Hidromorava

Besa Kokëdhima tregon surprizat dhe detajet e pjesëmarrjes në Eurovision 2024

/ 4 minuta lexim
Hidromorava

Besa Kokëdhima, e ftuar në “E diela jonë” tregoi disa detaje mbi përfaqësimin e saj në Eurovision me këngën “Titan”/ “Zemrën në dorë”.

“E di që kam një përgjegjësi shumë të madhe dhe jemi përpjekur që ngarkesën dhe presionin e kësaj përgjegjësie ta përkthejmë në punë, për të bërë një përfaqësim sa më dinjitoz që njerëzit të mbetën të lumtur nga ky përfaqësim”, u shpreh Besa në hyrje të programit.

Më tej, ajo rrëfeu se ndryshe nga projektet e tjera muzikore, ky i këngës “Titan” e emocionon sa herë ajo e sheh. “Mendoj se është puna më e mirë që kam bërë deri më sot në muzikë”, pranoi këngëtarja.

“Unë dua që njerëzit të ndihen qytetarë të Europës dhe të botës, muzikalisht në këtë përfaqësim dhe të jenë të ndërgjegjshëm për këtë cilësi produkti. Nëse vjen edhe rezultati, shumë mirë. Nëse jo, në çdo rast, kemi bërë më të mirën që kemi mundur”.

Ajo tha se është shumë e emocionuar për të gjithë mbështetjen që ka marrë pas fitores së Festivalit të Këngës dhe sqaroi se pse kënga e saj do të konkurrojë në gjuhën angleze.

“Nuk është se ndërlidhet me mungesën e dashurisë për gjuhën shqipe, sepse është gjuha më e shtrenjtë dhe më e dashur në botë, madje, do të kishte qenë edhe në pikëpamjen e përllogaritjeve statistikore dhe matematikore, shumë e më thjeshtë nëse do të ishte në shqip, pasi konkurron me të ngjashmit e tu shumë pak (referuar gjuhëve të ndryshme në Eurovision)”.

RCCOLA

“Gjuha nuk shkëputet nga muzika, janë të lidhura ngushtësisht. Për këtë arsye, vendimi për ta bërë këngën në anglisht dhe për ta riformuluar për audiencën ndërkombëtare ishte sepse nuk është një këngë me stil etnik, apo një këngë me stilistikë (dhe) me origjinë të muzikës të lehtë shqiptare. E dyta, sepse kur e kemi shkruar këngën në fillim, e kishim shkruar në anglisht”, duke shtuar se kjo është bërë që kënga të arrijë në më shumë njerëz dhe fansa të Eurovision-it.

Ajo tregoi se do ta rrezikojnë dhe do të bëjnë më të mirën për këngën dhe do t’u mundësojë njerëzve në Europë një pjesë të Shqipërisë, në një gjuhë që e kuptojnë.

Por, a do të ketë ndonjë fjalë shqip? Mbase. Besa e la të hapur mundësinë. Gjithsesi, ajo bëri me dije se performanca skenike është dorëzuar dhe gjithçka është kryer më 11 mars. “Skuadra që ka punuar dhe do ta ekzekutojë edhe në skenë performancën, është një skuadër me regjisor dhe skenografe me një eksperiencë të gjatë, të cilët kanë drejtuar Festivalin e Finlandës”. Kokëdhima tregoi se ekipi është marrë edhe me performancat e Suedisë dhe në këngët fituese të disa edicioneve.

Besa tha se nuk do të jetë e vetme në skenë, por e shoqëruar nga disa ndër balerinët më të mirët në vendet nordike. “Është konceptuar një performancë që është e ndërlidhur me atë që ndodh në skenë me atë që ndodh në videot e ekspozuara. Nuk është diçka që mund ta paramendoni”, tregoi ajo.

Këngëtarja iu përgjigj edhe pyetjes se nëse e sheh si dështim një skualifikim të mundshëm të Shqipërisë nga Eurovision-i. “Për mua është fitore nëse njerëzit që shikojnë performancën e dëgjojnë këngën, thonë: “Shqipëria kishte një këngë të bukur sivjet”. Për mua kjo është fitore dhe një marketing i mirë për vendin tim. Pjesa e lobimit dhe marketingut për shtetet e tjera janë gjëra shumë më të mëdha dhe buxhete shumë të larta, që këto vende i shfryëzojnë dhe ne nuk e bëjmë dot, pasi nuk e kemi si mundësi. Ne përpiqemi në të gjitha format që të bëjmë maksimumin. Skuadra është përpjekur edhe privatisht të mbulojë kosto për të promovuar sa më mirë vendin”.

Eurovision këtë vit do të mbahet më 11 maj në Malmö, Suedi.