RCCOLA

Drejtësia e dështuar

/ 7 minuta lexim
Fundamenti

Drejtësi e ndikuar nga politika, arratisje e njerëzve të fuqishëm nga paraburgimi, dënime minimale për rrahje të policisë dhe mos mbrojtja e viktimave nga dhuna janë vetëm disa nga rezultatet e mënyrës së funksionimit të fushës së drejtësisë në Kosovë gjatë këtij viti.

Kur po përmbyllet viti 2015, mos gjykimi i profilit të lartë dhe ndikimi nga njerëzit e politikës zënë hapësirën më të madhe të raportimeve.

Në shtator të 2015-tës, si i paraburgosur, Sami Lushtaku arratiset nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës, për herë të dytë. Ai kishte arritur tu ikë gardianëve që e kishin sjellë nga Qendra Klinike Universitare, njësoj sikur në maj të vitit të kaluar.

Por Policia e EULEX-it, që po i vëzhgonte lëvizjet e Lushtakut për muaj me radhe, e ka arrestuar atë jashtë ambienteve spitalore, ndërkohë që gardianët nuk dinin gjë për të.

Pas kësaj Lushtaku ishte dërguar në Gjykatën Themelore në veri të Mitrovicës. Atje u vendos që ish-komandanti i UÇK-së Sami Lushtaku të dërgohet në burgun e sigurisë së lartë në Gerdovc të Podujevës, për shkelje të rregullave të paraburgimit.

“Pas një seance të zhvilluar në orët e vona në Mitrovicë, gjyqtari urdhëroi që ai të mbahet në burgun e sigurisë së lartë në Podujevë”, pati thënë Zyra për Informim e EULEX-it.

Derisa për rastin e parë të arratisjes nga QKUK-ja të Lushtakut në maj të vitit të kaluar, organet përgjegjëse nuk kanë dhënë asnjë informacion, për arratisjen e dytë shihet se morën masa. Drejtoria e Burgjeve, i suspendoi 3 gardianët, të cilët e kishin përcjellë Lushtakun gjatë vizitës mjekësore në QKUK.

Lushtaku që vazhdon të jetë kryetar i Skenderajt, është dënuar në muajin maj për krime lufte, pasi që sipas aktakuzës ai kishte vrarë një civili shqiptar me një të shtënë më kokë në shtator 1998.

Djemtë e Grabovcit e “mbyten” drejtësinë

Në po këtë vit, në muajin maj Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi me 6 muaj burg dy djemtë e Adem Grabovcit, shefit të grupit parlamentar të PDK-së, për shkak se këta dy të fundit kishin sulmuar policinë kur qenë ndaluar në shkurt të vitit 2013.

Dy vëllezërit, Ngadhnjim dhe Guxim Grabovci, fillimisht ishin dënuar me nga gjashtë muaj burg. Mirëpo dënimi për djemtë e Grabovci, ishte konvertuar në para për të shmangur burgimin.

“I mbrojturi im dhe vëllai i tij janë dënuar me nga gjashtë muaj burg për secilin, mirëpo me kërkesën e mbrojtjes, duke u bazuar në dispozitat ligjore, ky dënim u është kthyer në dënim me gjobë në lartësi prej tremijë euro për secilin”, pati thënë avokati i tyre.

Por të pakënaqur me dënimin e tyre janë shprehur edhe prokurorja e rastit edhe dy avokatët mbrojtës.

E para u ankua për shkak të dënimit të ulët derisa avokatët e konsideronin masë ndëshkuese të lartë vendimin e gjykatës.

Por për dallim nga “fitoret” e njerëzve të fuqishëm në fushën e drejtësisë dështim më të madh të organeve të mbrojtjes gjatë këtij viti u shënuan tek qytetarët.

Rasti i fundit ishte ai i Zejnepe Bytyqit e cila u vra nga bashkëshorti i saj. 39 vjeçarja nga Suhareka nuk arriti tu mbijetoj dhjetë plagëve me thikë që mori nga N.B.

Zejnepe Bytyçi disa herë e kishte paraqitur në polici bashkëshortin e saj për dhunën e ushtruar, derisa një herë tentoi edhe të vetëvritej.

Uji Dea

Mirëpo në dosjet e Policisë nuk janë të regjistruara të gjitha lëndët e dhunës në familjen Berisha. Familjarët e Zejnepes thonë se ajo disa herë ishte tërhequr nga ndjekja, me shpresën se një ditë do bëhej mirë.

Me gjithë këto raportime, burri i Zejnepe Bytyqit disa vite më parë, ka qenë dënuar me vetëm 6 muaj me kusht, për dhunën që ka ushtruar në familje. Atij madje policia i kishte gjetur edhe armë pa leje mirëpo edhe në këtë rast dënimi me burg nuk u aplikua, u dënua vetëm me gjobë.

Edhe raporti i progresit për Kosovën i publikuar në muajin nëntor ka kritikuar fushën e gjyqësorit për shkak të ndërhyrjeve politike.

“Përpjekje të mëtejshme janë të nevojshme për të siguruar pavarësinë në ligj dhe në praktikë, për të parandaluar dhe për të luftuar korrupsionin brenda gjyqësorit, për të rekrutuar dhe trajnuar personel më të kualifikuar dhe për shpërndarjen e burimeve të mjaftueshme”, thotë raporti.

Se sistemi i drejtësisë në vend ka dështuar e tha edhe ambasadori Britanez në Kosovë Ruari O’Conell.

O’Conell si shembull konkret ka përmendur rastin e ish kryetarit të Kaçanikut Xhabir Zharku i cili është dënuar me dy vjet burg por që sipas tij atë nuk kanë mundur ta dërgojnë në vuajtjen e dënimit.

Por çka është më shkuese sipas O’Conell është pjesëmarrja e tij në një aktivitet qeveritar në Suedi.

O’Conell ka hedhur kritika në drejtim të organeve të drejtësisë dhe gjyqësorit ku sipas tij edhe në rastin e ish-kryetarit të Gjykatës Themelore të Prishtinës Nuhi Uka, që është dënuar me vetëm dy vjet ndërsa dëmi i shkaktuar është më shumë se 60 mijë euro.

Drejtësia e pazbatuar

Ish kryetarit të Kaçanikut Xhabir Zharku i cili ishte dënuar në vitin 2012 me tri vjet burg dhe 1 mijë e 500 euro për veprat penale “detyrim” dhe “armëmbajtje pa leje”, mirëpo ai nuk ka mbajtur asnjë ditë burg.

Zharku kishte refuzuar të shkojë në burg dhe këtë e kishte treguar përmes një letre, përmes së cilës e ka informuar opinion publik se ka vendosur të mos respektojë vendimin e gjykatës.

Organet e drejtësisë nuk arritën ta arrestojnë asnjëherë pasi që ai ishte arratisur nga Kosova për në Suedi. Kosova nuk ka mundu ta ekstradoj për shkak se nuk ka marrëveshje ekstradimi me këtë vend.

Drejtësinë selektive që është praktikuar viteve të kaluara në Kosovës e dëshmon më së miri edhe rasti i Nuhi Ukës, ish-kryetarit të Gjykatës Komunale të Prishtinës

Ai bashkë me nëntë të akuzuar të tjerë u dënua për keqpërdorim pronash të ish-kombinatit Bujqësor Industrial (KBI) “Kosova Export”.

Ata së bashku deri në vitin 2006 kishin tjetërsuar më shumë se 10 hektarë pronash të kësaj ndërmarrjeje në Veternik, Çagllavicë, e Llapnasellë me anë të nxjerrjes së 15 vendimeve gjyqësore.

Uka në muajin shtator të vitit të kaluar u dënua me kusht nga Gjykata Themelore në Prizren do ta vazhdojë të mos e kalojë asnjë ditë në burg nëse gjatë kësaj periudhe nuk shkakton ndonjë vepër tjetër penale.

Gjykata gjithashtu vendosi që ai të mos ushtroj profesionin për 3 vjet./Gazeta Fjala/