T`i kujtojmë atdhetarët tanë: Agush Mehmeti, atdhetari i patrembur i Anamoravës (1920 – 10 tetor 1951)
Nga Sabile Keçmezi-Basha – Agush Mehmeti- ishte i lindur më 1920 në fshatin Bresalc afër Gjilanit. Në kohën kur u likuidua ishte i martuar me Qibrie Alidemën nga Pozhorani. Nuk kishin fëmijë. Agush Mehmeti para lufte kishte qenë bujk, gjatë lufte kishte bashkëpunua me forcat nacionaliste. Më 1943, kishte marr pjesë në Ponesh e Livoq të Poshtëm kundër forcave partizane. Më 1949, bashkë me Ramadan Ramadanin prej Gjilani kishte formuar organizatën ilegale “Zogisti”, që kishte për qëllim rrëzimin e sistemit ekzistues shoqëror. Por, në bazë të të dhënave del se kjo organizatë nuk ishte tjetër gjë, por ONDSH, që vepronte në kushte më të vështira dhe konspiracioni ishte edhe më i thellë.
Edhe pse u organizuan shumë procese gjyqësore ndaj anëtarëve të NDSH-së, megjithatë veprimtaria ilegale e tyre nuk do të ndalej edhe në vitet e më vonshme. Duke e parë situatën e rëndë dhe të mjeruar që u katandiseshin shqiptarët, në Gjilan e rrethin u morë përsëri iniciativa që të formohet apo të vazhdojë veprimtarin e vet organizata Nacional Demokratike Shqiptare. Këtë nismë e mori patrioti i asaj ane Ramadan Bejtë Ramadani nga Gjilani, Ramiz Murat Osmani nga Makreshi, Agush Mehmeti nga Bresalci.
Më 1 korrik 1949, u formua ONDSH-ja me programin e ONDSH-ës të viteve 1945-1947, e që kishte për qëllim çlirimin dhe bashkimin e tokave shqiptare në Shqipërinë Etnike. Sipas të dhënave dhe dëshmive të pjesëmarrësve thuhej se mbledhja e parë-konstituive u mbajt natën në një arë të mbjellë me duhan, pran çezmës së Stanishorit dhe Gllamës së Gjilanit. Thuhej se në këtë mbledhje merrnin pjesë mbi njëzetë persona, të cilët edhe u anëtarësuan në organizatën e re.
Në këtëtubim merrnin pjesë njerëz gati nga e gjithë rrethina e Gjilanit si: nga Gjilani, Makreshi, Bresalci, Kravarica, Karaçeva, e vende të tjera.
Sipas dokumenteve thuhej se kryetar i organizatës u zgjodh Ramadan Bejta, nënkryetar u zgjodh Agush Mehmeti dhe sekretar u zgjodh Ibush Mehmeti. Po në këtë mbledhje u formuan disa grupe për organizim të punës në teren. Për grupin e Gjilanit përgjegjës u caktua Ramdan Bejta, për grupin e Bresalcit u caktua Agush Mehmeti, ndërsa për Makresh (i cili u nda në dy grupe) u caktuan Ramiz Osmani dhe Imami Musli Osmani.
Edhe pse e re në formim, organizata për një kohë të shkurtër u konsolidua dhe gjatë mbledhjeve të shpeshta që mbante morën për detyrë që të kryenin shumë aktivitete e aksione në terren. Mirëpo, veprimtaria e saj vije në shprehje sidomos pas kontaktit që vuri anëtari i kësaj organizate- Ramadan Bejta me patriotin e shquar të kësaj ane- Hasan Remnikun. Nga kjo del edhe aksioni i parë që ndërmorën veprimtarët e organizatës. Vlen të përmendet rasti i parë i një aksioni, që bëri bujë të jashtëzakonshme në Anamoravë siç ishte prerja e pesë shtyllave telefonike në linjën Gjilan- Bujanoc, në Brezë të Shilloves, me 21 tetor 1949. Ishte një hap i madh që morën anëtarët e ilegales, vetëm pas katër muaj formimi.
Mirëpo, me kaq nuk përfundon veprimtaria e tyre. Të nesërmen, më 22 tetor 1949, nga atdhetari Agush Mehmeti e që ishte në bashkëpunim me Hasan Remnikun, u vra sekretari i Këshillit Popullor të Vendit, Petar Markoviqi. Organizata, pas këtij suksesi që pati në terren, mori edhe shumë nisma të tjera që okupuesit t’i shkaktoj dëme edhe më të mëdha.
Edhe pse kishin marrë shumë nisma, pas një muaji, anëtarët e OZN-së, iu bien në gjurmë dhe pas shumë përndjekjeve ata arrestohen më 12, 14 dhe 16 nëntor 1949. Arrestohen shumica e tyre si nga Gjilani, Makreshi, Bresalci etj. Procesi gjyqësor u organizua në Gjykatën e Qarkut në Gjilan prej 7-11 prillit të vitit 1950.
Sipas të dhënave që i kemi, para gjyqit do të kenë dal këta persona të cilët akuzoheshin me nenin e Ligjit për vepra penale kundër popullit dhe shtetit në kohëzgjatje prej 15 vjetësh burgu të rëndë dhe deri me pushkatim. U dënuan këta persona:
- Ramiz Osmani, u dënua me 18 vjet burg.
- Shefki Osmani, dënohet me 20 vjet burg.
- Nuhi Mustafa, 15 vjet.
- Zylfi Isufi, 16 vjet burg.
- Mulla Musli Osmani- 8 vjet burg.
- Ramadan Bejta, u dënua me pushkatim.
- Agush Mehmeti, u dënua me pushkatim.
- Ibush Mehmeti, me 20 vjet burg.
- Selman Selimi, 17 vjet burg.
- Hysen Aliu, 18 vjet burg.
Sipas aktgjykimit, sikurse edhe në aktgjykimet e të tjerëve të arrestuarve politikë thuhej se, grupi i Ramadan Bejtës kishte për qëllim “rrëzimin me dhunë të pushtetit popullor jugosllav, me anën e organizimit të diversioneve të ndryshme; të kryerjes së vrasjeve të kuadrove politike në Gjilan dhe rrethinë, të organizojë kryengritje të armatosur të popullit shqiptar të Kosovës”, dhe dihej se, të gjithë ata të dënuar që kishin mbi 10 vjet për të vuajtur burgun, pushteti jugosllav i dërgonte për vuajtje në Mitrovicë të Sremit. Edhe pse u dënuan dhe të gjithë u dërguan në Mitrovicë të Sremit, ata edhe atje e vazhduan aktivitetin atdhetar.
Sipas një dokumenti të proveniencës gjyqësore të Gjyqit të Qarkut në Gjilan, lidhur me të dënuarit politik të pas luftës e gjerë më 1954, thuhej se vetëm në Rrethin e Gjilanit (pa Viti e Dardanë), “Për vepër penale kundër popullit dhe shtetit, nga ky rreth, deri më 1954, janë dënuar 208 shqiptarë, si anëtarë të NDSH-së, grupe terroriste, si dhe grupi i Hasan Alisë”.
Grupit të Hasan Alis, ndërkohë i bashkëngjitet edhe anëtari i NDSH-së, Agush Hetem Muharremi. Agush Hetemi ishte një atdhetar i devotshëm, i cili ishte angazhuar në radhët e LNDSH-së, por pasi arrestohet, Gjykata e Qarkut në Gjilan atij i shqiptoi dënimin me vdekje- pushkatim. Pasi se nga lart ishte marr urdhri që Hasan Alia të zihet i gjallë o i vdekur, me një shpejtësi marramendëse, bëhen planet për të keqpërdorur miqësinë që kishte Agushi me Hasan Remnikun. Agush Hetemit, gjykata më vonë, sipas kërkesës së UDB-së, i fal dënimin, prej vdekjes- pushkatim, i caktojnë dënimin prej 20 vjetësh burg. Duke menduar se në këtë mënyrë, atë, do ta bindin që të bashkëpunojnë me ta. Më vonë, sipas disa të dhënave, Agush Mehmeti arratisej nga burgu duke iu bashkua grupit të Hasan Alis-Remnikut. Pas arratisjes së tij, UDB-eja edhe për këtë shpall një shpërblim të lart në të holla për të gjithë ata që din dhe e nxënë Agush Mehmetin.
Sipas dosjeve të shumta të jatakëve që dalin para gjyqit dhe dënohen me vite të shumta burgu, numri i tyre për strehimin e Hasan Remnikut në tërë territorin e Anamoravës ishte tejet i madh. Ai pa frikë strehohej si në Remnik, Lubishtë, Smirë, Livoq i Epër e i Ultë, Ponesh e fshatra të tjera për rreth.
Hasan Alia, duke e par se rrethi i lëvizjes sa vije po ngushtohej, dhe se shumë miq e dashamirë të patriotit po vinin familjet dhe jetën e tyre në rrezik, së bashku me grupin vendos që të arratiseshin për Shqipëri.
Edhe pse konspiracioni ishte në çdo nivel, megjithatë organet e UDB-së, me rastin e arrestimit të Arif Sylës (korrieri i Hasanit), për shkaqe krejt të tjera, ngase ai kishte reaguar me rastin e heqjes së çarçafit të grave, por në hetuesi, ai kishte folur edhe diçka, që për organet e UDB-së ishte me shumë rëndësi. Ai tërthorazi kishte folur se si e njihte Hasan Remnikun, dhe se merrte pjesë në një organizatë ilegale. Mjaftonte kjo për hetuesit, që më vonë ta përcillnin në çdo hap. Me qëllime të caktuara atë e lirojnë nga burgu, por jo edhe nga përcjellja e vazhdueshme.
Më vonë, në grupin e Hasan Remnikut, sipas të dhënave që i jep Mazllum Nimani, në fejtonin e Jovan Bullaiqit, në grup i hedhin tre persona, tre ish të burgosur politikë, me detyrë që ta vrisnin ose likuidojnë Hasan Remniukun. I tërë ky aksion përfundoi pa sukses. Megjithatë, organet hetuese të Jugosllavisë nuk heqin dorë nga përcjellja e atdhetarit, më vonë në organizatën e tij i hedhin edhe tre oficer të sigurimit. Sipas të dhënave që i ofron Jovan Bullaiq ata ishin: Tahir Sokoli nga viset e Gjakovës, komandim i milicisë në Bresalc, Rexhep Xhiha nga Gjakova, sekretar i Punëve të Brendshme të Kosovës dhe Ismail Ramë Zenuni nga Smolica e Gjakovës, i cili në atë kohë ishte Shef i Milicisë të Rrethit të Kamenicës. Megjithëse kontaktet donin të ishin të shpeshta, Hasan Remniku gjatë tërë kohës tregonte një kujdes të pashoq dhe esesi nuk iu epte as shansin më të vogël që ata të përfitonin besnikërinë e tij.
Rrugëtimin për të kaluar kufirin, Hasan Remniku e nisë më 6 tetor 1951, për tu likuiduar nga në mes të natës së 9 e 10 tetorit nga forcat ushtarake jugosllave. U likuiduan: Hasan Remniku, Mustafë Koka me gruan Rabijen e cila ishte shtatzënë, dhe Agush Mehmeti me gruan Qibrie Misini Alidema. Pas kësaj ngjarjeje kobzezë, ushtarët e policët festuan gjatë dhe me mburrje organizuan në Prizren, Ferizaj e Gjilan një ekspozitë të tmerrit, duke i detyruar fshatarët që t’i vizitonin të vrarët, që i kishin shtrirë në llucën e rrugëve, për t’iu futur tmerrin qytetarëve shqiptar. Ashtu në heshtje, kokë ulur fshatarët i përcollën duke iu bërë nderimet e fundit bijve më të dashur të kombit vet./rajonipress/