Mobi Casa

Viruset e Kosovës

/ 7 minuta lexim
Uji Dea

Nga Flaka Surroi – Nuk mbetën edhe shumë ditë deri në fund të 2014-s. Edhe pse kisha shpresuar se do të ishte ndryshe, ky vit për fat të keq më dëshmoi se sa e sëmurë është Kosova. E kanë infektuar me turli virusi sëmundjesh, dallaveresh, mashtrimesh e hajnish. Vetëm shpresoj se ndonjëri prej tyre nuk është vdekjeprurës.

E megjithatë pati një fije shpresë se ajo do ta gjente fuqinë për t’u liruar nga disa syresh. Ndoshta edhe ia ka dalë. Porse duket se një seri e re virusesh u aktivizua në vjeshtë, për t’i dhënë fund “armëpushimit” të verës. Për të na sjellë në pikën ku ishim në fillim të vitit – në pikën më të ulët që ka përjetuar shteti i pavarur i Kosovës deri më tani.

Fitorja e ndritur

Fillimi i vitit dukej të ishte ogur i mirë. Një shkrim i botuar në KOHA Ditore zbuloi se Universiteti i Prishtinës udhëhiqej nga një mashtrues që i kishte botuar tri “punime shkencore” në një revistë indiane absolutisht të pavlerë për ta marrë thirrjen e nevojshme për t’u bërë rektor. Studentët u zgjuan, e me ta edhe një pjesë e qytetarëve, dhe dolën në protestë.

Ia dolën ta rrëzojnë rektorin mashtrues, të cilin pushteti që e kishte instaluar e mbrojti. Madje me përdorim të dhunës dhe me arrestime të atyre, që herëdokur do t’i shpallë armiq të sistemit, e që do të jetë punë që do ta bëjë sa herë që do të ketë nevojë ta instrumentalizojë këtë fakt për ta arritur një qëllim. Kuptohet, nëse këtij pushteti do t’i ecë ende kungulli mbi ujë.

Me gjithë antipropagandën e orkestruar nga SHIK-u, studentët dhe shoqëria civile dëshmuan se kur duan mund të bëjnë mrekulli pa pasur nevojë të përdorin dhunën – por vetëm argumentin e drejtësisë dhe ligjit. Mund të vazhdojnë të lehin ata të cilët e kanë zanat, se protestën e organizoi ky apo ai krah, porse nuk mund ta mohojnë se studentët qenë të vendosur për të treguar për herë të parë, pas 1997-s, se nuk e kishin humbur besimin në institucionin ku po e siguronin nxënien profesionale. Dhe se prej aty duhej larguar bartësit e viruseve të diletantizmit dhe të mashtrimit “shkencor”, posaçërisht ata partiakë. Se aty duhej një dezinfektim i thellë.

Humbja e shndërruar në fitore

Arritjen e dytë më të madhe që e përjetoi Kosova si popull sivjet, ishte vetëdijesimi se nëpërmjet votës mund të vinte edhe ndryshimi i pushtetmbajtësve. Më të animuar se kurrë, edhe pse jo në numra të mjaftueshëm, megjithatë në mesin e votuesve pati vendosmëri që të mos lejohej vjedhja e votës.

Mbase nuk do të jetë eliminuar krejtësisht virusi i vjedhjes së votës – porse iu afruam ëndrrës së rrëzimit të një të keqeje të madhe dhe të zëvendësimit me një diçka më pak të keqe që për pak e shndërroi humbjen elektorale në fitore.

Më e rëndësishmja ndër të gjitha ishte se për herë të parë u arrit një kohezion dhe një përbashkim rreth një ideje që i mbajti gati unikë madje katër subjekte politike që nuk mund të thuhet se kanë shumëçka të përbashkët. Porse, nuk do të ishte Kosovë po të mos ishte një tjetër virus ai që e diktoi fundin.

Virusi i lakmisë i kombinuar me atë të bajraktarizmit bëri që komplet ideja të dështonte e që situata të kalonte nga fitorja gati latente në humbje. Në rend të parë të dinjitetit. Në rend të dytë të fytyrës, për ata që e kanë. Së treti, të shpresës se ky vend mundet ndryshe.

Të dorëzuarit në zinxhir

Mobi Casa

E numri i atyre që në vjeshtë kishin vendosur se ky vend nuk bën më mirë, sepse nuk e lënë të shërohet, e dëshmoi me autobusët e pafund që po nisen nga po munden për në Perëndim.

Këta i ka kapluar virusi i të dorëzuarit. I bindjes mbase se jeta është shumë e shkurtër për ta lënë mënjanë, dhe se nuk ia vlen me ndejtë aty ku nuk mund ta bësh jetën që e do vetë. Sepse tjetërkush ta dikton. Sepse tjetërkush ta mohon. Përderisa ti hesht dhe çon duar. Pa luftuar. Virus i rëndë.

Por, është edhe një virus tjetër ai që e ka sulmuar një pjesë të atyre që ikin. Është virusi i iluzionit. I të besuarit në përralla se autobusët do t’i çojnë në El Dorado. I inercisë, sipas së cilës funksionon një pjesë e madhe e shqiptarëve: imitimi i kojshisë. Apo i ndonjë të ngjofshmi. Apo të vepruarit “me të ndime”. Vetëm shikoni rreth vetes e shihni se si është harxhuar kapitali i diasporës, posaçërisht pas luftës: nëse dikush e ka ndërtuar një shtëpi dykatëshe me dy kulme, fqinji e ka ndërtuar një me tri kulme; nëse njëri e ka ndërtuar një pishinë 10-metërshe, ky tjetri e ka ndërtuar një 15-metërshe; nëse dikush e ka ndërtuar një pompë benzine me tri “çeshme”, ai tjetri ia ka shtuar bile një më shumë…

Njësoj këtu. Nëse dikush ka dalë në Francë, ka çuar selam se punët janë super; se shteti i tyre kujdeset për ta: i ushqen, i veshë, u jep mbushje për telefona, i shëtit e çka mos tjetër – duke mos pranuar se jeta e refugjatëve nëpër kampe është megjithatë e mjerueshme, porse për shkak të kryelartësisë u vjen rëndë ta pranojnë. Dhe i mashtrojnë ata të cilët më parë i shesin të gjitha për të ikur, sesa për të provuar që të bëjnë diçka këtu. Sepse i ka kapluar virusi i dëshpërimit.

Receta

Nuk ka kolumne në botë që do të mund t’i përmblidhte të gjitha viruset që e sulmojnë Kosovën. Pra as kjo, natyrisht.

Vetë mjekësia nuk ia del t’i eliminojë të gjitha. Sa herë ndodh që t’i zbulojë ato, e të mos mund t’i zhdukë për shkak se ende nuk i ka gjetur antitrupat. Por edhe sa herë të tjera ajo ia di zgjidhjet, porse janë interesat e thella të shtresave të caktuara shoqërore që nuk lejojnë që ato të zbatohen, për shkak se nuk u leverdis shërimi i sëmundjeve.

Viruset e Kosovës, jam thellë e bindur, janë të zhdukshme. Sëmundjet që ato i shkaktojnë janë të shërueshme. Porse ato nuk do të mund t’i zhdukin ata që i sjellin dhe e infektojnë Kosovën me të gjitha të këqijat që gradualisht janë duke ia shkatërruar bërthamën, ende pa u forcuar sa duhet.

Kosova do të shërohet atëherë kur ta kuptojë se nuk duhet të varet nga askush për t’ia zgjidhur vetes problemet. Atëherë kur ta kuptojë idiomën e vjetër se është më mirë të parandalohet sesa të shërohet. Gjithsesi kushton më lirë.

E ne ende jemi me kohë.

[email protected]