Uji Dea

Luan Shahiqi mbyll kapitullin e arsimit, por jo të artit – Shkolla “Adem Kastrati” e nderon mjeshtrin e pikturës dhe edukimit

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Pas më shumë se katër dekadash angazhim në art, dizajn dhe edukim, profesori dhe piktori i njohur Luan Shahiqi i ka dhënë fund karrierës së tij në mësimdhënie, duke u pensionuar nga Shkolla e Arteve Pamore “Adem Kastrati” në Gjilan.

Në një ceremoni të mbushur me emocione, respekt dhe mirënjohje, kolegë, familjarë, miq dhe bashkëpunëtorë vlerësuan kontributin shumëvjeçar të Shahiqit në formimin e brezave të rinj artistikë dhe në zhvillimin e jetës kulturore e arsimore në Gjilan.

Drejtori i shkollës, Roland Masurica, e cilësoi profesor Shahiqin si një prej figurave që kanë lënë gjurmë të veçanta në institucion, duke theksuar përkushtimin, profesionalizmin dhe integritetin që e kanë shoqëruar gjatë gjithë karrierës së tij.

“Po përcjellim në pension një personalitet që ka ndikuar jo vetëm në edukimin artistik të nxënësve, por edhe në ndërtimin e identitetit dhe traditës së shkollës sonë”, tha Masurica.

Përveç kontributit në arsim, Shahiqi u vlerësua edhe për krijimtarinë e tij artistike, e cila është prezantuar ndër vite në ekspozita individuale dhe kolektive brenda dhe jashtë Kosovës. Veprat e tij kanë qenë pjesë e skenës artistike në qytete të ndryshme evropiane, duke e bërë atë një nga emrat e njohur të artit pamor nga Gjilani.

Me fjalë mirënjohjeje u paraqitën edhe kolegët Nijazi Haziri, Rexhep Bunjaku, Agim Kajtazi dhe Bajram Fejzullahu, të cilët vlerësuan figurën e tij si pedagog dhe si njeri, duke veçuar modestinë, korrektësinë dhe respektin që ai ka kultivuar ndër vite në raport me kolegët dhe nxënësit.

FIDANISHTJA

Në emër të familjes, Kujtim Shahiqi falënderoi kolektivin e shkollës për organizimin e ceremonisë dhe për vlerësimin e treguar ndaj profesorit.

I emocionuar, vetë Luan Shahiqi tha se pensionimi shënon fundin e një kapitulli profesional, por jo fundin e krijimtarisë së tij artistike.

“Koha kaloi më shpejt sesa e kam menduar. Largohem nga mësimdhënia me ndjenjë krenarie dhe mirënjohjeje, por arti mbetet pjesë e pandashme e jetës sime. Përderisa do ta kem shëndetin, do të vazhdoj të krijoj, sepse arti nuk njeh pensionim”, u shpreh ai.

Në shenjë respekti për kontributin e tij në edukimin dhe formimin e shumë gjeneratave të artistëve të rinj, profesor Shahiqit iu ndanë mirënjohje nga drejtoria e shkollës dhe Drejtoria Komunale e Arsimit në Gjilan.

Luan Shahiqi është ndër emrat më të njohur të artit pamor në Gjilan. Përveç veprimtarisë së tij si piktor dhe pedagog, ai ka qenë për disa mandate kryetar i Shoqatës së Artistëve Pamorë të Gjilanit dhe një nga kontribuuesit në themelimin e Shkollës së Arteve “Adem Kastrati”, duke lënë një trashëgimi të rëndësishme në zhvillimin e arsimit dhe kulturës artistike në qytet./rajonipress/