç ndikimit të thellë të politikës në drejtësi dhe lidhjes së këtij sistemi ngushtë me oligarkinë e inkriminuar, një nga faktorët e tjerë kyçë të dështimit, sidomos të aktakuzave që prokurorët i dërgojnë në gjykata, janë edhe niveli i dobët profesional e etik i prokurorëve të shtetit.

Kapiti: Drejtësia kosovare është politike, në shërbim të politikës, si avokate e pushtetit dhe politikës, por edhe e nëntokës së krimit të mafisë oligarkike

“Prokurorët dhe gjyqtarët janë në gjumë shumë të thellë te ne, edhe pse janë shtresa më e privilegjuar. Ata i kanë pagat shumë të mira, kanë madje më shumë vende pune, i kanë privilegjet jetësore, i kanë të punësuar të gjithë fëmijët dhe anëtarët e familjeve. Tani, prokurorët po i punësojnë edhe familjarët e tyre në gjykata, e gjyqtarët nëpër prokurori. Shtrirja e familjarizmit është në maksimum. Prandaj shtrohet pyetja se si mund të punojnë këta dhe si mund të jenë garantë të sundimit të ligjit këta kur vetë janë shembulli më i keq, prandaj s’ka etikë, s’ka moral, s’ka integritet personal dhe institucional”, thotë ish-kreu i AAK-së, Hasan Preteni, për “Kosova Sot”

Njohësit e fushës së sundimit të ligjit dhe analistët vlerësojnë se, përveç ndikimit të thellë të politikës në drejtësi dhe lidhjes së këtij sistemi ngushtë me oligarkinë e inkriminuar, një nga faktorët e tjerë kyçë të dështimit, sidomos të aktakuzave që prokurorët i dërgojnë në gjykata, janë edhe niveli i dobët profesional e etik i prokurorëve të shtetit.

Ata vlerësojnë se nuk janë të pakta dështimet që ndodhin në organin e akuzës, edhe qëllimshëm me urdhër të mafio-oligarkëve të politikës dhe nëntokës, sepse qëllimisht bëhen aktakuzat e dobëta, duke planifikuar edhe dështimin e tyre në gjykata. Sipas analistëve, nuk ka asnjë dyshim që edhe gjykatat janë korruptuar dhe po i hedhin poshtë lëndët që prokuroria i dërgon në gjykata, prandaj është bërë pothuajse mision i pamundur lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit,sidomos pasi politikanët e nivelit të lartë, që janë të lidhur me mafio-oligarkët dhe nëntokën, kanë instaluar një kastë të prokurorëve dhe gjyqtareve që punojnë dhe u japin përgjegjësi vetëm mafio-oligarkëve të politikës e pushtetit.

Gjyqësia e kapur

Sipas ligjëruesit të së drejtës, Blerim Burjani, misioni i pamundur i funksionit të gjyqësisë në vend po vjen e po bëhet gjithnjë e më i qartë, pasi ky sistem është i kapur thellë nga kjo klasë politike. “Prandaj, jemi këtu ku jemi e kështu si jemi, s’ka aktgjykime të formës së prerë për krim e korrupsion të niveleve të larta, s’ka gjykime serioze dhe përmbajtjesore, s’ka as angazhim në këtë drejtim, sepse s’ka vullnet që rastet politike të gjykohen seriozisht. Të gjithë tanimë po e dinë që edhe rasti ‘Ponto’ është keqpërdorim i detyrës zyrtare, ndërsa akuza është bërë si rast për pabarazi, gjë që e bën komplekse argumentimin, në vend që të jenë dy vepra penale, duke ngritur akuzën edhe për shkelje të të drejtave kushtetuese të qytetarëve dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare”, vlerëson ai.”Aktakuza e kësaj natyre nuk është e plotë dhe ka mangësi serioze për të vërtetuar si duhet fajësinë apo pafajësinë, sepse temë e aktakuzës aktuale ‘Pronto’ është përpjekja për të vërtetuar se a ka shkelje kushtetuese, por nuk shkon më larg, ngec në gjysmë rruge për t’u marrë me këtë rast, sepse gjykata duhet të vërtetojë vetëm shkelje të Kushtetutës dhe akteve në fuqi, derisa esenca qëndron se është keqpërdorim i detyrës zyrtare me qëllim të punësimit, pra për këtë aktakuza është e mangët”, vijoi më tej Burjani. Sipas tij, prandaj kjo gjyqësi quhet e kapur.”Por, duhet ditur që veprat e korrupsionit dhe nepotizmi janë vepra penale të rënda, korrupsionin shkatërron ekonomin e tregut, e pengon zhvillimin ekonomik, shkakton kriminalitetin e fuqishëm ekonomik, dhe shkatërron perspektivën e qytetarëve dhe nuk luftohet me aktakuza, të cilat paraprakisht janë hartuar për të dështuar”, tha Burjani për “Kosova Sot”.

UBT

KAPITI: NUK PRITET QË KJO LLOJ DREJTËSIE TË HETOJË E TË NDËSHKOJË KRIMIN, KORRUPSIONIN, ABUZIMIN DHE HAJNINË POLITIKE EDHE TË SAJËN

Edhe sipas ekspertit të kësaj fushe Skënder Kapiti, parësore dhe kryesorja pse Kosova ka një sistem të tillë drejtësie është fakti se drejtësia kosovare është politike, në shërbim të politikës, si avokate e pushtetit dhe politikës, por edhe e nëntokës së krimit të mafisë oligarkike. “Paaftësia dhe moskompetenca profesionale dhe mosetika e drejtësisë burojnë nga e para, pra nga ajo se drejtësia është politike.Tipari i tretë i drejtësisë shqiptare është kriminalizimi dhe korruptimi i saj, i cili vjen po prej faktit që drejtësia kosovare është e varur dhe në shërbim të politikës dhe të mafio-politikës së kriminalizuar dhe të korruptuar. E katërta, është fakti se si politika është edhe drejtësia, pra kur politika ka interesin personal dhe klanor, nepotik dhe fisnor, atëherë po kjo linjë është e instaluar edhe në drejtësi. Në këtë realitet është krejtësisht e pamundur që drejtësia në Kosovë të hyjë në binarët e ligjit dhe të drejtësisë, dhe as që nuk pritet që kjo lloj drejtësie të hetojë e të ndëshkojë krimin, korrupsionin, abuzimin dhe hajninë politike edhe të sajën, përveçse të kundërtën po: mbrojtjen e vetes së saj dhe të politikës prej së cilës kjo drejtësi është zgjedhur, promovuar dhe instaluar”, tha Kapiti për “Kosova Sot”

PRETENI: NË DY DEKADA, VETËM NJË PROKUROR U DËNUA

Sipas ish-kreut të AKK-së, Hasan Preteni, suksesi i një prokurori matet vetëm në bazë të rasteve që i fiton në gjykatë dhe kurrsesi në numrin e tyre që i dërgon atje. Prandaj, kjo flet tani shumë për nivelin e prokurorëve që i kemi në vend dhe sistemin prokuroria si tërësi.”Një prokuror nuk duhet të hapë një rast nëse nuk është plotësisht i bindur se do ta fitojë atë. E, pasi nuk funksionon llogaridhënia, këta te ne edhe po bëjnë gjithçka. Ndryshe, si mund të vazhdojë punën një prokurore, e cila nuk e ka fituar asnjë rast. Nuk mund të akuzojë gjykatën për mosshqiptim të dënimit, sepse është vetë prokurori që ka për obligim që ta bindë atë se ka prova të mjaftueshme dhe ato prova duhet materializuar dhe provuar para gjykatës”, u shpreh ai. “Nga praktika gjyqësore asnjë student i drejtësisë nuk do të mësojë asgjë, asnjë rast të veçantë. Në gjithë botën ku sundon rendi dhe ligji mësohen rastet e veçanta ku prokurori ka arritur që të bindë gjykatën dhe të dërgojë ndonjë zyrtar të lartë në burg dhe të konfiskojë edhe pasurinë. Te ne nuk ka raste të tilla, e kemi vetëm Gjykatën Kushtetuese si në rastin e dy presidentëve që ka bërë bum, dhe këto raste analizohen në gjithë botën. Te veprat penale, te ne nuk ka raste të tilla. Po mbushen gati 20 vjet, vetëm një prokuror e kemi, edhe atë madje më shumë për arsye politike, që është dënuar dhe e ka mbajtur dënimin. Prokurorët dhe gjyqtarët janë në gjumë shumë të thellë te ne, edhe pse janë shtresa më e privilegjuar. Ata i kanë pagat shumë të mira, kanë madje më shumë vende pune, i kanë privilegjet jetësore, i kanë të punësuar të gjithë fëmijët dhe anëtarët e familjeve. Tani, prokurorët po i punësojnë edhe familjarët e tyre në gjykata, e gjyqtarët nëpër prokurori”, potencoi Preteni.”Shtrirja e familjarizmit është në maksimum. Prandaj, shtrohet pyetja se si mund të punojnë këta dhe si mund të jenë garantë të sundimit të ligjit këta kur vetë janë shembulli më i keq, prandaj s’ka etikë, s’ka moral, s’ka integritet personal dhe institucional”, tha Hasan Preteni për “Kosova Sot”.

KELMENDI: POLITIKANËT KOSOVARË JANË PENGESË E FORCIMIT TË SUNDIMIT TË LIGJIT NË VEND

Analisti dhe publicisti Naim Kelmendi nuk beson që në shtetin e ri dhe të brishtë të Kosovës mund të ketë drejtësi funksionale dhe reale, në kuptimin e plotë të fjalës, pa u pastruar i gjithë sistemi dhe pa u ‘rinovuar” e reformuar edhe vetë skena politike. “Fatkeqësisht, edhe më tutje klasa politike kosovare, pozitë e opozitë, vazhdon të jetë kaq indiferente ndaj reformës në drejtësi përmes ligjit të Vetting-ut dhe pastrimit të politikanëve në institucionet e shtetit përmes ligjit të dekriminalizimit. Politikanët kosovarë nuk janë të vetëdijshëm se ata vetë janë bërë pengesë e proceseve demokratike dhe forcimit të sundimit të ligjit në vend. Duhet thënë se opozita nuk e zë në gojë reformën në drejtësi, në fakt kjo opozitë e sotme, shtrohet pyetja, a është dhe sa është e inkriminuar, ngase ajo nuk kërkon me ngulm që të debatohet në Kuvend për ligjet e lartpërmendura, pas të cilave do ta kishim të hapur rrugën e integrimeve evropiane, vizat Shëngen me lëvizje të lirë në shtetet e BE”-së, tha Kelmendi për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)